Një 17 vjeçar është vënë në pranga pasi u kap me 42 doza me lëndë narkotike cannabis sativa, 9000 euro dhe një sasi lekësh të dyshuara të përfituara nga kjo veprimtari kriminale.
Punonjësit e Policisë e kanë konstatuar në rrugën “Ndre Mjeda”, 17 vjeçarin me iniciale M. B., i cili sapo ka parë shërbimet e Policisë është larguar me vrap, por gjatë ndjekjes është vënë në pranga nga Policia.

Pas kontrollit, në brezoren që mbante me vete, shërbimet e Policisë i kanë gjetur 42 doza me lëndë të dyshuar cannabis sativa, si dhe shumat 9000 euro dhe 7200 lekë, të cilat u sekuestruan në cilësinë e provës materiale, së bashku me 1 aparat celular.
Nga verifikimi i kryer rezultoi se ky shtetas ishte me masë sigurie “Arrest në shtëpi”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike” dhe ishte larguar nga vendi i qëndrimit.
Materialet procedurale do t’i kalojnë Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprime të mëtejshme hetimore, për veprat penale “Prodhimi dhe shitja e lëndëve narkotike”, “Pastrimi i produkteve të veprës penale ose veprimtarisë kriminale“ dhe ”Largimi i të burgosurit nga vendi i qëndrimit”.

