- Senatoret, Murphy-Holding: Edhe SHBA sikur edhe BE-ja, duhet të mbesin të angazhuara në rajon -
PRISHTINË, 3 Shkurt /ATSH-B.Jashari/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm, Hashim Thaçi, i shoqëruar nga ministri i Integrimeve Evropiane, Bekim Çollaku dhe ambasadori Akan Ismaili, janë pritur në takime të ndara nga senatori amerikan Chris Murphy dhe kongresmeni George Holding, bën të ditur nga Uashingtoni MPJ kosovare në njoftimin e dërguar, duke marre mbështetjen e Kongresit Amerikan.
Zëvendëskryeministri Thaçi, pasi ka bërë prezent zhvillimet e fundit në vend dhe angazhimet e Kosovës brenda dhe jashtë shtetit, e ka njoftuar Murphy për funksionimin e Qeverisë stabile dhe gjithëpërfshirëse, dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, si dhe për fokusin e institucioneve të Kosovës për zhvillimin ekonomik të vendit. Ndërsa si arritje është përmendur edhe situata e sigurisë në vend.
Senatori Murphy e ka përgëzuar zëvendëskryeministrin Thaçi për formimin e Qeverisë dhe progresin e arritur në Kosovë, si dhe ka vlerësuar lartë maturinë e Qeverisë së Kosovës në përballjen me sfidat e brendshme dhe të jashtme.
Duke kujtuar vizitën e tij në rajon, senatori Murhpy ka thënë se e ka parë se sa është i rëndësishëm për rajonin angazhimi i vazhdueshëm i SHBA-ve, sikurse edhe prania e BE-së. "Edhe SHBA-të sikur edhe BE-ja, duhet të mbesin të angazhuara në rajon", ka deklaruar Murphy.
Për zhvillimet në Kosovë, zëvendëskryeministri Thaçi ka njoftuar edhe kongresmenin, George Holding. Me këtë të fundit, zëvendëskryeministri Thaçi ka diskutuar për procesin e bartjes së plotë të kompetencave në fushën e gjyqësisë nga institucionet ndërkombëtare tek ato vendore.
Ndërsa kongresmeni Holding ka premtuar përkrahje në këtë fushë, duke theksuar se "reforma në sistemin e drejtësisë në Kosovë do të vazhdojë të mbështetet nga SHBA-ja".
Pas Uashingtonit, delegacioni nga Kosova do të udhëtojë për në Nju Jork, ku do të marrë pjesë në seancën e radhës të Këshillit të Sigurimit të OKB-së./i.v//a.ke/










