/ATSH/ Filmi komik The Interview - Intervista, debutoi të enjten në kinematë amerikane, një javë pasi kompania Sony kishte vendosur ta anulonte hedhjen e tij në treg në Shtetet e Bashkuara për shkak të kërcënimeve me dhunë. Një nga aktorët kryesorë të filmit, Seth Rogen si dhe regjisori Evan Goldberg morën pjesë në debutimin e filmit në Los Angeles dhe falënderuan shikuesit për mbështetjen e tyre.

Filmin po e shfaqin tani qindra kinema të pavarura në të gjithë vendin. Kinokomedia ka në qendër të saj dy gazetarë të cilët janë të rekrutuar nga zbulimi amerikan për të vrarë udhëheqësin e Koresë së Veriut Kim Jong Un.

Koreja e Veriut e dënoi filmin, dhe kompania Sony e anuloi hedhjen në treg pas një sulmi masiv kibernetik në rrjetin e saj të korporatave dhe pas kërcënimeve me dhunë ndaj kinemave.

Presidenti amerikan Barak Obama dhe mbështetësit e lirisë së fjalës thanë se kompania "Sony Entertainment" bëri gabim që e anuloi shfaqjen e filmit në formën që ishte planifikuar fillimisht.