Darmend Keli i cili vrau me thikë Amarildo Hoxhallarin, se i ngacmoi të fejuarën nuk e ngriti asnjëherë kokën përsa kohë qëndroi në seancën, ku dhe u la në burg. Keli, i cili mbuloi fytyrën me duar, u shfaq i penduar për vrasjen, edhe pse nuk shpjegon saktë, pse kishte thikën me vete.

“Nuk doja ta vrisja, jam i penduar, as nuk e thërrita për të kryer një veprim të tillë, e pyeta se çfarë bënte, pasi ngacmoi gruan time. Më foli në gjuhë banale, dhe më qëlloi më grusht. E sulmova i tronditur, disa herë në krah dhe u largova në shtëpi”, u shpreh ai.

Ajo që mësohet nga hetimet, del se Hoxhallari, edhe pse u godit 4 herë, së bashku me shokun e tij që drejtonte motorin, Ardi Marishta, mundën të iknin nga vendi i ngjarjes vetëm 500 metra. Amarildo Hoxhallari ra nga mjeti i gjakosur, ku më pas u  dërgua në spital

Keli 25-vjeçar që vrau në zonën e populluar të Astirit,  Hoxhallarin nga Yzberishti, një ish i arrestuar si i dyshuar për porositjen e atentatit ndaj Pajtim Serjanit, mik i Emiljano Shullazit, paraqiti pak a shumë të njëjtën gjë edhe në polici.

“Pashë nga ballkoni i banesës 2 persona me motor që po ngacmonin me fjalë të fejuarën. Pas kësaj i thirra për të ndaluar por më ofenduan dhe kur zbrita u konfliktuam fizikisht”, theksoi i riu.

34-vjeçari Amarildo Hoxhallari u godit me një thikë në gjoks dhe në këmbë, por rreth 1 orë pas ngjarjes ndërroi jetë për shkak të plagëve të rënda. Autori u arrestua vetëm pak minuta më vonë, brenda në shtëpinë e tij, ku askush nuk dinte gjë.

Ngjarja për pasion, që ka për shkak partnerët është e dyta e ndodhur në Tiranë brenda pak ditëve. Polici Erjon Goxhara plagosi me armën e shërbimit në zonën e ‘Komunës së Parisit’ kolegun e bashkëshortes së tij, pasi dyshonte për lidhje intime mes tyre.