Thaçi dhe Vuçiç shtrëngojnë duart në Berlin

 Thaçi dhe Vuçiç shtrëngojnë duart në Berlin

Takimi i Berlinit i organizuar nga kancelarja gjermane Angela Merkel dhe presidenti francez Emmanuel Macron, me udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor, përfshirë edhe Kroacinë e Slloveninë, shënon edhe rastin e parë të takimit të udhëheqësve të Kosovës dhe Serbisë, që nga nëntori i vitit të kaluar.

Bisedimet ndërmjet tyre u pezulluan për shkak të reagimit të Serbisë ndaj vendimit të qeverisë së Kosovës për të vendosur tarifa prej 100 për qind ndaj mallrave serbe.

Që atëherë Serbia ka ngulur këmbë se nuk do të vazhdojë bisedimet pa u hequr tarifat, ndërsa trysnia ndërkombëtare dështoi të bindë qeverinë e Kosovës për pezullimin e tyre.

Organizatorët janë treguar të kursyer në paralajmërimet se çfarë mund të pritet nga takimi i së hënës, duke nënvizuar se do të diskutohet për “qëndrueshmërinë e rajonit, me përqendrim të posaçëm në gjetjen e rrugës për të rifilluar bisedimet ndërmjet Kosovës dhe Serbisë”.

Por, që nga paralajmërimi i takimit, janë ngritur shumë pikëpyetje se çfarë mund të sjellë ai në procesin e bisedimeve Kosovë – Serbi.

Në qendër të të gjitha diskutimeve e analizave ishte ideja që ky takim do t’u japë fund ideve për ndryshime kufijsh, që ishin hedhur që në verën e vitit të kaluar nga presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiç.

Më e zëshmja kundër ideve të tilla ishte Gjermania e cila i ka parë për të madhe dhe shefes së politikës së Jashtme të Bashkimit Evropian, Federica Mogherini, faktin që lejoi të diskutohen ide të tilla në bisedimet e ndërmjetësuara prej saj.

Zonja Mogherini po qëndron në Berlin për të marrë pjesë në takim, por duke zëvendësuar presidentin e Komisionit Evropian, Jean-Claude Juncker, i cili ishte ftuar fillimisht nga organizatorët e takimit.

Mediet spekuluan gjatë javëve të fundit se Berlini do të mund të propozojë një “status të posaçëm” për veriun e Kosovës, mbështetur në marrëveshjen e pazbatuar për krijimin e Asociacionit të komunave me shumicë serbe, madje pati edhe ide për një sovranitet të dyfishtë në veriun e Kosovës.

Para së të nisej për në Berlin, presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi, tha se nuk pret që “aty të ndodhë dialog mes Kosovës e Serbisë, apo negociata, por vazhdoj të ritheksoj fuqishëm pozicionin tim se do ishte me interes mbështetja e së drejtës së shqiptarëve të Luginës (së Preshevës) për bashkim me Kosovën. Por, gjithmonë do të jem kundër shkëmbimit të territoreve. Është pazar e këtë s’e lejojmë, por s’do të lejojmë në asnjë rrethanë, as edhe një lloj sovraniteti të dyfishtë, as model gjermano-gjerman, sepse është i kaluar e as Republikë Serbe, e as asociacion”, tha ai.

Presidenti serb, Aleksandër Vuçiç, tha para takimit se në Berlin Serbia është e vetmuar meqë “të gjithë do të thonë se Kosova është e pavarur” dhe nuk mund të kërkojë asgjë më shumë.

"Prandaj kam folur për vënien e kufirit (ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve), që të fitojmë ndonjë gjë... Tash e di që nuk mund të luftojmë për atë ide”, u tha ai medieve serbe.

Nisma e kancelares Merkel dhe presidentit Macron në radhë të parë duket një përpjekje për të tejkaluar bllokadën e krijuar në bisedime, por edhe një kritikë e rreptë ndaj Brukselit, që dështoi jo vetëm të gjejë një zgjidhje për normalizimin e marrëdhënieve ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, por, madje edhe për t’i bindur palët që të kthehen në tryezën e bisedimeve.

Një pjesë e analistëve perëndimorë besojnë se takimi do të varrosë idetë e ndryshimit të kufijve, madje bëjnë thirrje që kjo të ndodhë. Nisma Evropiane për Stabilitet në një analizë para takimit të së hënës tha se “Bashkimi Evropian duhet të mbyllë menjëherë ‘kutinë e Pandorës” me bisedimet e mëtejme për rivizatim kufijsh ne Ballkan”.

Nuk ka pasur ndonjë reagim më të vëmendshëm nga pala amerikane rreth takimit të së hënës, por ish zëvendës ndihmës sekretari amerikan i shtetit Hoyt Yee, tha gjatë një debati në Washington se takimi i Berlinit nuk është vendimtar por është një mundësi e mirë për bisedimet.

Ai tërhoqi vërejtjen se duhet një strategji më e mirë dhe më e efektshme për Ballkanin Perëndimor, i cili “nuk është atje ku duhet të jetë”. VOA

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    17 Dhjetor, 08:53

    Hapet një tjetër grupkapitull me BE, a po ecet shpejt drejt integrimit?



×

Lajmi i fundit

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës

Atentati në Vlorë, 30 plumba drejt makinës së Kevin Hajrullës