Ndalesa e radhës në turneun “Thirrëm sot ose nesër” të Yll Limanit është Tirana. Mbrëmjen e së premtes, artisti nga Kosova çeli natën e parë të dy koncerteve të njëpasnjëshme në kryeqytet duke bërë bashkë me dhjetëra mijëra të rinj në Pistën e Atletikës te Parku i Madh i Liqenit.

Në një postim të ndarë në rrjetet sociale edhe nga ministri i Kulturës, Blendi Gonxhja, interesimi ka qenë i lartë, me plot 30 mijë bileta të shitura.

“Pas interesimit të jashtëzakonshëm dhe shitjes së rreth 30 mijë biletave për të dy koncertet, ky event shënon një nga ngjarjet muzikore më të mëdha të vitit në Tiranë! Muzika, rinia dhe atmosfera unike e verës po e bëjnë Tiranën një destinacion gjithnjë e më të rëndësishëm për eventet e mëdha kulturore dhe artistike”, shkruan Gonxhja.

Ndërsa për vetë artistin, Tirana ka shënuar një moment të paharrueshëm për karrierën e tij.

“Tirana, s’kam për ta harruar kurrë këtë natë”, shprehet ai krah një videoje të postuar në profilin zyrtar.

Nën tingujt e “A t’kujtohet dashnia”, “Qaj”, “Najher”, “Larg” e deri te këngët e reja të albumit prej të cilit ka marrë emrin edhe turneu, Yll Limani bashkoi të rinjtë e një kryeqyteti në një zë të vetëm.