Çdo ditë dëgjojmë histori të ndryshme, qoftë të gëzueshme qoftë të dhimbshme.

Por historitë njerëzore bëhen më të bukura nëse gjejnë mbështetjen e duhur sepse kushdo ka nevojë për përkrahje sidomos kur bëhet fjalë për një fëmijë.

Një nismë shumë solidarizuese ka ndërmarrë Bashkia Devolla e cila përmes rrjetit të saj në facebook kërkon që një familje të marrë përsipër kujdestarinë e një vajze të mitur të braktisur nga të gjithë.

Madje bashkia njofton se familja e cila do të marrë kujdestarinë e vajzës  do të ketë përfitime nga shteti.

Njoftimi Bashkisë Devoll
 
Bashkia e Devollit ka një kërkesë specifike për banorët e saj, duke kërkuar të gjejë një familje kujdestare për një vajzë të mitur që e kanë braktisur të gjithë.

“Familja që do të marre përsipër kujdestarinë e vajzës, duke ju referuar VKM nr. 89, datë 26.01.2012, do të ketë përfitime nga shteti. Le të shprehim interesin tonë si banorë për të ndihmuar këtë vajzë”- njofton bashkia.
 
Banorë të Devollit!

Në respektim të ligjit Nr. 18/2017 “Për të drejtat dhe mbrojtjen e fëmijëve”, kemi nevojën e bashkëpunimit me ju për të gjetur një familje kujdestare për vajzën e mitur me iniciale H.A e cila është e braktisur nga familjarët dhe të afërmit e saj. Familja që do të marre përsipër kujdestarinë e vajzës, duke ju referuar VKM nr. 89, datë 26.01.2012, do të ketë përfitime nga shteti. Le të shprehim interesin tonë si banorë për të ndihmuar këtë vajzë. Ju lutemi kontaktoni pranë Sektorit të Mirqënies dhe Kujdesit Social në Bashkinë Devoll.
Ju faleminderit!

Urojmë që me të vërtetë ajo familje të ekzistojë.

Redaksia Online
e.m/Shqiptarja.com