TIRANË, 20 Mars /ATSH- I. Vata/- Ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaci, ka marrë pjesë në konferencën ministeriale në Vjenë kundër ekstremizmit, i ftuar nga Ministria e Jashtme e Austrisë, bëri të ditur të premten Thaci nëpërmjet një postimi në faqen e tij Facebook.
Ministri i Jashtëm i Kosovës, Thaci, në fjalën e tij solli në vëmendje ngjarjen tragjike në Tunizi, si dhe sulmin terrorist në fillim të vitit në Paris, duke u shprehur se "të gjithë së bashku protestuam kundër sulmeve ndaj gazetës franceze. Ne gjithashtu kemi qenë dëshmitarë të një sulmi në Danimarkë, pasi ekstremizmi dhe terrorizmi po kërcënojne shumë vende të botës së globalizuar. Ne nuk po e zhvillojmë një betejë kombëtare, ne po i bashkojmë forcat në një luftë globale kundër atyre që nuk pranojnë diversitetin, demokracinë dhe humanizmin si vlera themelore të ekzistencës sonë politike, si popuj dhe si shtete. Ne po vazhdojnë të ndjekim punën e bërë nga Austria dhe ministri Kurc në kuadër të kornizës ligjore për ndalimin e ekstremizmit të dhunshëm dhe ne i mbështesim këto përpjekje".
"Siç vuri në dukje Sekretari amerikan i Shtetit, John Kerry, disa javë më parë, Kosova është në mesin e vendeve që i prijnë përpjekjeve për parandalimin dhe luftimin e ekstremizmit të dhunshëm në botë. Policia e Kosovës ka arrestuar 80 persona të dyshuar për akte të ekstremizmit të dhunshëm dhe terrorizmit. Tani mund të them se operacionet tona po korrin sukses. Nga195 luftëtare nga Kosova, të cilët kanë qenë në Siri dhe Irak, numri i tyre ka rënë në 50. Janë arrestuar edhe 62 kosovarë që morën pjesë në këto luftëra", tha Thaci.
Po ashtu, Thaçi u shpreh se "Kosova do të vazhdojë të punojë me përkushtimin të palëkundur, 100%, për të luftuar këtë të keqe globale. Ne jemi një shtet laik dhe pavarësia jonë nuk mbështetet mbi përkatësinë etnike apo fetare, por në promovimin e një Kushtetute multi-etnike dhe multi-konfesionale. Qeveria do të bëjë çmos që Kosova të mos u nënshtrohet atyre që nuk pranojnë këto vlera tona fundamentale! HTH". /a.ke/







