Kryeministri Edi Rama ka shpërndarë sot disa foto nga Forumi për Sigurinë dhe Politikat Globale i cili u mbajt një ditë më parë në Londër.
“Mirëmëngjes dhe me fotoalbumin e ditës së djeshme në Londër, teksa sot vijojmë me Samitin e Procesit të Berlinit, ju uroj një ditë të mbarë”, shkruan Rama në rrjetet sociale
Teksa u pyet mbi gjendjen e Europës aktualisht dhe rolin e saj në arenën ndërkombëtare të politikës, kreu i qeverisë tha Bashkimi Europian dhe kontinenti në tërësi duhet të reflektojë sa nuk është vonë për mangësitë dhe problemet që ka, para se të parakalohet nga konkurrenca. Sa i përket objektivit të Shqipërisë për t'u bërë pjesë e Bashkimit Europian, kryeministri Rama tha se për qeverinë e vendit ky është prioritet.
Ndërkohë sot udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor mes tyre edhe Rama do të takohen me zyrtarë britanikë dhe evropianë në Londër në kuadër të Samitit të Berlinit.
Samiti i këtij viti pritet të fokusohet në çështjet e sigurisë, zhvillimit ekonomik dhe migrimit, ndërsa udhëheqësit e gjashtë vendeve të Ballkanit Perëndimor do të nënshkruajnë deklarata të përbashkëta për Tregun e Përbashkët Rajonal dhe bashkëpunimin energjetik.
Komente










