Ministri i Turizmit, Kulturës dhe Sporteve, Blendi Gonxhja ka përgenjeshtruar Sali Berishën për deklaratën se Gilmando Dani, që u vra në atentat pranë Aeroportit të Rinasit, kishte qenë bodyguard dhe financues i fushatës së tij. Berisha akuzoi se Dani ishte edhe krahu i djathtë i ish-ministrit Ervin Hoxha.

Në një reagim në rrjete sociale, ministri thotë se deklarata e Berishës është një gënjeshtër dhe se Gilmando Danin nuk e njeh dhe as nuk e ka parë ndonjëherë dhe se emrin e tij e ka dëgjuar në lajme. Më tej, ministri e ironizon edhe për gafën që bëri teksa tha se Dani ishte krahu i djathtë i Ervin Salianjit.

E paralajmëron gjithashtu se do të përballet në gjykatë me çdo akuzë publike që ka bërë.

“Fake News. Lajm i Rremë. Gënjeshtra. Sot Saliu llomoit se paskam patur “badigard” (truproje) dikë që as e njoh dhe as e kam parë ndonjëherë - dhe që emrin e këtij subjekti e mësoj si shumica e njerëzve nga kronika!  

Para 2 ditësh dilja i financuar (me rregull treshi në fushatë) sipas Saliut nga subjekti në fjalë! S’reagova sepse supozova se qe roitje, meqë po pardje ia bëri krah të djathtë Ervin Salijanjit subjektin, mosha, kushedi… U pa puna - do provosh në gjykatë secilin element akuze publike Sali! 81 vjeç, e s’tu zbardh dot kurrë katrani…", ka shkruar ministri Gonxhja.

Ndërkohë Berisha iu përgjigj nga konferenca që mbajti për mediat. I pyetur nëse është i gatshëm të përballet në gjykatë me ministrin, pasi ky i fundit e paralajmëroi, Berisha u shpreh: 

"Absolutisht. Që Gonxhe punoi me bandat dhe një ndër banditët ka qenë edhe ky, kjo është e provuar. Unë do t’i nxjerr atij me dhjetëra dëshmitarë. Sigurisht kjo nuk bëhet me dokumente. Po këta e dinë. Gonxhe bashkë me këtë dhe bandën e Vorës, në këtë fushatë në Tiranë ka qenë njeriu më i lidhur me bandat. Hoxha kishte këtë Sheqerin dhe nuk ka reaguar të paktën. Kurse Gonxhe është totalisht produkt i bandave.", tha ai. 

Postimi i ministrit Gonxhja