/ATSH/.- Zv.kryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, do të niset sonte për në Arabinë Saudite, për t'i shprehur ngushëllimet në emër të shtetit dhe popullit të Kosovës familjes Al Saud dhe popullit saudit, për ndarjen nga jeta të Mbretit Abdullah.

"Mbretëria Saudite dhe vetë mbreti i ndjerë ishin përkrahës të mëdhenj të pavarësisë dhe shtetësisë sonë. Bota arabe humbi një lider të madh me vdekjen e tij", shkruan Thaçi në rrjetin social "Facebook".

Mbreti i Arabisë Saudite, Abdullah bin Abdulaziz vdiq sot në moshën 91-vjeçare, njoftoi televizioni shtetëror saudit. Mbreti u varros pas faljes së mesditës në Riad. Abdullah bin Abdulaziz ishte i shtruar në spital prej disa javësh pas një infeksioni në mushkëri. Televizioni shtetëror saudit shtoi se vëllai i tij, Salman, 79 vjeç, do të jetë mbreti i ri i vendit të pasur me naftë.