The Economist: Pse pasaportat e vaksinave po shkaktojnë kaos

The Economist: Pse pasaportat e vaksinave po shkaktojnë kaos

Foto ilustruese

Problemi qëndron te njerëzit, jo teknologjia, shkruan Para Luftës së Parë Botërore, shumë vende nuk kërkonin pasaporta. Por pasi nisën konfliktet, shtetet u përpoqën të paraqisnin dokumente udhëtimi për të ndihmuar në sigurimin e kufijve të tyre.

Pas armëpushimit, rezultati ishte një mori hutuese informacionesh të ndryshme për kombësi të ndryshme, që mund të krijonte kaos dhe trazira në pikat kufitare. Kthimi në një botë ku njerëzit mund të udhëtonin lirisht përtej kufijve, deri atëherë ishte i papërfytyrueshëm.

Në vitin 1920, ndërhyri Lidhja e Kombeve. Ajo krijoi një broshurë me 32 faqe, ku shkruhej emri i shtetit në kopertinë dhe informacione bazë personale, si vendi dhe data e lindjes e personit. Disa qeveri u ankuan për këtë procedurë dhe Franca e konsideronte broshurën tepër të shtrenjtë për t’u printuar, në krahasim me fletën e vetme që shtypte për qytetarët e saj. Për të arritur përshtatjen, u deshën disa vite.

Sot, të gjitha pasaportat ndjekin të njëjtin format. Qoftë në Aeroportin Heathrow të Britanisë, apo në Moshoeshoe International të Lesotos, mjafton që zyrtarët e aeroporteve t’i hedhin një sy pasaportës dhe janë të sigurt mbi privilegjet e udhëtimit të bartësit të saj.

Gjatë pandemisë Covid-19, është duke u zhvilluar një proces i ngjashëm. Shtetet kanë nxituar të krijojnë pasaporta vaksinash për të ndaluar përhapjen e virusit përtej kufirit dhe më pas nëpër vende publike si restorante dhe palestra. Shpesh njerëzit duhet të tregojnë një dëshmi se janë vaksinuar, kanë pasur rezultate negative të një testi Covid-19 së fundmi, ose janë shëruar nga Covid-19.

Këtë herë, qeveritë nuk janë të vetme. Teknologjia ka hapur dyert për kompanitë si IBM dhe Microsoft, shoqatat e industrisë si Shoqata Ndërkombëtare e Transportit Ajror dhe organizatat joqeveritare si Forumi Ekonomik Botëror. Tre studentë universitarë në Universitetin e Shkencave të Aplikuara në Austri, e kaluan gjithë verën duke u përpjekur të krijonin një pasaportë universale, që do të funksiononte në të gjithë Bashkimin Europian. Ata nuk kanë para për të bërë shumë reklamime, por aplikacioni i tyre GreenPass, është shkarkuar 100,000 herë.

Ashtu si gjatë luftës botërore, urgjenca e ka mposhtur koordinimin. India, e cila ka administruar mbi një miliard doza, ka një certifikatë “CoWIN” me një kod QR, që identifikon informacionin, por çuditërisht, kjo certifikatë nuk mbart një fotografi të personit në fjalë, por të kryeministrit të vendit, Narendra Modi.

Banorët në Angli mund të zgjedhin midis një kodi QR në aplikacionin ose në faqen online të Shërbimit Shëndetësor Kombëtar (NHS) ose një letre vërtetimi nga mjeku i tyre. Në Amerikë, ku presidenti Joe Biden ka thënë se nuk do të krijojë një bazë të dhënash kombëtare të vaksinimit, po përdoren një sërë lejesh të ndryshme shëndetësore, si shtetërore dhe private.

Problemi është se këto pasaporta nuk janë të ndërveprueshme. Shumica duken njësoj: një kod QR në një celular smartphone ose në një copë letre. Megjithatë, edhe skanimi i kodeve mund të jetë problematik. Aplikacione të ndryshme verifikuese lexojnë pasaporta të ndryshme.

Pasi skanohen, kodet ofrojnë informacione shumë të ndryshme, në varësi të sistemeve shëndetësore kombëtare ose lokale, apo qëndrimeve mbi privatësinë. Disa pasaporta vaksinash, si CommonPass që përdoret në disa pjesë të Amerikës, ndajnë të dhëna të papërpunuara mbi statusin e vaksinimit.

Të tjera, si ato të lëshuara nga NHS, tregojnë vetëm një simbol, një shenjë tik, ose një kryq. Edhe rregullat e lojës nuk janë fikse. Pas rritjes së infeksioneve këtë muaj, Izraeli e hoqi “pasaportën e gjelbër” për 2 milionë njerëz që nuk kishin marrë ende dozat përforcuese.

Pengesat

Barrat administrative, tregtare, madje edhe psikologjike, janë të dukshme në aeroporte. Numri i udhëtarëve ka rënë midis 85% dhe 90%, megjithatë pengesat janë rritur më tepër. Radhët në aeroporte janë zgjatur ndërsa udhëtarët e shqetësuar rrëmojnë nëpër xhepa dhe çanta për copa letrash dhe kode QR. Zyrtarët përpiqen të gjurmojnë vazhdimisht se cilat vaksina janë miratuar nga rregullatorët shtetërorë dhe për sa kohë janë të vlefshme rezultatet e testeve, për cilat destinacione. Siç thotë Corneel Koster, zyrtari operativ në linjën ajrore Virgin Atlantic: “Është si një xhungël”.

Është koha për standardizim. Megjithatë, krijimi i një leje dixhitale shëndetësore është më i ndërlikuar se hartimi i një dokumenti udhëtimi. Pasaportat mund të zbulojnë moshën, por lejet e vaksinave janë porta për informacione personale shëndetësore.

Kjo gjë i tremb njerëzit. Edhe midis vendeve me norma relativisht të larta vaksinimi, mbështetja për pasaportat e vaksinave ndryshon, nga 52% në Hungari, në 84% në Britani. Në Indi, njerëzit janë mësuar me marrjen e shenjave të gishtërinjve dhe skanimet e irisit, si pjesë e sistemit biometrik të identifikimit, Aadhaar. Megjithatë, shumë njerëz, si Debjani Mazumder, drejtues ekzekutiv në Delhi, shqetësohen për kompanitë farmaceutike dhe kompanitë e sigurimit që mbajnë të dhënat shëndetësore të qytetarëve.

Në teori, teknologjia dixhitale duhet ta bëjë të lehtë verifikimin e statusit të vaksinimit. Megjithatë, për shkak se aplikacionet verifikuese nuk mund t’i njohin të gjitha kodet QR, shumë verifikues ndjekin atë që Edgar Whitley në Shkollën Ekonomike të Londrës e quan një qasje “flash-and-go”, pra thjesht i shohin ato kalimthi. Kështu po lulëzon një treg i zi.

Oded Vanunu në Check Point Software Technologies, një kompani e sigurisë kibernetike, është paraqitur si blerës dhe ka marrë në tregun e zi certifikata të rreme vaksinimi franceze për 75 euro (87 dollarë), ato ruse për 9,500 rubla (134 dollarë) dhe alternativa nga Singapori për 250 euro. Këto pasaporta të rreme duken si të vërteta, por do të eliminoheshin nëse do të skanoheshin siç duhet.

Kur agjentët, punëdhënësit dhe stafi i linjës ajrore, skanojnë kodet QR, ata kontrollojnë për dy gjëra: konfirmimin se bartësi është vaksinuar ose testuar për Covid-19 dhe një nënshkrim dixhital që vërteton se informacioni vjen nga një lëshues i besuar.

Uniformiteti në kartat dixhitale të shëndetit do të kërkonte një marrëveshje të gjerë mbi faktin se çfarë informacioni shëndetësor duhet të përfshihet dhe si ai duhet të etiketohet. Kjo duhet të jetë diçka relativisht e lehtë. Në gusht, Organizata Botërore e Shëndetësisë (OBSH) publikoi udhëzime që rekomandojnë të dhënat minimale për një certifikatë. Emri dhe data e lindjes së bartësit plus marka e vaksinimit konsiderohen të nevojshme.

Por më i ndërlikuar është krijimi i një sistemi të unifikuar për kontrollimin e nënshkrimeve dixhitale të autoriteteve shëndetësore. Krijimi i një liste të të gjitha nënshkrimeve të besueshme është një detyrë e shtrenjtë dhe e ngarkuar politikisht. Shtetet me një shërbim shëndetësor kombëtar, si Britania, kanë vetëm një emetues. Por në Amerikë, ka rreth 300 të tillë, duke përfshirë qeveritë e shteteve, spitalet dhe farmacitë.

Pa pasur një mënyrë të besueshme për të verifikuar certifikatat përtej kufijve, edhe teknologjia më e avancuar do të lëkundet. George Connolly është shefi ekzekutiv i OneLedger, një firmë që projektoi OnePass, një pasaportë vaksine. Ai thotë se ka qasje në të dhëna nga vetëm rreth 20 juridiksione. Kështu, ai duhet t’u dërgojë email me radhë autoriteteve shëndetësore.

Siç thotë Albert Fox Cahn nga Projekti i Teknologjisë së Mbikëqyrjes: “Po shpenzohen kaq shumë para për ndërtimin e këtij gardhi të ri metalik rreth shoqërisë sonë, në një kohë kur porta prej druri funksiononte mjaft mirë.” Copa letre të firmosura nga mjekët, si “kartoni i verdhë”, kanë mjaftuar si regjistrime për dekada të tëra.

Këto janë më gjithëpërfshirëse globalisht, duke pasur parasysh se shumë njerëz në vendet e varfra nuk kanë celularë smartphone. Duke gjykuar nga çmimet në tregun e zi, pasaportat e vaksinimit prej letre nuk janë shumë më të lehta për t’u falsifikuar. Versionet e rreme të certifikatave të vaksinave në letër, të lëshuara nga Qendra Amerikane për Kontrollin dhe Parandalimin e Sëmundjeve, kushtojnë nga 150 dollarë në Telegram, më shumë se disa alternativa dixhitale.

Mbi vijën kufitare

Pengesa më e madhe për pasaportat e vaksinave nuk është teknologjia, por gjeopolitika. Duhet një organizatë e besueshme në shëndetësi, teknologji dhe diplomaci për t’i bërë vendet të bien dakord mbi standardet globale. Ky mund të duket një rol i mirë për OBSH-në.

Duke u përfshirë në rivalitetin midis Amerikës dhe Kinës, organizata është goditur nga të gjitha anët për mënyrën se si e ka përballuar pandeminë. Edhe pse ka publikuar dokumente të gjata që përshkruajnë se si duhet të duken pasaportat e vaksinave, OBSH-ja ka këmbëngulur se provat e vaksinimit nuk duhet të kërkohen për udhëtimet ndërkombëtare kur shpërndarja e vaksinave është anuar tek vendet e pasura.

Më e rëndësishmja, OBSH ka refuzuar të përfshihet në vërtetim dhe verifikim.

Mbajtja e një regjistri të nënshkruesve të besuar, do të kërkonte një staf të madh. Do të kërkonte gjithashtu zgjedhje të ngarkuara politikisht, si për shembull nëse do të njiheshin nënshkrimet nga Palestina apo Afganistani, dhe cilat vaksina janë mjaftueshëm të mira. OBSH do të duhej të ndërmerrte edhe një lloj veprimi kur një shtet do të thyente rregullat. Carmen Dolea, kreu i Sekretariatit të Rregulloreve Ndërkombëtare të Shëndetit, thotë se kjo detyrë shkon përtej mandatit të saj. “Këto janë çështje përgjegjësie,” shton ajo.

Megjithatë, në mënyrë të ngathët, bota duket se po shkon drejt disa standardeve dhe teknologjive të caktuara. Për shembull, standardet e Bashkimit Europian për certifikatat dixhitale të Covid-19, po përdoren gjithashtu nga Turqia dhe Zvicra. Ato të Indisë po përdoren edhe nga Sri Lanka dhe Filipinet.

OBSH thotë se hapi tjetër është që vendet të negociojnë marrëveshje dypalëshe ose rajonale. Negociatat e fundit midis Britanisë dhe Indisë ilustrojnë se sa e çrregullt mund të jetë një gjë e tillë. Britania kishte refuzuar të pranonte certifikatat e vaksinës CoWIN të Indisë, pjesërisht për shkak se ato nuk deklaronin datën e saktë të lindjes së bartësit.

Qeveria në Nju Delhi përfshiu vetëm vitin e lindjes, sepse shumë indianë të varfër nuk i dinë ditëlindjet e tyre të sakta. Një përshkallëzim i kufizimeve të udhëtimit i mbajti familjet larg dhe pezulloi udhëtimet e biznesit për javë të tëra, përpara se të arrihej një marrëveshje në fillim të këtij muaji. India shtoi datën e saktë, duke arsyetuar se shumica e njerëzve që mund të përballojnë udhëtimet ndërkombëtare, i dinë ditëlindjet e tyre.

Disa njerëz ende mendojnë se mund të rregullojnë problemet e qeverisjes së dobët me më shumë teknologji. Nandan Nilekani, bashkëthemelues i Infosys, një gjigant teknologjik dhe forca lëvizëse pas sistemit Aadhaar të Indisë, i ka varur shpresat tek “përshtatësit” që konvertojnë një lloj pasaporte në një tjetër. Krijimi i përshtatësve të duhur do të ishte si gjetja e një mënyre për t’i shpëtuar blerësit nga nevoja për të mbajtur njëkohësisht karta American Express, MasterCard dhe Visa, në rast se dyqanet kërkojnë lloje të ndryshme pagese.

Por teknologjia që ndërton ura midis kalimeve, nuk do të zgjidhte dot problemin që lëshuesit e pasaportave t’i besonin njëri-tjetrit, dhe nga ana tjetër, përdoruesit duhej t’u besonin përshtatësve që merren me të dhënat e tyre shëndetësore.

Ndoshta, në fund, bota do të arrijë të krijojë një pasaportë vaksine dixhitale që do të zëvendësojë kartonin e verdhë.

Por në një kohë kur Covid-19 po vret ende me mijëra njerëz në javë, mosmarrëveshjet mbi kodet QR dhe nënshkrimet dixhitale midis organizatave shumëpalëshe, grupeve të teknologjisë dhe shteteve, janë një shfaqje anësore, apo edhe një shpërqendrim. Pasaportat e vaksinave nuk do ta përmbajnë kurrë virusin. Vetëm vaksinat mund ta bëjnë këtë.

Më shumë se tre të katërtat e njerëzve në Danimarkë, Singapor dhe Katar janë plotësisht të vaksinuar, sipas Universitetit Johns Hopkins. Megjithatë, më pak se 1% e atyre në Etiopi dhe Ugandë janë vaksinuar. Një ditë, pasaportat e vaksinave mund të ndihmojnë në ruajtjen e paqes. Por tani bota duhet të përqendrohet për të fituar luftën./ Përktheu: Lira Muça, MONITOR

K.T./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    23 Dhjetor, 23:33

    Opozita proteston duke paralizuar 3 orë Tiranën, si e vlerësoni?



×

Lajmi i fundit

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje

Ngjarja më e pabesueshme dhe e jashtëzakonshme, në një Krishtlindje