THETH- Në një kohë që një pjesë e qyteteve të Shqipërisë "po vuan" nga përmbytjet, në Theth dëbora ka bllokuar rrugët dhe ka izoluar dhjetëra banorë. Në një video të mbërritur në redaksinë e Shqiptarja.com, një nga banorët thotë se kjo situatë vijon prej 15 ditësh dhe pavarësisht apelit që i është bërë organeve kompetente nuk është marrë asnjë masë.

Ai shprehet se situata është shumë e keqe, me orteqe që vijojnë të bien, teksa shton se të gjendur përballë kësaj heshtjeje nga Bashkia e Shkodrës dhe Emergjencave Civile, do të njoftojnë të gjithë ambasadat.

" Kemi 15 ditë që jemi të bllokuar, nuk merr masë as Voltana Ademi dhe as Emergjencat Civile. Kur flasin për zonat e përmbytura të Shqipërisë, edhe pse zonat malore janë të bllokuara. Me Ramën asnjëherë nuk folën për aksin rrugor të Thethit, ato thonë që në thonë se akset janë të hapura, por kjo nuk është e vërtetë. Nuk e di pse nuk marrin masa për këtë zonë. Ne jemi në këtë zonë dhe nuk kemi rrugë, siç po e shikoni vetë dhe shikoni ku orteqet po bien te pjesa e Ezercës. Situata është shumë e keqe. Asnjëherë nuk janë marrë masa, është hapur rruga në muajin maj, kur i është tek bashkisë, gjynah që të mos e respektojnë këtë zonë. Kemi ngelur duke bërtitur përditë duke thirr Bashkinë dhe Emergjencat civile, do u bëjmë thirrje dhe ambasadave, njohim drejtorët e ambasadave që të na ndihmojnë se ndryshe nuk po merr masa", thotë banori.

Reshjet e dëborës kanë bllokuar akset rrugore, për pasojë banorët apelojnë për ndihmë nga shteti. Siç shihet në fotot që gazetari i Report Tv, Ergys Kavaja sjell, trashësia e borës ka arritur deri në 30 cm. Banorët thonë se ky është një moment shumë i mirë për të bërë turizëm malor, por rrugët ua bëjnë të pamundur ardhjen e turistëve.