/ATSH/.- Zëvendës Kryeministri dhe Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, u dekorua mbrëmë me çmimin "Shigjeta e artë" për veprimtari jetësore nga Kongresi i 12-të i Vjenës që tuboi nobelistë, presidentë, diplomatë, profesorë nga mbarë bota.

Hashim Thaçi këtë çmim e ndau me dy personalitete të politikës botërore, me nobelistin dhe ish-Kryetarin e Republikës Jugafrikane Frederik Willem de Klerk dhe politikanin dhe euro-deputetin e njohur austriak Othmar Karas, nënkryetar i grupit parlamentar EPP në Parlamentin Europian.

Komiteti që ndau këto dekorata u kryesua nga Vaclav Klaus, ish-President i Republikës Çeke, ndërsa fjalë të posacme patën edhe Mohammed El Baradei, laureat i Nobel për Paqe dhe Viktor Yushchenko, ish-President i Ukrainës.

Fjalën e nderit për Zëvendëskryeministrin Hashim Thaçi e mbajti Ambasadori Wolfgang Petrich, i cili ka qenë kryenegociatori i BE-së në konferencën e Rambujesë. Ai e cilësoi Thaçin ndër "personalitetet që kanë shkruar historinë europiane" dhe se "progresi i Kosovës drejt të ardhmes europaine është rezultat i përkushtimit të Hashim Thaçit që - një herë e përgjithmonë - të mbyllet kapitulli i urrejtjes dhe dhunës etnike mes shqiptarëve dhe serbëve"./KosovaPress/