Shqipëria po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendjen e mediave ndërkombëtare si një destinacion turistik i përballueshëm dhe autentik në Europë.
Së fundmi, prestigjiozja britanike “The Telegraph” i ka kushtuar një artikull të gjatë vendit tonë, duke e përshkruar si një alternativë më të lirë për pushime, me bregdet të bukur, qytete historike dhe ushqim tradicional me çmime shumë të ulëta.
Në shkrim përmendet qyteti i Beratit, i njohur si “Qyteti i Një Mijë Dritareve”, ku një darkë me disa pjata tradicionale shqiptare kushton vetëm rreth 9 paund. Gazetarja e udhëtimeve Heidi Fuller-Love e përshkruan Shqipërinë si një vend ku mund të gjesh resorte bregdetare pa turma turistësh, hotele me çmime të mira dhe kuzhinë lokale shumë të shijshme.
Artikulli ndalet edhe te rritja e interesit për Shqipërinë në vitet e fundit. Në vitin 2024 vendin e vizituan rreth 11.7 milionë turistë të huaj, një rritje e madhe krahasuar me 6.2 milionë vizitorë në vitin 2019.
Në shkrim përmenden disa nga destinacionet më të vizituara në vend, si Tirana, Kruja, bregdeti i Adriatikut, lagunat pranë Patokut, si dhe qytetet historike Berat e Gjirokastër. Po ashtu përmenden edhe parqet arkeologjike si Butrinti dhe Apolonia, që sipas autores ofrojnë eksperienca unike për vizitorët.
Kryeministri Edi Rama e cilësoi këtë shkrim një tjetër vlerësim ndërkombëtar për turizmin shqiptar, duke theksuar se vendi po konsolidohet gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit ndërkombëtar.
“Një tjetër vlerësim i rëndësishëm ndërkombëtar për Shqipërinë. Prestigjiozia britanike "The Telegraph" e rendit vendin tonë ndër destinacionet më të përballueshme dhe më tërheqëse në Europë, duke vlerësuar jo vetëm bukuritë natyrore dhe qytetet historike, por edhe mikpritjen shqiptare dhe kostot konkurruese për vizitorët. Nga brigjet e Jonit e Adriatikut, te Alpet madhështore dhe trashëgimia jonë kulturore, Shqipëria po konsolidohet gjithnjë e më shumë në hartën e turizmit ndërkombëtar si një zgjedhje autentike, e bukur dhe e përballueshme”, tha Rama.
Artikujt në mediat e huaja kanë ndikuar dukshëm në rritjen e interesit për Shqipërinë, e cila vitet e fundit po përmendet gjithnjë e më shpesh si një nga destinacionet që duhet vizituar në Europë.
Artikulli i plotë i The Telegraph
Për vite me radhë dimrin e kaloja në Turqi. Tani kam gjetur një alternativë më të lirë
" Teksa drita e hënës shkëlqente mbi rrugicat me kalldrëm dhe shtëpitë osmane të Beratit, qytetit shqiptar të listuar nga UNESCO si “Qyteti i një mijë dritareve”, zura një tavolinë në Mbrica, një restorant tradicional pranë kalasë bizantine, dhe porosita disa pjata meze: fërgesë pikante me djathë, byrek me spinaq, petulla dhe tavë kosi me mish qengji. Çmimi i gjithë kësaj darke të bollshme? Rreth 9 paund.
Për vite me radhë, Turqia kishte qenë zgjedhja ime e parë për një arratisje të gjatë dimërore. Ku tjetër mund të kaloja disa javë me diell duke vizituar vende arkeologjike pothuajse të zbrazëta dhe resorte bregdetare pa turistë, ndërsa qëndroja në hotele me çmime të mira dhe shijoja ushqim fantastik vendas për pothuajse asgjë? Por me inflacionin që është rritur shumë, Turqia është bërë shumë më pak e përballueshme. Kështu që, pasi dëgjova gjëra të mira nga një mik, vendosa që këtë dimër të provoja Shqipërinë.
Shtëpi historike osmane rreshtohen në lagjet Gorica dhe Mangalem në Berat, ndërsa ura kalojnë mbi lumin Osum.
Për dekada me radhë, shumë pak njerëz e vizitonin këtë shtet ballkanik, i vendosur mes Maqedonisë së Veriut, Malit të Zi, Kosovës dhe Greqisë, dhe i njohur për regjimin paranojak 40-vjeçar të Enver Hoxhës. Ishte një nga vendet më të izoluara në botë, i krahasueshëm me Korenë e Veriut sot. Kam kujtime shumë të qarta kur lundroja përgjatë bregdetit gjatë natës në vitet ’80, duke përpjekur të dalloja ndonjë shenjë jete në errësirën totale.
Sot, megjithatë, bregdeti shqiptar po tërheq gjithnjë e më shumë vëmendje, si nga turistët e paketave turistike (11.7 milionë të huaj vizituan vendin në vitin 2024, nga 6.2 milionë në vitin 2019), ashtu edhe nga njerëz të pasur dhe të famshëm. Jared Kushner, për shembull, planifikon të investojë 1.4 miliardë dollarë për ta kthyer ishullin e Sazanit, dikur bazë ushtarake, në një resort me pesë yje. Madje po flitet edhe për mbingarkesë turistike gjatë verës. Por jashtë sezonit, unë e gjeta vendin pothuajse vetëm për vete.
Për t’u njohur më mirë me vendin, rezervova një tur me një kompani lokale, Albanian Trip. Shoferi dhe guida ime, Eridjon Haxhia, më mori në aeroportin modern të Tiranës – një shenjë e bumit të turizmit në vend – dhe shumë shpejt kuptova se trafiku i kryeqytetit nuk është shumë ndryshe nga ai i Stambollit.
“Kemi rreth 2.7 milionë banorë dhe rreth një milion jetojnë në kryeqytet”, shpjegoi Haxhia ndërsa lëviznim ngadalë mes makinave.
Të nesërmen në mëngjes, ndërsa shëtisja nëpër Tiranë, mes ndërtesave komuniste me tulla të kuqe, muzeve të bunkerëve, dyqaneve moderne dhe kullave të reja që bien në sy, dukej qartë se vendi është i etur të lërë pas të kaluarën e tij të zymtë.
“Ne jemi të uritur për ndryshim”, tha Haxhia teksa u nisëm në një rrugë çuditërisht të mirë drejt qytetit të Krujës.
Pasi ecëm mbi kalldrëmet e pabarabarta të pazarit më të vjetër në vend, ku shiten antike nga koha e komunizmit dhe punime artizanale, u ndalëm të shihnim statujën rreth tre metra të lartë të George W. Bush në sheshin kryesor të qytetit.
“Në vitin 2007 ai ishte presidenti i parë amerikan që vizitoi vendin tonë dhe erdhi pikërisht në këtë qytet të vogël”, tha Haxhia duke qeshur. “Mund ta imagjinoni çfarë duhet të ketë menduar?”
Natën e dytë e kalova në “Mrizi i Zanave”, një restorant dhe bujtinë agroturistike e krijuar në vitin 2010 nga vëllezërit Altin dhe Anton Prenga. Anton më tregoi ndërtesat e fermës ku proshutat varen në trarë druri, djathi piqet në fuçi të mëdha druri dhe bodrumet – që dikur ishin bunkerë lufte – përdoren për verën e fermës.
“Në fillim njerëzit mendonin se ishim të çmendur, por tani kemi një biznes që po ecën shumë mirë”, tha ai. “Gjithçka e prodhojmë vetë ose e blejmë nga komuniteti lokal. Madje rrisim edhe orizin tonë.”
Më vonë, ndërsa shijoja një menu të plotë me shumë pjata – që kushtonte rreth 20 paund për person – ai shtoi: “Është punë e vështirë, por çdo ditë zgjohem i lumtur. Në komunizëm, e vetmja gjë që të lejohej të kishe ishte fryma.”
Haxhia më tha më vonë se kjo lloj “kapitalizmi etik” është mjaft e përhapur në Shqipëri.
“Mendoj se është një trashëgimi nga koha e komunizmit”, tha ai. “Shumë hotele qëndrojnë hapur edhe në dimër që stafi të ketë një pagë të rregullt dhe njerëzit shpesh bëjnë punë vullnetare për komunitetin.”
Ndalesa tjetër ishte Tale, në veri të portit të Durrësit. Kënetat përreth janë të mbushura me bunkerë të periudhës së Luftës së Ftohtë, të shpërndarë si breshka nëpër peizazh. Sipas vlerësimeve, në vend mund të ketë nga 175 mijë deri në 750 mijë bunkerë, të ndërtuar nga të ashtuquajtur “vullnetarë”.
“Nëna ime më ka treguar se njerëzit dilnin vullnetarë për të mos u dyshuar si kundër regjimit”, tha Haxhia, i cili ishte vetëm dy vjeç kur komunizmi u rrëzua në vitin 1991.
Me plazhet e gjata me rërë të bardhë, fushat e sheshta dhe kanalet e ngushta ku vendasit peshkojnë me rrjeta katrore të lidhura në shtylla druri, bregdeti pranë Tales më kujtoi Atlantikun francez. Edhe në fillim të shkurtit moti ishte mjaftueshëm i ngrohtë për të veshur bluzë dhe pantallona të shkurtra.
Në Lagunën e Patokut, një lagunë e rrethuar nga restorante mbi shtylla, shijoja një pjatë të madhe me fruta deti të pjekura në skarë – kallamarë, oktapod të butë dhe karkaleca të mëdhenj rozë – të kapur vetëm disa orë më parë. Edhe kjo ishte shumë e lirë, më pak se 10 paund.
Më pas u ktheva në Berat dhe vazhdova rrugën drejt Gjirokastrës, qytetit të lindjes së shkrimtarit Ismail Kadare, përpara se të kaloja disa ditë duke vizituar sitet arkeologjike pothuajse të zbrazëta të Butrintit dhe Apolonisë.
“Do të kthehesh përsëri dimrin tjetër?” më pyeti Haxhia kur më la në aeroport.
Unë pohova me kokë pa hezitim. Si një alternativë dimërore më ekonomike se Turqia, Shqipëria kishte tejkaluar çdo pritshmëri "
Komente












