/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Jashtëm i Kosovës, Hashim Thaçi, është nisur sot për një vizitë zyrtare në Turqi, ku do të marrë pjesë në ceremonitë përkujtimore për Fushatën e Çanakkalasë, apo Gallipolit siç njihet në botën perëndimore.
Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi shkruan se "jam nisur në Turqi në ceremonitë memoriale për Fushatën e Çanakkale, apo Gallipolit siç njihet në botën perëndimore. Do të jenë aty edhe liderët e vendeve që kanë luftuar, nga Princi Charles i Mbretërisë së Bashkuar e Kryeministri i Australisë Tony Abbot e deri tek Presidenti i Turqisë Rexhep Tayyip Erdo?an".
"Kam obligim të përkulem para varrezave memoriale se mijëra e mijëra shqiptarë edhe nga Kosova kanë derdhur shumë gjak në këto fushëbetejat e fundit të përgjakshme të Perandorisë Otomane. Me pikëllim do të përkulem eshtrave të tyre. Me pikëllim dhe zemër të thyer do ta kujtoj shekullin e kaluar të errët kur aq shumë prej neve u vranë në luftëra anembanë botës, por ne mbetem në robëri. Zoti i bekoftë ata që dhanë jetë aq larg nënave dhe fëmijëve të tyre. Zoti e bekoftë Kosovën", shkruan Thaçi në Facebook, ku poston edhe fotot e arkivës të shqiptarëve që luftonin në Çanakkale./k.s/