Thaçi kundrejt Berishës, kur ndodhi përplasja e parë

Thaçi kundrejt Berishës, kur ndodhi përplasja e parë

Presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi gjatë një takimi me ish-kryeministrin Sali Berisha

Në ditën e djeshme, jo edhe aq papritmas, një deklaratë politike e Presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, si një përgjigje ndaj qëndrimit të Sali Berishës për Kosovën Lindore, më shumë se habi, ngjalli bujë të pamatë. Është një deklaratë e drejtpërdrejtë, pa asnjë dorezë diplomatike, e thënë shkoqur dhe me forcë, çka, deri tani, nuk ka qenë në natyrën e zotit Thaçi.

Më shumë se sa një deklaratë politike ajo ishte një qëndrim politik, që, si duket, ka ardhur pas një konstatimi jo t tashëm, por të mbajtur deri tani brenda vetes, për të mos shpënë gjërat deri në ashpërsim.

Tani, krejt ndryshe, shfaqet një President i Kosovës i ashpërsuar, i drejtëpërdrejtë në akuzat e tij, i hapur për të patur një deat edhe më të rëndë, por edhe i bindur se ka të drejtë në dy gjëra themelore:

Së pari, se institucioneve të Kosovës sot më së paku iu duhen këshillat e të dëbuarve me vot masive nga skena politike, duke nënkuptuar qartas zotin Berisha, dhe së dyti, ai ka marrë përsipër realizimin e një ëndrre, e cila nuk parasheh as ndryshim të kufijve të sotëm të Kosovës, as shkëmbim territoresh, por një aspiratë, synim dhe tentim politik për të sjellë në tryezën e bisedimeve njërën nga çështjet më të nxehta shqiptare: Kosovën Lindore dhe, duke bërë të gjithë përpjekjet e mundshme që ajo pjesë shqiptare, në mos t’i bashkohet Kosovës, të paktën të kenë po aq të drejta, në mos edhe më tej, se sa pushteti i Beogradit po kërkon për pakicën serbe në Kosovë.

Në tryezën e bisedimeve janë hedhur të gjitha. Ajo, që, befas, hodhi zoti Thaçi, idenë e bashkimit të Kosovës Lindore, Preshevë, Medvegjë, Bujanovc, në kuadër të korrigjimit të kufirit, në procesin e normalizimit të marrëdhënieve ndërshtetërore në mënyrë paqësore, më tepër se sa ide e vetë Presidentit të Kosovës, duhet të jetë hedhur edhe nga struktura të njohura ndërkombëtare, nga institucione të rëndësishme që monitorojnë jo vetëm Kosovën dhe shtetin serb, por marrin parasysh edhe perspektiva të epërme të zhvillimeve ballkanike.

Si duket, këtë fillesë të institucioneve ndërkombëtare ka kapur edhe zoti Thaçi, për ta hedhur në mesin e dialogut të ashpër të këtyre ditëve dhe me patjetër është gjendur mes dy mundësive: nëse ai nuk do e ngrinte çështjen e shqiptarëve në Kosovën Lindore, me siguri, jo vetëm disa vite më pas, por edhe disa orë më vonë, do të niste një fushatë e zakonshme opozitare se “Thaçi e shiti Luginën e Preshevës”, ashtu si, në rastin e kundërt, tani që synon të zgjidhë këtë nyje politike, me aq sa do të mundet, po hidhen të gjithë qëndrimet ogurzeza pr shprishjen e lëmshit ballkanik dhe çoroditjet botërore nëse këto vise, thellësisht shqiptare dhe shpesh herë determinuese në qëndrimin e tyre kombëtar, në rastin më të mirë  do të bëhej pjesë e shtetit të Kosovës, apo, në rastin më të keq do të kishte autonominë e gjërë të saj.

Sidoqoftë kjo është një çështje tejet e nxehtë. Me të nuk guxon të luajë asnjë njeri i politikës, në të gjitha anët e kufirit, aq më tepër nuk mund ta sjellin në skenë ata që e kanë mohuar në kohën e tyre, e kanë nëpërkëmbur dhe tani, duke menduar se po vjen një kohë tjetër, mendojnë ta risjellin në kohë.

Qëndrimi i Berishës ndaj zgjidhjes së çështjes së shqiptarëve në Kosovën Lindore është krejt i njëjtë me atë që ka pasur ai për Kosovën në fillimin e viteve (0 të shekullit të shkuar, kur i kujtonte shqiptarët e Kosovës se Beogradi është kryeqyteti i tyre dhe se gjithçka mund të zgjidhej nën regjimin e Millosheviçit, përmes një autonomie të gjërë.

Thaçi dhe Berisha ndeshen për herë të parë kështu konkretisht, ndeshen ashpër, njëri duke hedhur gurin e bërë përpjekje për të fshehur dorën, e tjetri, krejt i drejtpërdrejtë.

I pari, Berisha, duke i qëndruar besnik natyrës së tij, thellësisht tinzare dhe duke bërë përpjekjen e daljes mbi ujë; tjetri, Thaçi, duke dalur jashtë natyrës së tij të përmbajtur, çka e ka bërë atë deri më tani një politikan të heshtur, që ruante të gjithë krahët e tij dhe që, megjithëse i dinte fare mirë punët, ndoshta si pak të tjerë, ruante qetësinë, krijonte atë mjedis që i duhej, përpiqej të kalonte mbi njohuritë e tij për të gjetur një urë tejshkimi.

Në të vërtetë, duke qenë pjesë e dy filozofive politike, me aspirata krejt të ndryshme me njëri tjetrin, ardhur në politikë edhe nga rrugë të ndryshme, ata e kanë pasur përplasjen e parë kur njëri, Berisha, ishte në kulmin e pushtetit të tij, dhe tjetri, Thaçi, sapo e kishte nisur këtë rrugë.

Berisha vinte nga komunizmi arkaik dhe konservator deri në thellësi, të cilit i kishte shërbyer; ai kishte dhe ka ende edhe sot mendimin se regjimi i Titos në Kosovë ka qenë më i butë se sa regjimi i Hoxhës, për të klasa politike në Kosovë që kishte ardhur nga Lidhja Komuniste e Kosovës ishte e duhura dhe me të ai krijoi lidhjet për të dërmuar shtetin ku ishte president.

Thaçi, në kohën kur erdhi në Shqipëri, ende pa shkuar në Zvicër, ishte njëri ndër të kërkuarit nga Shërbimi i fshehtë serb, i dyshuar për aksione luftarake, pjesë e listës së arrestimeve, si vazhdim i atyre që kishin ndodhur fill pas Mbledhjes së Katërt të Përgjithshme të LPK-së, që mori vendimin për ngritjen e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Berisha ishte njeriu i hapur për një sërë njerëzish të lobit udbash dhe titist, streha e tyre në Tiranë, dhe, përmes tyre ai vendosi lidhje me shumë elementë që në një vend normal as që duheshin lejuar të vinin në Shqipëri.

Ata, Berisha i priti përzemërisht dhe njëkohësisht ndaloi hyrjen dhe ngushtoi hapësirën për ata që ishin të një grupimi tjetër, të lëvizjes çlirimtare, të cilët i vendosi në listat e ndalimit të hyrjes në Shqipëri, të survejimit dhe, më tej, të ndjekjes e në disa raste, të burgosjes së tyre.

Kjo përballje e parë, njëri nga pozita e të fortit, tjetri nga momenti i pritjes, megjithëse të ashpra dhe të ditura nga Thaçi, nuk janë shpallur asnjëherë si tani, pra nuk kanë përbërë lajm të dyfishtë, si pjesë e së të vërtetës dhe si deklaratë e Presidentit të Kosovës.

Fakt është se njohja e tyre, për shumë vite, ka qenë vetëm e larguar. Berisha ka dëgjuar për Thaçin ndoshta nga njerëzit e afërt të tij në shërbimin e fshehtë serb në Kosovë, shqipfolës, që u bënë ambasadorë, ministra, gazetarë, tregtarë dhe të cilët krijuan korridorin e trafikimit të naftës shqiptare për makinerinë vrastare të Millosheviçit.

Më së shumti ai ka dëgjuar kur u bë i njohur fakti se Thaçi do të ishte Drejtori Politik i UÇK-së, por edhe asaj kohe, takimet mes tyre, nuk kanë ndodhur. Asnjëherë ata nuk u takuan me njëri tjetrin gjatë luftës së Kosovës dhe, pikërisht në ditët kur Thaçi do të ishte në zonën Operative të Dukagjinit, për të risjellë në drejtimin e saj Ramush Haredinajn, të cilin klani proserb, i lidhur ngushtë me Berishën, përmes një puçi kryepleqësh dhe lëdëkëist,kërkonte largimin e tij, Berisha do të bënte përpjekjen tjetër për grusht shteti në Tiranë.

Ishte një sinkron i jashtëzakonshëm, mes asaj që pritej të ndodhte në Kosovë, në zonën Operative të Dukagjinit dhe asaj që kërkohej të ndodhte në Tiranë: mbyllja e rrugëve të UÇK-së, hapja e një fronti brenda shqiptar në Kosovë, si një luftë mes vetes, shuarja e luftës dhe mbetja e Kosovës si një provincë serbe e shkallës së fundit.

Berisha, pas vitit 1996, për politikën në Kosovë, e të gjithë krahëve, ishte një frymë e harruar. Rugova, edhe ai kundërshtar i luftës çlirimtare, e kishte lënë në harresë ish-mikun e tij në Tiranë. Rugova do të ishte i pari që e kuptoi se Berisha ishte i gatshëm ta shiste atë me gjithë Kosovën për të siguruar pushtetin e tij dhe i mbylli dyert e takimeve.

Thaçi nuk i mbylli dyert për Berishën. Më i zgjuar politikisht se sa Berisha, sepse është më i qetë dhe di se çfarë kërkon në secilin moment, ai vazhdoi t bënte të paditurin për gjëmën që Berisha ishte munduar të sjellë në Kosovë.

Ai e dinte se mes tij dhe ish shefit të presidencës në vitet e paraluftës, urat ishin gjysëm të këputura, por, praktik si natyrë dhe joshës në politikë, ka heshtur për shumë kohë, nganjëherë duke tejkaluar një të vërtetë ku kishte qenë pjesë.

Të gjitha ata që Presidenti i Kosovës përcolli në mesazhin e tij politik kanë qenë e janë të ditura. Disa të pohuara nga vetë Berisha, si shitja e karburanteve regjimit të Millosheviçit dhe ndërlidhja me njerëzit e tij të afërt, dhe karburantet ishin të destinuara për makinerinë vrastare; ashtu si është i njohur qëndrimi i tij dhe i forcës së tij politike ndaj UÇK-së dhe njerëzve të saj.

Nuk e di, dhe besoj se askush tjetër nuk mund ta dijë, nëse ka edhe ndonjë shembull tjetër, sidomos në pjesën evropiane të botës, që mohimi ndaj një force çlirimtare, të jetë ngritur në një shkallë të tillë, jashtëzakonisht të egër, tmerrësisht cinike dhe jashtë mendjes shpifëse, si ka ndodhur me liderët politikë berishianë  të shtetit shqiptar ndaj ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Thaçi e ka ditur këtë që herët. E ka ditur se ka qenë pjesë e mallkimit të lideriëve të shtetit amë. Jo vetëm të Berishës. Por edhe të pasuesve të tij. Të cilët sot vrapojnë të risjellin mbrojtjen e verbër. Tritan Shehu, për shembull, si njofton “Zëri Shqiptar” në 5 mars 1996, duke folur për aksionet e kohës së UÇK-së, do të thonte se “ Ky është një provokacion i shovinistëve serbë për të justifikuar dhunën e tyre…”, ndërsa i ndjeri sabri Godo, në të njëjtën ditë do të cilësonte se “..nëse autorët e këtij akti kanë qenë shqiptarë, themi se kemi të bëjmë me njerëz të papërgjegjshëm, me terroristë, që duan të kthejnë kohën prapsht…”.

Njëri nga këto “terroristë” do të ishte edhe Hashim Thaçi, i cili, pak muaj më pas, në Gjyqin e njohur si “Grupi i Drenicës”, do të dënohej në mungesë me dhjetë vite burg, ndërsa Adem Jashari, një nga të pesëmbëdhjetët e dënuar, me 20 vite burg. Dhe tani, shkojnë e vendosin kurora mbi varret e heronjve!!!!

Pak herë më ka takuar të flas me Hashim Thaçin për marrëdhëniet e tij me Berishën. Gjatë kohës së luftës, sa herë që jemi takuar, ai nuk ka qenë asnjëherë temë e bisedave tona dhe e di mirëfilli se asnjë urë lidhje nuk kishte mes tij, Berishës dhe strukturave të UÇK-së.

Ka qenë një i padëshiruar që askush nuk do të merrte guximin ta bënte pjesë. Në të vërtetë, për shumë kohë, Thaçi, edhe për socialistët në pushtet, ka qenë enigmë dhe kontaktet me të kanë qenë të rralla. Por, me Berishën, nuk kanë qenë fare. Ndoshta edhe kujdesi që struktura ndërkombëtare të kohës bënin kujdes për të shmangur takimet e lëvizjes çlirimtare me krahun e Berishës.

Shpërthimi i Thaçit, i tanishëm, duke qenë në gjëra të ditura përgjithësisht nga shqiptarët, duhet të ketë në vete gjithë atë që ka mbajtur brenda vetes dhe është përmbajtur thellësisht. Ndërsa ideka e tij, ende e pazbërthyer si duhet në detaje dhe, djalli qëndron pikërisht në detaje, mund të jetë më shumë se një dëshirë presidenciale.

Janë ditët kur po vendoset shumëçka. Askush, i vetëm, nuk e ka në dorë fatin e Kosovës. As Presidenti i Kosovës. Askush nga jashtë Shqipërisë, i mbuluar nga mëkatet, nuk duhet të dalë si një shenj i vyer, kur ë të vërtetë edhe djalli duket njerëzor para tij.

Asgjë e keqe nuk vjen nga përplasje të tilla. Ata, si e vërteta, duhen. Si thotë Migjeni ”me shpërthye pa frikë e pa zori”./Dita/

Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Gege Kosova: 06/08/2018 09:07

    Kjo perplasje e ngjarjeve te verteta mes personaliteteve e veprimeve politike,edhe pse ishin shume te njohura, kane "plasur" pak sa me vones. Arsyeja e natyrshme,sepse duhej ruajtur unitetin mes dy njesive shteterore kombetare.Hashim Thaçi 2hudhi kokerren"sepse ishte e pamundur te durohet ende Berisha, qe per Kosoven dhe shqiptaret e Kosoves, beri gjitha te ligat pa asnje te mire,Duhet ditur e thene hapur, se kosovaret per Salihun nuk kane asnje arsye te kene ndonje perkrahje, Madje jo vetem shqiptaret e Kosoves,por edhe gjithe shqiptaret andej ku jane, dijne, e kane degjuar dhe e kane perjetuar "politiken" e Berishes, Fole me patriotizem e verpo ne dam te shqiptareve.Hashim nuk i ashtoi asnje te bere Salihut.Ai ka bere edhe shume me keq per Kosoven dhe shqiptaret,se qe ia permend pak sa me vone,por me mire vone se hiq,Hashim,Po degjoje e po lexoj edhe politikane qe e kane dit ur e njohur keto, qe tash prap i dalin Salihut ne krah,Pak sa habitem me disa qe jane mbajtur "atdhetar" shkenctar e publicist.E verteta eshte e madherishme, duhet te thuhet e te shkruahet,ashtu siç eshte,jo me dekore e zbukurime.Keto vetem demtojne te kaluaren dhe te tashme tone kombetare historike.Ndarja ne taborre andej e kendej Drini, qe po venerohet e po degjohet ku me shume e ku me pak, per te demshme, domosdo duhet hudhur jashte nesh e nga ne.

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI

Kushtetuesja rrëzon 4 familjarët e ish-zv/kryeministrit Ahmetaj dhe bashkëjetueses së tij, SPAK u sekuestroi prova për hetimin! Zbardhet VENDIMI