Thirrjet për dhunë, Policia çon 
Lulzim Bashën në Prokurori

Policia e Tiranës i ka referuar materialet proceduriale Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë në ngarkim të kryetarit të PD, Lulzim Basha, për thirrje publike për veprime të dhunshme

Kryetari i PD ndodhet në kushtet e veprës penale, pasi neni 223 i Kodit Penal sqaron se thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim në tre vite.

Në komunikatën për shtyp të policisë thuhet se "në datë 24 shkurt 2017, rreth orës 12:00, në Bulevardin "Dëshmorët e Kombit", në çadrën e ngritur, z.Basha, në fjalën e transmetuar drejtpërdrejt në media, ka bërë thirrje nxitëse ndaj qytetarëve të reagojnë dhunshëm ndaj institucioneve shtetërore".
 
"Doni luftë, luftë do të ketë. Shpojuani gomat e makinës, thyejuani xhamat...... ora t'i marrim zvarrë në këtë shesh...", citohet Basha.
 
Materialet proceduriale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë Tiranë, për veprën penale "Thirrje publike për veprime të dhunshme", parashikuar nga neni 223 i Kodit Penal, i cili parashikon "Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet".

Kryetari i Partisë Demokratike, Lulzim Basha, bëri thirrje për luftë një ditë më parë nga çadra e protestuesve të PD-së përpara Kryeministrisë. 

Në fjalim e sipër, Basha ashpërsoi retorikën duke kërkuar që protestusit të përdorin "grushte, shpim gomazh, thyerje dritaresh, tërheqje zvarrë", ndaj çdo padrejtësie që iu bëhet, duke mos njohur kështu institucionet ligjore. 

Thirrjet për dhunë, çfarë rrezikon kryetari i PD?
Kryetari i PD Lulzim Basha, po tenton të ndjekë linjën e paraadhësit të tij, Sali Berishës teksa bën thirrje për dhunë.  Por deklaratat për dhunë të kreut të Partisë Demokratike Lulzim Basha ndalohen me ligj nga Kodi Penal e Kushtetuta e Shqipërisë.  
 
Në seancën parlamentare të 21 prillit 2016 ish-kryeministri SaIi Berisha bëri thirrje për armatosjen e popullit, sipas tij për t’u mbrojtur nga mafia e lidhur me shtetin
 
Neni 223 i Kodit Penal sqaron se thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim në tre vite.
 
              Neni 223
Thirrjet publike për veprime të dhunshme

Thirrjet e bëra publikisht për të kryer vepra të dhunshme kundër rendit kushtetues, dënohen me gjobë ose me burgim gjer në tre vjet.

Ndërkohë deklaratat e dhunshme ndalon dhe Kushtetuta e Shqipërisë. 

Në pikën 2 të nenit 9 të Kushtetutës theksohet se thirrjet për dhunë ndalohen sipas ligjit.

Më konkretisht thuhet:

       “Partitë politike dhe organizatat e tjera, programet dhe veprimtaria e të cilave mbështeten në metoda totalitariste, që nxitin e përkrahin urrejtjen racore, fetare, krahinore ose etnike, që përdorin dhunën për marrjen e pushtetit ose për të ndikuar në politikën shtetërore, si edhe ato me karakter të fshehtë janë të ndaluara sipas ligjit”.

Por pavarësisht se Kushtetuta u ndalon partive politike që të bëjnë thirrje për dhunë, kryedemokrati Lulzim Basha i ka bërë apel qytetarëve që të reagojnë edhe duke përdorur dhunën ndaj zyrtarëve të shtetit. Kjo është hera e dytë që drejtues të Partisë Demokratike bëjnë thirrje për dhunë.

Në seancën parlamentare te 21 prillit 2016 ishte ish kryeministri SaIi Berisha që bëri thirrje për armatosjen e popullit, sipas tij për t'u mbrojtur nga mafia e lidhur me shtetin.

kodi penal

Redaksia Online
l.q/Shqiptarja.com

/Shqiptarja.com
  • Sondazhi i ditës: 8 Janar, 13:30

    Deri në 700 kWh ulet me 1 lekë çmimi i energjisë për familjet, si ju duket?



×

Lajmi i fundit

Kreshnik Spahiu: A duhet shpallur 8 Janari zi kombëtare?

Kreshnik Spahiu: A duhet shpallur 8 Janari zi kombëtare?