/ATSH/.- Zëvendëskryeministri dhe ministri i Punëve të Jashtme, Hashim Thaçi, uroi senatorin Mitch McConnell, për postin e ri të Kryetarit të Senatit dhe Kongresmenin John Boehner për ripërtërirje të mandatit si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve.

Në një postim në rrjetin social Facebook, Thaçi shkruan se "Dhoma e Përfaqësuesve dhe Dhoma e Senatit në Kongresin amerikan tashmë kanë fituar llidership të ri pas zgjedhjeve të vitit të kaluar në Amerikë. Uroj Senatorin Mitch McConnell, një mik i moçëm dhe i rëndësishëm i Kosovës, për pozitën e re të Kryetarit të Senatit dhe Kongresmenin John Boehner për ripërtërirje të mandatit si Kryetar i Dhomës së Përfaqësuesve".

"Çështja e Kosovës në Amerikë nuk ndahet në vija partiake. Nga republikanët si Bob Dole dhe George Bush e deri tek demokratët si Tom Lantos i ndjerë dhe Bill Clinton, Kosova ka gëzuar partneritet dhe miqësi të pazëvendësueshme me të gjitha nivelet qeverisëse amerikane, si dhe me popullin amerikan. Do të vazhdojmë të punojmë së bashku me Kongresin e ri për axhendën e përbashkët të anëtarësimit të Kosovës në NATO dhe forcimit të lidhjeve bilaterale mes Kosovës dhe SHBA-së", përfundon Thaçi./KosovaPress/