Në një intervistë për Report TV, ish-deputeti dhe ish-ministri i Drejtësisë, Enkelejd Alibeaj, e cilësoi mesazhin e fundit të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara për forcimin e institucioneve që luftojnë krimin e organizuar dhe trafikun e narkotikëve, si deklaratën më të fortë që nga ardhja e Donald Trump në detyrë.
“Mund ta quash si një sinjal nga më të fortët e bërë përgjatë këtij viti që Trump është në detyrë”, u shpreh Alibeaj, duke shtuar se gjithçka që është thënë për Shqipërinë pas ardhjes së Trump ka qenë spekulim.
"Këtu e një vit më parë, lajmet në Shqipëri ishin që SPAK dhe BKH nuk janë prioritet, fondet janë prerë.. dhe sicc ndodh në këtë pellgun ballkanik, ata që kanë probleme me drejtësinë, vrapuan për ti dhënë një jehonë të madhe" tha Alibeaj duke nënvizuar se mbështetja ndërkombëtare për drejtësinë nuk është lëkundur asnjëherë.
“Për sy të stërvitur, mbështetja e SHBA-ve dhe BE-së për SPAK dhe reformën në drejtësi nuk është rrudhur asnjëherë. BKH, SPAK, GJKKO janë produkt i tyre i realizuar në 2016. Ishte mandati i parë i Trump kur reforma mori hov të madh dhe u pasua edhe në mandatin e Biden. Një produkt i mbështetur me sforco politike të 140 deputetëve që nuk e dhanë me vullnetin e tyre, por me një shtysë edhe brutale të amerikanëve dhe europianëve për të miratuar reformën”, deklaroi ai.
Sipas Alibeajt, gjatë gjithë kësaj kohe ndërkombëtarët kanë analizuar funksionimin e demokracisë në Shqipëri duke arritur në një konkluzion të rëndësishëm.
“Mesa duket kanë arritur në konkluzion se mjeti demokratik dhe kontrolli i qeverisë nga parlamenti nuk kanë funksionuar. Demokracia si regjim është në pikën më të ulët. Palët politike janë në një aleancë të heshtur për të mos lejuar që shqiptarët ta shprehin vullnetin lirshëm dhe të ndëshkojnë palët. Dy palët e vjetra politike janë bashkë dhe kanë dashur ta asfiksojnë komponentin demokratik”, tha ai.
Për pasojë, amerikanët, sipas Alibeaj, kanë gjetur një mjet tjetër për të goditur klasën politike, qeverisjen dhe fenomenet e korrupsionit dhe krimit të organizuar.
"Drejtësia është armë e fortë, brutale, nuk është mjet ortodoks, por siç duket është mjeti më efikas”, u shpreh ai.
Sipas tij, edhe deklaratat e fundit për mbështetjen e fortë të SPAK dhe BKH kanë këtë qëllim.
“Deklaratat e sotme drejtohen kundër krimit të organizuar dhe korrupsionit, por mbi të gjitha i drejtohen atyre palëve politike që kanë dështuar në goditjen e krimit dhe korrupsionit, qeveria kryesisht, por edhe segmente të opozitës që kanë bashkëpunuar me të”, tha Alibeaj.
I pyetur nëse kjo rrëzon tezën e opozitës se SPAK është i kapur nga kryeministri, ai u përgjigj:
“Opozita, PD, ka nxjerrë teza nga më të ndryshmet, një herë që është i kapur nga Rama, një herë që është organizatë kriminale. Në fakt, askush nuk ka qenë i kapur politikisht nga Rama apo enturazhi i tij. E bukura është që vetë Rama ka lënë të kuptohet që segmente të caktuara të drejtësisë, që kanë goditur njerëzit e tij, mund të kenë ndonjë lidhje me PD-në. Mendoni sa qesharakë janë të dy”.
Ai shtoi se faktet flasin qartë për pavarësinë e strukturave të drejtësisë.
“Sot, pas kaq shumë kohësh, kur kemi fakte dhe të dhëna që veprimtaria e SPAK, BKH dhe GJKKO është e strukturuar, nuk është politikisht e orientuar, nuk është diskriminuese, selektive dhe ka arritur deri në majat më të larta të pushtetit duke mos amnistuar askënd, është e qartë që SPAK nuk është në kontrollin politik të askujt dhe ka mbështetje të fortë të ndërkombëtarëve”, deklaroi Alibeaj.
Duke komentuar kërkesat e Sali Berishës për dorëheqjen e kryeministrit dhe thirrjet për protesta, Alibeaj u shpreh:
“Një parti që pretendon se është opozitë mund të kërkojë dorëheqje nga e hëna në të premte. Artikulimet e Sali Berishës kanë një problem të vogël. Sot ai mori shkas nga një çështje penale e rëndë, hakërimi i sistemit kompjuterik të SPAK. Pra arriti të marrë të dhëna nga një dosje hetimore e SPAK dhe del e kërkon dorëheqjen e Ramës. Nëse sot ka kaq shumë skandale të mëdha dhe çështje të mëdha penale, këto janë produkt dhe kontribut ekskluziv i SPAK, BKH dhe gjykatës. Nuk e kuptoj çfarë lidhje ka një palë politike me veprimtarinë e drejtësisë. Ajo është lavdi vetëm e drejtësisë. Berisha sillet si Rama: e refuzon, e kundërshton, e shan, e godet dhe e anatemon. Synimi i Ramës dhe Berishës është të ulin dhe godasin besueshmërinë e sistemit të drejtësisë tek publiku, janë në të njëjtën tranche politike me Ramën, ndaj është alogjike kërkesa për dorëheqje”, u shpreh ai.
Në fund, Alibeaj tha se rotacioni politik nuk vjen përmes dorëheqjeve të kërkuara nga politika.
“Rama rrëzohet vetëm kur mund të arrijë ndonjë subjekt politik apo lëvizje publike të dalë në mbështetje të plotë të SPAK dhe të mbushen sheshet nga shqiptarët. Arena politike është e kapur nga ky duopol. Forcimi i SPAK dhe BKH nuk është gjë tjetër veçse shenja e fortë për të goditur këtë kastë politike. Kjo do të ndodhë”, përfundoi Alibeaj.
Komente












