PRISHTINË, 15 Janar/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, e cilësoi sot masakrën e Reçakut, si masakra më e rëndë në luftën e Kosovës.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi thekson se "mëngjesi i 15 janarit të vitit 1999 zbuloi një ndër masakrat më të rënda të luftës së Kosovës, atë të Reçakut, ku në mënyrë mizore iu ishte marrë jeta 45 civilëve. Ky krim gjakatar i makinerisë ushtarake serbe e bindi mbarë komunitetin ndërkombëtar për krimet kundër njerëzimit që po ndërmerreshin në Kosovë dhe e mobilizoi për të ndërhyrë fuqishëm".
"Në këtë përvjetor ne përkujtojmë me dhimbje viktimat e pafajshme të Reçakut dhe shprehim mirënjohjen ndaj aleatëve perëndimorë, të cilët u solidarizuan e nuk ndenjën duarkryq përballë krimeve, që po bëheshin ndaj popullit tonë", përfundon Thaçi./k.s/









