Pas më shumë se 3 dekadash, një prej thesareve më të çmuara të arkeologjisë shqiptare, Parku Arkeologjik i Bylisit në Mallakastër po transformohet.

Në park vijojnë me ritme të shpejta punimet për ndërtimin e Qendrës Multifunksionale.

Me një vlerë totale prej 6.25 milionë eurosh, financim i Bashkimit Evropian dhe Agjencisë Italiane për Bashkëpunim dhe Zhvillim, projekti parashikon ndërtimin e një qendre muzeale, dy parkingje dhe restaurim të monumenteve.

“Këto ambiente do të shërbejnë për kërkime shkencore, studimin dhe analizimin e gjetjeve arkeologjike, si dhe identifikimin e monumenteve dhe përcaktimin e periudhave historike të cilave u përkasin. Qendra do të përfshijë gjithashtu bibliotekë, sallë konferencash, ambiente për zejtarët dhe artizanët, hapësira ekspozimi dhe shitjeje të suvenireve, kafeteri, zyra administrative dhe shërbime të tjera për vizitorët”, thotë përgjegjësi i parkut, Ardit Shehu.

Paralelisht me ndërtimin e Qendrës Multifunksionale dhe parkingjeve, ndërhyrjet vijojnë në Qendrën e Konservimit pranë Bazilikës D. Aktualisht po punohet për konservimin e mozaikëve, konsolidimin e teserave dhe mbrojtjen e mureve të bazilikës.

“Ndërhyrje restauruese janë parashikuar edhe në monumente të tjera të rëndësishme të parkut, veçanërisht në zonën e Agorasë, ku do të punohet në Sternën e Madhe, Prytaneonin dhe Teatrin”, shprehet Shehu.

Afati i punimeve është 72 javë, ç’ka pritet të përfundojnë deri në fund të vitit 2027.

Bylisi numëron 8 mije vizitorë në 9 muajt e parë të vitit, dhe pas përfundimit te investimit, synimi është që të arrijë në 40 mijë.