Krijuesi i hitit global Squid Game, Hwang Dong-hyuk, ka rrëfyer një anë të padukshme të eksperiencës së tij pas suksesit të papritur të serialit, duke zbuluar se humbi tetë ose nëntë dhëmbë gjatë xhirimeve të sezonit të parë, për shkak të stresit ekstrem.
Në një intervistë për BBC Hwang tregoi se kishte kaluar një periudhë të vështirë.
“Po, mund të thoni që i humba disa dhëmbë, por ishin tetë ose nëntë, jo gjashtë,” tha ai me një buzëqeshje, duke shpjeguar se ngarkesa e madhe emocionale dhe stresi ishin të padurueshme gjatë periudhës së xhirimeve.
Më tej Hwang thotë se fillimisht, as që e kishte pasur ndërmend vazhdimin e serialit me një sezon të dytë, e madje nisur nga stresi i madh qe betuar edhe të mos i kthehej më një ideje të tillë. Por i pyetur se çfarë e bëri të ndryshonte mendje, ai u shpreh “Paratë”.
“Edhe pse sezoni i parë ishte një sukses kaq i madh global, sinqerisht nuk bëra shumë”, rrëfen Hëang.
“Kështu që xhirimet e pjesës së dytë them se do të më ndihmojnë ta kompensoj siç duhet suksesin e të parës. Pastaj, në fund të fundit unë dhe nuk e kisha përfunduar plotësisht historinë”, shtoi ai.
Sezoni i parë i serialit rezultoi shfaqja më e suksesshme e Netflix deri më sot, duke vendosur në dritën e prozhektorëve Korenë e Jugut dhe dramat e saj televizive, që po rrëmbejnë vëmendje në mbarë botën.
Por, pasi vrau pothuajse çdo personazh, Hëang-ut iu desh ta niste nga e para, me një tjetër kast aktorësh dhe grup tërësisht ri lojërash, e këtë herë pritshmëritë e audiencës janë shumë të larta.