Thirrja e Berishës: Shqiptarë
ikni nga vendi, rrezikoni burgun 

Thirrja e Berishës: Shqiptarë<br />ikni nga vendi, rrezikoni burgun 
TIRANE- Nga tempulli i demokracisë, ish-kryeministri Sali Berisha i ka bërë thirrje shqiptarëve që të largohen nga vendi. Deputeti demokrat tha nga foltorja e Kuvendit se nisma e qeverisë  për të ndryshuar Kodin  Penal ne kuadër informalitetit është staliniste.

Ky është “mekanizëm të fuqishëm të spastrimit etnik të Shqipërisë”. Berisha tha se një ligj i tillë nuk ka eksituar as në diktaturë. “Biznesmenët thonë se me ligjin e burgut do ikim, pasi rrimë e shohim njëri tjetrin se cili do të shkojë në burg. Ju bëj thirrje të ikin, në qoftë se ju bëni ligje te tilla. Ikni shpëtoni se e kanë shndërruar Shqipërinë në kompani të Koços, Carapulit e Papulit”, tha Berisha.

Ish lideri demokrat pati një apel edhe për vendet e Evropës, të cilat i ftoi të vijnë në Shqipëri e të verifikojnë situatën e vështire ekonomike që e ka përfshirë. 

Ora 17:30 Braçe: Berisha do i marrë në qafë biznesmenët
Erion Braçe i ka kthyer përgjigje ish-kryeministrit Sali Berisha për thirrjen drejtuar biznesmenëve për t’u larguar nga Shqipëria pas forcimit të ndëshkimeve për kuponin tatimor.

“Edhe për ata që shkel ligjin burgu është gjëja e fundit dhe që nuk e vendosim ne. Nuk jemi para viteve 90 kur të dënonte partia. Për një shkelje fiskale së pari ke kontroll, së dyti kë gjobë, pastaj ke kallëzim penal dhe pastaj është gjykata që vlerëson dënim me gjobë apo burg. Nuk bëhet biznes në Gjermani me kulturën e Berishës. Do i marrin ë qafë po i çoi bizneset. Gënjen që këtu ka barrë fiskale më të rëndë se në Gjermani. Vetëm 21 vende kanë normë më të ulët të tatimit mbi fitimin. Ku do t’i çojë shqiptarët ky njeri? Në Bermuda? Që të paguajnë tatim fitimi më të ulët se në Shqipëri dhe atje të bëjnë biznes pa faturë, pa kupon pa kasë. Nuk mund të ndodhë kjo gjë, prandaj i gënjen. Sa herë flet për sipërmarrjen ai njeri është i pabesueshëm. Ai çuni që ka vënë në krye të PD nuk i ka bërë dhe pastaj thotë na kopjuar, po ca kopjuam 8 vjet në pushtet nuk i bëtë”, tha Braçe.

Ora 14.00 Braçe-Berishës: Në Gjermani, 5 vjet burg për evazion, por t'i ke 20 vite që s'lexon
Pas deklaratave të ish-kryeministrit Sali Berisha gjatë seancës parlamentare të sotme, i cili tha se ndryshimet që kërkohen të bëhen në Kodin Penal, në lidhje me informalitetin janë ndryshime staliniste dhe mekanizëm për spastrimin etnik të shqiptarëve, ka reaguar deputeti socialist Erion Braçe.

Braçe iu kundër përgjigj Berishës me këto fjalë: “Në ka njeri që nuk e do këtë vend dhe shqiptarët e ndershëm, ai je ti”.

Sipas kreut të Komisionit të Ekonomisë, "dënimi me burg për biznesin gjendet i vendosur nga ju në ligjin aktual", duke iu referuar rastit të Nikollaq Neranxit.

“Nuk mund ta mohoni. Unë di të flas me fakte. Në 2009 ishit ju kryeministër.. Nikollaq Neranxi është tregtar i zoti. Por zotëria juaj e ka proceduar penalisht për kontrabandë dhe evasion. Këtu në parlament ju keni votuar për t’i hequr imunitetin. Prokuroria ngriti akuzën dhe e nxori të pafajshëm. Por ju e kallëzuat. Ju tentuat ta dënonit me burg sepse legjislacioni juaj në fuqi është i tillë. Bëhet fjalë për disa nene. Në ligjin tuaj është neni 171, “kontrabanda me mallra të ndaluar”, e dënoni deri në 10 vjet burg. Shembullin ja u dhashë. Ja po u citoj dhe nenet në fuqi.  Neni 172, “kontrabanda me mallra që paguhet akcizë, e dënoni me 7 vjet. Kontrabanda me mallra të licensuar, burg deri në 5 vjet. Kontrabanda me vlera kulturore, burg deri në 10 vjet. Tegtimi i mallrave që dihen se janë kontrabandë dënohen deri në 3 vjet e shumë nene të tjera. Për çfarë terrori fleët këtu,” tha Braçe.

Ndërsa thirrjes së Berishës për largimin e shqiptarëve. Brace iu përgjigj, duke i thënë se edhe në Gjermani, dënohesh për kuponin tatimor.

“Si mund t’u bësh thirrje bizneseve që të ikin nga Shqipëria? Ku të shkojnë? Gjermania, ja kodi fiskal gjerman… Neni 170, dënim deri në 5 vjet burg për çdo person që deklaron tek autoritetet të dhëna të pasakta në lidhje me tatimet. Nuk përdor pulla të tatimeve ose kasa fiskale. Në Gjermani, ku po i thua t’i shkoni, të dënojnë deri në 5 vite burg. Mendon se vetëm t'i je perëndia në këtë vend dhe i di të gjitha, por e harxhon kohën me thashetheme dhe ke 20 vjet që s’lexon asgjë,” shtoi Braçe, teksa iu referua edhe disa vendeve të tjera, që aplikojnë dënimin me burg për evasion fiskal, si Kroacia, Spanja, apo Serbia.

erion brace

Ora 13:30 Ndryshimet për informalitetin, Berisha: Ligj Stalinist, mekanizëm për ikjen e shqiptarëve
Ish-kryeministri Sali Berisha e ka konsideruar ligjin për kuptonin tatimor, pjesë e ndryshimeve ligjore të Kodit Penal, si një ligj një mekanizëm që do të çojë në largime masive të shqiptarëve. “Ju ftoj të hidhni poshtë këtë ligj të turpshëm, stalinist, represiv, mekanizëm të fuqishëm të spastrimit etnik të Shqipërisë", - tha Berisha.

Ndërkohë, Berisha iu ka bërë thirrje vendeve të Evropës, aty ku mijëra shqiptarë kanë kërkuar azil ekonomik, që të vijnë në Shqipëri dhe të shohin situatën aktuale me të cilën po përballen qytetarët.

“Miqve perëndimor iu bëj thirrje urdhëroni në Shqipëri të shihni çfarë po ndodh dhe përse këta njerëz po ikin, të shihni se këtu ka gjueti shtrigash ndaj biznesmenëve, qeveri zuzare, organizatë ndërkombëtare që nuk zbaton as vendimet e arbitrazhit ndërkombëtarë. Nëse nuk doni që dhe shqiptari i fundit të vijë tek ju, urdhëroni në Shqipëri” ka thënë Berisha.

Veç kësaj, Berisha iu ka bërë thirrje shqiptarëve që të ikin nga Shqipëria, pasi me këtë qeveri nuk kanë për tu emancipuar ekonomikisht, duke qenë se as diktaturat nuk e bëjnë një gjë të tillë. “Biznesmenët thonë se me ligjin e burgut do ikim, pasi rrimë e shohim njëri tjetrin se cili do të shkojë në burg. Ju bëj thirrje të ikin, nëqoftëse ju bëni ligje te tilla. Ikni shpëtoni se e kanë shndërruar Shqipërinë në kompani të Koços, Carapulit e Papulit” ka thënë Berisha.

Ai nuk ka lënë pa përmendur edhe dekorimin që i është bërë hetuesit të At Zef Pllumit, duke deklaruar se në listën e të dekoruarve mund të jetë edhe zonja e zezë, Ledi Makbeth i shqiptarëve.

“Duhet ta dini se në listën e të dekoruarve është zonja e zezë, Ledi Makbeth i shqiptarëve, që kur iu debilos i shoqi mori vendimet më të zeza për shqiptarët. E keqja më e madhe ndodh kur tjetri të denoncon për besimin tek Zoti, Pse të rrimë në Parlament, pse të besojnë shqiptarët në vlera që si kanë më, pas dekorimit të xhelatëve, më të egër të diktaturës” - ka shtuar Berisha.

Ai akuzoi Kryeministrin, Edi Rama që ka rikthyer në Shqipëri genocidin. “Kemi punuar 2 vite, për dekriminalizimin, por Rama ktheu krimin në formën e tij më të shëmtuar. Ky kryetar mazhorance ktheu në Shqipëri formën më të egër, çnjerëzore të krimit duke dekoruar personat që kanë kryer genocide. Shqipëria ishte e para që miratoi ligjin e krimeve kundër njerëzimit dhe genocidit, ai ligj është djep kushtetues nga Gjykata Kushtetuese. Ai ligj nuk ndryshohet e as anulohet”.

Berisha denoncoi edhe ndërhyrjet e Shqipërisë në çështjet e brendshme të Kosovës.

“Denoncoj dhe dënoj ndërhyrjen e Tiranës në problemet e Kosovës. Njerëz të padenjë janë manipuluar duke bërë sulme e insinuata ndaj autoriteteve të Kosovës. Të ndërpriten këto ndërhyrje, ne jemi të detyruar e destinuar që të bashkëpunojmë pa asnjë dallim partiak. Mesazhet e njëanshme janë të dënueshme, autoritet e Kosovës asnjeri prej tyre nuk do situatën e krijuar në vend, ato kanë firmosur marrëveshje të ndërmjetësuar nga BE dhe SHBA”, - shtoi ai.

sali berisha

Ora 13:20 Majko: Qeveria po godet kontrabanden, jo qytetaret
Mbi ndërhyrjet në Kodin Penal foli edhe deputeti Pandeli Majko i cili tha se qeveria po godet kontrabandistët dhe jo biznesin e vogël.
 
"Por ama ka një kontradiktë shumë të rëndësishme që ju bërtisni, mbani konferenca shtypi nga mëngjesi deri në darkë duke thënë që mazhoranca po bën kontrabandë, kontrabandë, kontrabandë ama kur vihet këtu sot për të dënuar më ashpër dhe kriminalizuar kontrabandën thoni që jo, nuk po goditët kontrabanda por po goditet qytetari, po goditet biznesi e kështu me radhë. Tani o kështu o ashtu, në mes nuk ka. O është shtatzënë o nuk është shtatzënë, pak shtatzënë nuk ka. Edhe në kohën tuaj edhe në kohën tonë kontrabanda ka bërë namin. Kontrabandën nuk e ka bërë ai i vogli e ka bërë ai i madhi dhe ne në këto nene që po ndryshojmë sot po ndryshojmë nenet që godasin godasim atë të madhin jo të voglin", - u shpreh Majko.

pandeli majko

Ora 13:00 Deshtimi ne Dogana e Tatime, Xhafa: Ndeshkoni drejtuesit 
Kryetari i komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa nga foltorja e Kuvendit kërkon ndëshkimin e drejtusve te administratës tatimore e doganore. Xhafa argumentoi se dështimi i këtyre institucioneve në mbledhjen e taksave, nuk mund të rregullohet vetëm me ndryshimet në Kodin Penal.
 
"Fakti që sot administrata tatimore dhe doganore nuk është efektive në mbledhjen e taksave, tatimeve dhe detyrimeve doganore, nuk do të thotë asesi që ato të bëhen efektive duke ndryshuar masivisht apo qoftë edhe një dispozitë të vetme të Kodit Penal. Situata është krijuar sot në këtë sistem dhe nevoja për ndryshimin e saj mund t ë ketë të nevojshme edhe ndryshime në Kodin Penal përfshirë dhe rritjen e masës së ndëshkimit penal, dhe me këtë bie shumë dakord. Por para së gjithash, në vlerësimin tim gjithmonë, ajo ka të domosdoshme ndëshkimin e abuzimit dhe paaftësinë e punonjësve këtij sistemi që ka qenë dhe mbetet bashkëfajtore në shkelje të dispozitave ligjore.  Të ndryshosh Kodin Penal dhe të ndëshkojmë edhe më fortë shkelësit e ligjit penal, por të ndëshkojmë po aq ashpër edhe ata që menaxhojnë këtë sistem dhe që në rastin më të mirë me paaftësinë e tyre kanë lejuar një situatë të tillë abuzive.  Sa herë që një ligj shkelet shoqëria është fajtore dhe jo shkelësi i ligjit. Shkelësi i parë i ligjit dhe më i rrezikshmi për shoqërinë është ai që ka për detyrë kontrollin e zbatimit të ligjit", - u shpreh kreu i Komisionit të Ligjeve Fatmir Xhafa.


 
Duke u ndalur te Kodi Penal Xhafa tha se ndërhyrjet masive në të duhet të jenë të mirëmenduara pasi nga viti 1995 e deri më tani ndryshimet vetëm se kanë krijuar amulli në Kod.
 
"Ndryshimet sot në kodin penal janë të tilla që sjellin ndryshime të rëndësishme në rreth 25 nene të kodit penal. Personalisht mendoj se ndërhyrje të tilla kaq masive dhe për më tepër kaq shpesh në një korpus normash të së drejtës penale sikurse është kodi penal duhet të jenë shumë më të kujdesshme dhe të mbështetura mbi një analizë më efektive, mbi shkaqet që diktojnë nevojën për të rregulluar pasojën si dhe pjesë e një procesi të gjerë konsultimi e një debati shoqëror dhe profesional. Nga viti 1995 e deri sot Kodi penal shqiptar është përballur me një numër të madh ndryshimesh dhe shtesash. Ndërhyrjet e shumta që i janë bërë dhe i po bëhen Kodit Penal, vlerësohen se kanë prekur mbi 70 % të dispozitave të këtij kodi, gjë që ka shkaktuar cenim të strukturës së tij dhe të balancës së dënueshmërisë së veprave penale të parashikuara prej tij duke shtuar paragrafë mbi nënparagrafë të cilat kanë shkaktuar amulli dhe ndërprerje të vijës logjike midis shumë neneve të këtij kodi. Kjo dukuri nuk është pozitive dhe ka nevojë për reflektim. Duhet të bëjmë kujdes të madh që mos të bëjmë ligje të panevojshme që në fakt do na çojnë në dobësimin e ligjeve të nevojshme", tha Xhafa.


Ora 12:55 Të premten seancë maratonë për buxhetin
Konferenca e Kryetarëve vendosi të mos pranojë kërkesën e demokratëve për të shtyrë të hënën seancën ku do të diskutohet projektbuxheti për vitin 2016. Kështu, të premten do të mbahet seanca plenare maratonë e cila pritet që zgjasë deri në orët e para të mëngjesit të së shtunës, për diskutimin e projektbuxhetit. Seanca pritet të zgjasë më shumë se 20 orë. Më herët gjatë zhvillimit të seancës plenare, dy krerët e grupeve parlamentare të PS dhe PD, Gramoz Ruçi dhe Edi Paloka u panë të diskutojnë me njëri-tjetrin në sallë, e mesa duket në fokus ka qenë gjetja e një gjuhe të përbashkët për seancën e buxhetit.

ruci paloka

Ora 11:20
Paloka: Te hiqet nga rendi pr.ligji per lojerat e fatit

Kreu i grupit parlamentar të Partisë Demokratike Edi Paloka i kërkoi kryetarit të Kuvendit të heqë nga rendi i ditës projektligjin për lojërat e fatit, duke argumentuar se drafti ka kaluar në komisionet përkatëse vetëm gjatë ditës së djeshme. Por kreu i grupit parlamentar të PS-së Gramoz Ruçi tha se projektligji ka kaluar me vonesë për shkak se e hëna dhe e marta ishin ditë pushimi si pasojë e festave të 28-19 nëntorit.  

"Është bërë zakon tani që fillojnë seanca dhe trajtohen probleme që nuk i përkasin rregullores dhe procedurës së parlamentit. Po synohet të shpërdorohet seanca. Nuk ka të drejtë kryetari i parlamentit që një nismë të një deputeti apo e Këshillit të Ministrave ta kthejë. Nëse nuk do kishte qenë e hëna dhe e marta pushim do kishte ardhur brenda afatit siç e parashikon rregullorja", - tha Ruçi.  
 
Paloka ka pasur edhe ankesë tjetër ndaj kësaj seance, sa i përket mungesës së kryeministrit Edi Rama, i cili këtë të enjte ndodhet në një vizitë zyrtare në Paris me ftesë të kryeministrit Valls. Edhe në këtë rast përgjigjja i erdhi nga Gramoz Ruçi i cili këshilloi se nëse demokratët do të duan debat me kryeministrin, mund të kërkojnë interpelancë me të apo mocion për debat. "Kryeministri është në krye të detyrës në shërbim të vendit", -tha Ruçi.

  • Sondazhi i ditës:

    A po jep rezultate lufta e SPAK ndaj grupeve kriminale?



×

Lajmi i fundit

Foshnja 5 muajshe në krahët e gjyshes vdes pasi u kafshua nga pitbulli i familjes

Foshnja 5 muajshe në krahët e gjyshes vdes pasi u kafshua nga pitbulli i familjes