/ATSH/.- Ministri i Administratës Publike të Kosovës, Mahir Yagcilar, priti në takim sot homologen e tij shqiptare, Milena Harito me të cilën ranë dakord që të rrisin edhe më shumë bashkëpunimin Kosovë-Shqipëri lidhur me procesin e reformave të administratës publike.
Ministri Yagcilar tha se "ramë dakord që edhe në të ardhmen të vazhdojmë këtë bashkëpunim, sidomos në proceset e reformave të administratës publike, hartimin e strategjive sa i përket zhvillimit të administratës publike, por edhe në fushat e tjera të rëndësishme si informacioni dhe teknologjia informative".
Ai tha se në këtë aspekt ka shumë mundësi që në të ardhmen të zhvillojmë një bashkëpunim, të shikojmë dhe vlerësojmë analizat sa i përket ofrimit të shërbimeve publike nga ana e institucioneve qeveritare dhe pushtetit lokal.
Ministrja Harito shprehu gatishmërinë e shtetit shqiptar për të rritur edhe më tej bashkëpunimin me Kosovën.
"Shpresoj që bashkëpunimin tonë të deritanishëm ta vazhdojmë e ta çojmë edhe një shkallë më tej. Në çështjet e administratës publike kemi një fokus të veçantë sepse të dy vendet tona janë të angazhuara në rrugëtimin drejt Bashkimit Europian. Kjo është një rrugë e qartë për ne, është një rrugë e pakthyeshme, njëkohësisht është një rrugë që e ka mundimin e vet sepse të dy vendet tona duhet të plotësojnë kushtet e caktuara për të qenë një ditë anëtare me të drejta të plota të Bashkimit Europian. Në këtë rrugëtim administratat publike janë esenciale, kjo është arsyeja përse si në Shqipëri ashtu edhe në Kosovë një nga kërkesat që kemi në këtë rrugëtim është përforcimi i administratave tona publike", theskoi Harito.
Harito tha se "në Shqipëri tashmë kemi aprovuar strategjinë e zhvillimit të administratës publike për periudhën 2015-2020 dhe që këtu do të shikojmë pikat se ku do të mund të bashkëpunojmë me Kosovën".
Gjithashtu, ajo tha se brenda dy vitesh do të kenë gati 300 shërbime publike online dhe se në këtë kuptim mund të gjejnë pika bashkëpunimi me Kosovën, pra ato të mund të shfrytëzohen edhe jashtë kufijve të Shqipërisë./KosovaPress/