Zona ukrainase të pushtuara nga Rusia, Moska organizon sot referendume! Thirrja e Zelensky-it për rusët: Protestoni kundër mobilizimit për luftë

Zona ukrainase të pushtuara nga Rusia, Moska organizon sot referendume! Thirrja e Zelensky-it për rusët: Protestoni kundër mobilizimit për luftë

Presidenti rus Vladimir Putin dhe presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky

Sot në rajonet e Ukrainës, të pushtuara nga forcat ruse votohet një referendum për aneksimin e këtyre territoreve në Federatën Ruse. Kështu raportojnë mediat ruse, sipas të cilave referendumet do të zhvillohen në rajonet Donetsk, Luhansk, Kherson dhe Zaporizhzhia. Sipas autoriteteve lokale pro-ruse, pyetja e referendumit bëhet në rusisht dhe ukrainisht dhe ka të bëjë drejtpërdrejt me aderimin e territoreve përkatëse në Federatën Ruse.

Së fundmi, trupat ruse bombarduan qytetin e çliruar ukrainas të Kupiansk në rajonin e Kharkiv, duke plagosur një grua të moshuar dhe dy fëmijë.

Presidenti ukrainas Volodymyr Zelensky u bëri thirrje rusëve të protestojnë kundër mobilizimit të pjesshëm ushtarak të shpallur nga Moska.

“Për burrat në Rusi, është një zgjedhje: të vdesin ose të jetojnë, të gjymtoheni ose të ruani shëndetin. Për gratë në Rusi, zgjedhja është të humbasin përgjithmonë burrat, fëmijët, nipërit e mbesat, ose në çdo rast të përpiqen t'i mbrojnë nga vdekja, nga lufta. 55 mijë ushtarë rusë vdiqën në këtë luftë në gjashtë muaj. Dhjetëra mijëra të plagosur, të gjymtuar. A dëshiron më shumë? Jo? Pra protestoni, luftoni, ikni! Ose dorëzohu në robërinë ukrainase. Këto janë opsionet për mbijetesë, tha lideri ukrainas. 

Mediat amerikane, duke përmëndur 2 burime të inteligjencës perëndimore thonë se presidenti rus Vladimir Putin u jep urdhër të drejtpërdrejtë gjeneralëve të përfshirë në luftën në Ukrainë, raporton CNN.

Burime të tjera pranë shërbimeve sekrete amerikane thanë për "dallime të rëndësishme" se ku të përqendrohen përpjekjet ruse. Së fundi, një zyrtar i lartë i NATO-s theksoi se autoritetet ruse po përpiqen të gjejnë një kokë turku për gabimet e bëra në terren.

 "Zyrtarët e Kremlinit dhe ekspertët e medias shtetërore po diskutojnë me zjarr arsyet e dështimit në Kharkiv dhe, si zakonisht, Kremlini duket se po përpiqet të heqë përgjegjësinë nga Putini dhe ushtria ruse.", raporton CNN.

Për ish-presidenti ukrainas Petro Poroshenko, roli i presidentit turk RexhepTayip Erdogan ësht tepëri rëndësishëm në negocimin e paqes me Rusinë.

“Gjithçka ndryshoi. Por ka një gjë të përbashkët, roli i Erdoganit. Ishte ai që arriti një marrëveshje për tatarët e Krimesë. Dhe edhe atëherë, pati një negociatë të parë të drejtpërdrejtë midis Putinit dhe Erdogan. Tani skenari është përsëritur në samitin në Samarkand”, tha Poroshenko për “Corriere della Sera”.

Rendit zhvillimet sipas orarit:
Ora 22:33
SHBA: Marrim sanksione të tejra kundër Rusisë nëse anekson territore të reja në Ukrainë

“Shtetet e Bashkuara dhe aleatët tanë janë të gatshëm për sanksione të reja dhe kosto të reja kundër Rusisë nëse ajo vazhdon me aneksimin e territoreve të Ukrainës”. Këtë e tha në një konferencë shtypi zëdhënësja e Shtëpisë së Bardhë, Karine Jean-Pierre. “Lufta në Ukrainë është një luftë e padrejtë dhe e paprovokuar që filloi nga Kremlini”, theksoi ajo.

Ora 22:27
Stoltenberg: Pasoja të rënda nëse Moska përdor armë bërthamore

Sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Jens Stoltenberg, në një intervistë për CNN, tha se do të ketë "pasoja serioze" nëse Rusia përdor armë bërthamore në Ukrainë.

"Ata e dinë se do të ketë pasoja të rënda. Unë nuk do të elaboroj saktësisht se si do të reagojmë, kjo varet nga lloji i armëve të shkatërrimit në masë që ata mund të përdorin," tha ai. “Fakti është se gjasat për ndonjë përdorim të armëve bërthamore janë ende të ulëta, por pasojat e mundshme janë kaq të mëdha, kështu që ne duhet t'i marrim ato seriozisht,” vazhdoi ai. “Dhe retorika dhe kërcënimet që paraqet presidenti Putin rrisin tensionet”.

Ora 22:09
Varri masiv në Izjum të Ukrainës, shefi ushtarak: Viktimat ishin lidhur, u kishin thyer kockat dhe ishin djegur

Ka përfunduar zhvarrosja e trupave në një prej varreve masive të zbuluara në Izjumit, zonë të cilën e ka rimarrë në kontroll Ukraina. Shefi ushtarak i rajonit ukrainas të Harkivit, Oleh Synyehubov, tha se u zhvarrosën 436 trupa.

“Disa trupa kishin litar përreth qafës, duar të lidhura, gjymtyrë të thyera dhe kishin edhe shenja të djegies. Disa burrave u ishin prerë organet gjenitale. Të gjitha këto janë tregues të torturës që pushtuesi ka kryer ndaj banorëve të Izjumit. Shumica e trupave ishin të civilëve, 21 të personelit ushtarak”, shkroi Synyehubov në rrjetin social Telegram.

Ai po ashtu tha se të paktën tre varreza të tjera masive janë zbuluar në Izjum, dhe të tjera në rajonin e Hersonit, duke shtuar se operacionet për këtë çështje ende po vazhdojnë.

Ora 20:06
Pas thirrjes së Putin-it për mobilizim ushtarak, Finlanda kufizon kalimet kufitare nga Rusia

1663956502_098500000aff02425bd508da9d47191ew1597nr1sts.jpg

Finlanda tha se do të “kufizojë ndjeshëm” hyrjen e shtetasve rusë në këtë vend, pasi presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli mobilizim të pjesshëm ushtarak për luftën në Ukrainë.

Qeveria finlandeze tha përmes një deklarate më 23 shtator se ka vendosur që të kufizojë numrin e shtetasve rusë që do të lejohen të hyjnë në shtet.

Ky vendim u tha se ishte i nevojshëm, pasi fluksi i rusëve “ka shkaktuar dëme serioze në pozicionin ndërkombëtar të Finlandës”.

Në deklaratën e Qeverisë finlandeze nuk u dhanë detaje për masat e mundshme që do të merren për kufizimin e kalimeve kufitare apo se kur do të hyjë në fuqi ky vendim.

Reuters ka cituar një roje kufitare të Finlandës të ketë thënë se numri i rusëve që po tentojnë të hyjnë në këtë shtet duket se është dyfishuar më 23 shtator, krahasuar me një ditë më parë kur në Finlandë hynë 7.000 persona nga Rusia. Finlanda është një prej pikave të pakta kyçe për rusët që të hyjnë në Evropë, pasi shumë shtete kanë mbyllur kufijtë tokësorë dhe ajrorë me Rusisë, për shkak të pushtimit të paprovokuar rus të Ukrainës.

Ora 19:50
Patriarku Kirill i drejtohet ushtarëve rusë: Mos kini frikë, është lavdi të vdesësh për atdheun

1663955406_kirill.JPG

Kreu i Kishës Ortodokse Ruse, Patriarku Kirill, u bëri thirrje qytetarëve rusë të mërkurën që të mos kenë frikë nga vdekja, pas thirrjes së Presidentit Vladimir Putin për mobilizim ushtarak për luftën në Ukrainë.

"Shkoni me guxim për të përmbushur detyrën tuaj ushtarake. Dhe mbani mend se nëse jepni jetën për vendin tuaj, do të jeni me Zotin në mbretërinë e tij, lavdinë dhe jetën e përjetshme", tha ai në një predikim në Manastirin Zachatyevsky, në Moskë.

Kirill, i cili ka justifikuar vendimin e Putinit për të pushtuar Ukrainën në shkurt mbi baza shpirtërore dhe ideologjike, i bëri këto komente menjëherë pasi zyrtarët rusë thanë se deri në 300,000 rezervistë do të thirreshin për të luftuar. Kirill deklaroi gjatë predikimit të tij se një person që ka "besim të vërtetë" nuk i nënshtrohet frikës së vdekjes.

Sipas tij, njeriu bëhet i “pamposhtur” kur tek ai ka një “dimension të fortë që lidhet me përjetësinë”, ku ai pushon së pasuri frikë nga vdekja.

“Besimi e bën njeriun shumë të fortë, sepse e transferon vetëdijen e tij nga përditshmëria dhe shqetësimet materiale, tek kujdesi për shpirtin, në përjetësi. Përkatësisht, frika nga vdekja e dëbon luftëtarin nga fusha e betejës, i shtyn të dobëtit në tradhti dhe madje të rebelohen kundër vëllezërve të tyre. Por besimi i vërtetë e shkatërron frikën nga vdekja”, u shpreh ai.

Udhëheqësi i Kishës Ortodokse Ruse ka ngritur më parë idenë se ukrainasit dhe rusët janë një popull. Ai u bëri thirrje rusëve gjatë predikimit të tij që të mos i konsiderojnë ukrainasit si armiq.

Ora 19:31
Krime lufte në Ukrainë, Komisioni Hetimor nga OKB zbulon provat

1663954281_ukraine1aper2209151663273375107hpMain16x9992.jpg

Një ekip ekspertësh i ngarkuar nga organi më i lartë i OKB-së për të drejtat e njeriut për të shqyrtuar shkeljet në Ukrainë tha të premten se hetimi i tij fillestar zbuloi prova të krimeve të luftës në vend, pas sulmit rus gati shtatë muaj më parë.

Ekspertët nga Komisioni Hetimor për Ukrainën, me mandat nga Këshilli i të Drejtave të Njeriut, janë përqendruar deri më tani në katër rajone – Kiev, Chernihiv, Kharkiv dhe Sumy.

Duke paraqitur gjetjet e tyre, ata cituan dëshmi të ish-të burgosurve për rrahje, goditje elektrike dhe zhveshje të detyruar në ambientet ruse të paraburgimit dhe shprehën shqetësime të mëdha rreth ekzekutimeve, që ekipi po punonte për të dokumentuar në katër rajone.

"Bazuar në provat e mbledhura nga komisioni, është arritur në përfundimin se në Ukrainë janë kryer krime lufte," i tha Këshillit të të Drejtave të Njeriut, Erik Mose, kryetari i komisionit.

Anëtari i Komisionit Pablo de Greiff u tha gazetarëve se ekipi kishte “gjetur dy raste të keqtrajtimit të ushtarëve të Federatës Ruse nga ushtarët ukrainas. Ne kemi gjetur një numër shumë më të madh të incidenteve që përbëjnë krime lufte nga ana e Federatës Ruse.”

Gjatë një udhëtimi 10-ditor në qershor në Ukrainë, ekipi vizitoi Buçan, një qytet pranë Kievit ku autoritetet ukrainase gjetën varre masive dhe trupa të shpërndara në rrugë pasi forcat ruse u tërhoqën në fund të marsit.

“Ne u tronditë nga numri i madh i ekzekutimeve në zonat që vizituam. Komisioni aktualisht po heton vdekje të tilla në 16 qytete dhe vendbanime", tha Mose. Ai nuk specifikoi se kush, apo cila palë në luftë dyshohet se i ka kryer vrasjet.

Gjetjet i bëjnë jehonë raportimeve të medias dhe të tjera burimeve për shkatërrimet, vdekjet dhe shkatërrimet në Ukrainë, që kur presidenti rus Vladimir Putin urdhëroi sulmin më 24 shkurt.

Puna e komisionit mund të kontribuojë në punën e prokurorëve të Gjykatës Penale Ndërkombëtare, të cilët mund të ngrenë akuza për krime luftës në Ukrainë, megjithëse mbetet e pasigurt nëse Rusia, ose autorët e tjerë të dyshuar do të përballen ndonjëherë me drejtësinë.

Anton Korynevych, ambasadori i përgjithshëm i Ministrisë së Jashtme të Ukrainës, iu bashkua të dërguarve nga një numër vendesh perëndimore që folën kundër luftës së Moskës në vazhdën e prezantimit të gjetjeve komisionit. Delegacioni rus e bojkotoi mbledhjen e këshillit.

Hetuesit e komisionit vizituan 27 qytete dhe vendbanime, si dhe varre dhe qendra ndalimi dhe torturash; intervistuan më shumë se 150 viktima dhe dëshmitarë; dhe u takuan me grupe mbështetësish dhe zyrtarë qeveritarë, tha Mose.

Ai tha se një numër i paspecifikuar ushtarësh rusë u zbulua se kishin kryer krime të dhunës seksuale, ose të dhunës me bazë gjinore – me viktima të moshave nga 4 deri në 82 vjeç.

Komisioni planifikon të zgjerojë gradualisht hetimin e tij, në fushat me interes, duke përfshirë akuzat për kampe ku merren në pyetje personat e ndaluar, transferimin e detyruar të njerëzve dhe pretendimet për birësim të përshpejtuar të fëmijëve.

“Dëshmitë e mizorive të Rusisë bëhen më të tmerrshme nga dita në ditë, më së fundmi me zbulimin e varreve masive në Izium, ku trupat tregojnë shenja torture,” tha Michele Taylor, ambasadorja e SHBA në këshillin e të drejtave, duke iu referuar Kharkivot. qytet rajonal që forcat ukrainase e rimorën javët e fundit.

Ambasadorja Taylor u kërkoi komisionerëve që të vazhdojnë të “shqyrtojnë provat në rritje të ngritjes së kampeve të internimit nga ana e Rusisë, dëbimeve të detyruara dhe zhdukjeve”.

Ajo iu referua "burimeve të shumta" që treguan se autoritetet ruse kanë marrë në pyetje, arrestuar dhe/ose dëbuar me forcë mes 900,000 dhe 1.6 milionë qytetarëve ukrainas, dhe raportuan se fëmijët po dëboheshin nga Ukraina dhe po vendoseshin në jetimoret ruse për birësim.

Një pjesë e vogël e aleatëve të Rusisë dolën në mbrojtje të Moskës. Në Gjenevë, Ina Vasileuskaya, zëvendës përfaqësuesja e përhershme e Bjellorusisë në OKB, tha se qëllimi i sulmit të Rusisë ishte të mbronte banorët rusishtfolës në Ukrainë.

“Diskutimet e njëanshme në Këshillin e të Drejtave të Njeriut që akuzojnë vetëm Rusinë janë rrugë pa krye”, tha ajo.

Vasileuskaya tha se vendi i saj nuk ishte palë në konflikt, megjithëse Bjellorusia ishte një nga vendet ku forcat ruse u mblodhën përpara se të sulmonin Ukrainën./VOA

Ora 17:24
Rusia liron disa profesione nga impenjimi për mobilizim! Cilët ‘shpëtojnë’?

1663947219_rust.JPG

Ushtarë rusë

Persona të disa profesioneve specifike nuk do të rekrutohen në Rusi, pasi Kremlini shpalli mobilizimin e pjesshëm ushtarak për luftën në Ukrainë. Këtë e deklaroi sot Ministria ruse e Mbrojtjes.

Këta janë punëtorët e IT-së, ata që punojnë në banka dhe gazetarët e mediave shtetërore. Si rezultat, ata do t’i shpëtojnë mobilizimit të pjesshëm që presidenti rus, Vladimir Putin, shpalli më 21 shtator.

Rreth 300.000 qytetarë është thënë se do të thirren për të luftuar në Ukrainë. Njoftimi për mobilizimin ka shtyrë shumë të rinj që të përpiqen të largohen nga shteti.

Gjatë njoftimit se kush do të lirohet nga thirrja për luftë, Ministria ruse e Mbrojtjes tha më 23 shtator se punonjësit do të duhet të dorëzojnë listat e punëtorëve që plotësojnë kushtet për shmangien e mobilizimit. Njoftimi për mobilizim po ashtu nxiti protesta më 21 shtator, teksa autoritetet arrestuan 1.300 protestues në Moskë, Shën Petersburg dhe në dhjetëra qytete të tjera.

Ora 15:08
Armët bërthamore të Moskës, Rusia: Nuk kërcënojmë askënd! Konfrontimi i drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe NATO-n nuk është në interesin tonë

Rusia nëpërmjet zëvendësministrit të Jashtëm rus Sergei Ryabkov tha se një konfrontimi i drejtpërdrejtë me SHBA-në dhe NATO-n nuk është në interesin e Kremlinit.

"Një konfrontim i hapur me Shtetet e Bashkuara dhe NATO-n nuk është në interesin tonë. Shpresojmë që administrata Biden të jetë gjithashtu e vetëdijshme për rrezikun e një përshkallëzimi të pakontrolluar të konfliktit në Ukrainë", tha Zëvendësministri i Jashtëm rus Sergei Ryabkov. 

“Shtetet e Bashkuara  në parim nuk janë në gjendje të negociojnë dhe, së bashku me Londrën dhe disa kryeqytete të tjera të NATO-s, po e shtyjnë drejtpërdrejt Kievin që të transferojë operacionet ushtarake në territorin tonë, me synimin për të luftuar deri në ukrainasin e fundit", shtoi zëvendësministri rus. 

“Rusia nuk kërcënon askënd me armë bërthamore, kriteret për përdorimin e tyre përshkruhen në doktrinën ushtarake dhe specifikohen në themelet e politikës shtetërore të Federatës Ruse për parandalimin bërthamor", përfundoi Ryabkov.

 

Ora 13:03
Lukashenko: Nuk do të ketë mobilizim ushtarak në Bjellorusi

Presidenti bjellorus Alexander Lukashenko deklaroi se në Bjellurosi nuk do të ketë një mobilizim të rezervistëve të tij.

"Nuk do të ketë mobilizim në Bjellorusi. Ky mobilizim është në Rusi. Fakti është se Perëndimi po përpiqet të kuptojë se çfarë po bëjmë ne. Nuk do të ketë mobilizim. Është një gënjeshtër," tha agjencia bjelloruse e lajmeve Belta, e marrë nga Tass .

 

Ora 12:18
Ukraina: Rusët, të armatosur, i detyrojnë njerëzit të votojnë në referendum

“Rusët detyrojnë me grupe të armatosura banorët e rajoneve të pushtuara të Ukrainës të votojnë në referendumin për aneksimin në Rusi”, kështu deklaroi kryetari i bashkisë së Luhanskut i larguar Sergey Haidai.

“Sipas informacioneve që kemi, pushtuesit po krijojnë grupe të armatosura që trokasin në dyert e shtëpive për të detyruar njerëzit të marrin pjesë në të ashtuquajturin referendum”, tha Haidai në një postim në Telegram, duke pretenduar se disa njerëz “do të pushohen automatikisht nga punëdhënësi i tyre nëse nuk votojnë.

Ora 08:25
Arratisje masive nga Rusia! Mobilizimi i pjesshëm ushtarak ka nisur! Qytetarët në frikë, fillojnë largimet! Radhë të gjata në pikat kufitare

Radhë të gjata makinash në kufirin Rsui-Finlandën, 21 shtator

Pasi Vladimir Putin urdhëroi pushtimin e Ukrainës në shkurt, Nadezhda i kërkoi djalit të saj të largohej nga vendi, nga frika se do të rekrutohej në ushtrinë ruse. Ai e shpërfilli këshillën e saj. Tani, disa ditë pasi presidenti rus njoftoi një mobilizim "të pjesshëm" për të shtuar deri në 300,000 burra në ushtri, ai po kërkon me dëshpërim një rrugëdalje përtej kufirit për të shmangur luftën kundër kushëririt të tij, i cili shërben në forcat e armatosura të Ukrainës.

“Kjo është një luftë e vëllait kundër vëllait. Djali im supozohet të shkojë në luftë kundër nipit tim,” tha Nadezhda, 64 vjeç, emrin e plotë të së cilës Financial Times ka zgjedhur të mos e zbulojë.

“Duket se ata do t'i marrin të gjithë. Të gjithë do të rrëmbehen nga rruga.”

Vendimi i Putinit për të forcuar ushtrinë ruse me rezervat e saj e ka sjellë luftën afër shtëpisë për njerëz të tillë si djali i Nadezhdës, i cili kishte arritur të vazhdonte kryesisht të jetonte si më parë për gjashtë muajt e parë të luftës.

Mijëra burra që po ikin nga Rusia po mbushin kufijtë e vendit në një përpjekje për t'i shpëtuar thirrjes ushtarake për luftën në Ukrainë. Kjo vjen pasi mobilizimi i pjesshëm i Rusisë filloi në disa rajone të vendit, veçanërisht në Kaukaz dhe Lindjen e Largët Ruse.

Radhë të gjata automjetesh u panë në radhë në pikat kufitare në Kazakistan, Gjeorgji dhe Mongoli. Imazhet që qarkullojnë në mediat sociale tregojnë automjete të rreshtuara në pikën e kontrollit Zemo Larsi/Verkhny Lars në kufirin Gjeorgji-Rusi gjatë natës së së mërkurës, sipas CNN.

Radha vazhdoi të rritet të enjten, me raportet që pretendonin se arrinte mbi pesë deri në gjashtë kilometra e gjatë. Rusët nuk kanë nevojë për vizë për të hyrë në Gjeorgji. 

Përveç Gjeorgjisë, edhe kalimi kufitar në Mongoli dhe Kazakistan dëshmoi kaos teksa makinat u rreshtuan. Sipas autoriteteve Kazhak, ata nuk mund të kufizonin hyrjen e qytetarëve rusë në vend. 

Shumë po ikin edhe në Finlandën fqinje. Kryeministrja Sanna Marin ka thënë se vendi i saj do të ndërmarrë hapa për t'i dhënë fund turizmit dhe tranzitit rus përmes Finlandës.

 "Nëse situata e sigurisë në pikat kufitare vlerësohet se është përkeqësuar, zgjidhje të reja janë të mundshme për të kufizuar vizat, për shembull kufizimi i kalimeve kufitare nga Rusia në Finlandë," tha media perëndimore Marin.

Fluturimet jashtë Rusisë drejt destinacioneve pa viza gjithashtu dëshmuan një nxitim të madh dy ditët e fundit. Çmimet e biletave për në Stamboll dhe Beograd arritën kulmin menjëherë pas shpalljes së thirrjes ushtarake. 

Megjithatë, Kremlini i ka hedhur poshtë këto raporte, duke i quajtur ato "të ekzagjeruara".

S.C/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    26 Dhjetor, 08:05

    Si ka qenë për ju viti 2024?



×

Lajmi i fundit

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë

Austri/ Orteku vret 2 skiatorë në alpet e Tirolit, kërkime dhe për një të tretë