Ndërsa po afron data që Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë do të japin vendimin për katër udhëheqësit e UÇK-së dhe midis tyre edhe ish-presidenti i Kosovës Hashim Thaçi, ndjenja e ankthit dhe e pritjes për vendimin e gjykatës është e natyrshme. Por ndërkohë lexoj i shqetësuar se tek disa analistë kthimi i tyre dhe i Thaçit lexohet si një kthim i një fuqie që do të rivendosë disa ekuilibra që, sipas tyre, janë prishur në Kosovë. Thaçi do të kthehet me atë që quhet fuqia e rikthimit, duke e krahasuar atë me kthimin e Odiseut të Homerit në Itakë.
Ja çfarë shkruan, midis të tjerash, analisti Berat Buzhala: “Kthimi i Thaçit
Këto ditë, nëpër kinematë e botës, po bën namin filmi i Christopher Nolanit, “The Odyssey”.
Është tregimi i Odiseut, i cili kthehet në Itakë pas njëzet vjetësh mungesë.
Kur kthehet, e gjen shtëpinë të pushtuar. Të tjerët ia kanë zënë vendin, ia kanë nda pasurinë dhe janë bindur se ai nuk do të kthehet kurrë.
Por krejt tregimi është ndërtuar mbi një të vërtetë të vjetër sa vetë njerëzimi:
Fuqinë e kthimit.”
Krahasimi i Hashim Thaçit me Odisenë nuk tingëllon bukur as si figurë letrare, pale pastaj politikisht. Nëse Thaçi është Odiseu që kthehet në Itakë, atëherë duhet të pranojmë se të tjerët ia kanë zënë vendin dhe se diku ekziston një fron që duhet mbajtur bosh derisa ai të kthehet. Kosova nuk funksionon kështu dhe as Hashim Thaçi nuk ka nevojë për një krahasim të tillë. Nëse do ndjekim logjikën e paralelizmit nga filmi i Nolanit, Thaçi kthehet në Kosovë, vret të gjithë ata që kërkonin fronin, ia jep fronin të birit dhe pastaj largohet në mërgim.
Hashim Thaçi dhe komandantët e tjerë të UÇK-së që ndodhen padrejtësisht të arrestuar prej gjashtë vitesh në Gjykatën e Kosovës në Hagë, nuk kanë nevojë për paralelizma të tilla, të cilat thjesht i fryjnë erërave të përçarjes.
Thaçi e ka vendin e tij në historinë e Kosovës dhe ky vend nuk varet nga ajo që do të bëjë politikisht pas kthimit. Ai është një nga figurat kryesore të Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës, ishte pjesë e procesit politik që shoqëroi luftën dhe çlirimin, ishte në Rambuje dhe ishte kryeministër që lexoi aktin e shpalljes së pavarësisë më 17 shkurt 2008. Mund të ketë diskutime për qeverisjen e tij, për vendimet që ka marrë dhe për mënyrën si ka ushtruar pushtetin, por roli i tij në rrugën drejt çlirimit dhe pavarësisë nuk mund të hiqet nga historia.
Emri i Hashim Thaçit është shkruar në listën e atyre që luftuan dhe punuan për çlirimin dhe pavarësinë e Kosovës. Këtë nuk ia shton një rikthim në politikë dhe nuk ia heq një tërheqje nga politika. Edhe sikur të mos merret më kurrë me politikë aktive, roli i tij historik mbetet aty ku është.
Pikërisht për këtë arsye nuk ka nevojë të ndërtohet ideja se Kosova duhet ta presë kthimin e tij sikur po pret kthimin e pronarit të shtëpisë. Thaçi nuk ka lënë një fron bosh. Ka lënë një institucion, siç ndodh në çdo republikë kur largohet një president. Pas tij kanë ardhur presidentë të tjerë, qeveri të tjera dhe shumica të tjera parlamentare. Kjo nuk është uzurpim. Kjo është demokraci.
Në fakt, ajo që duhet të bëjë Kosova sot për Thaçin, për Kadri Veselin, Jakup Krasniqin, Rexhep Selimin dhe për të gjithë ata që janë larg vendit për shkak të procesit në Hagë, është pikërisht e kundërta e pritjes së një “kthimi në fron”. Kosova duhet të tregojë se shteti për të cilin ata luftuan është në gjendje të funksionojë edhe pa ta.
Kjo do të thotë që vendi duhet të krijojë sa më parë institucionet e tij qeverisëse në përputhje me rezultatin e zgjedhjeve. Duhet të ketë Kuvend funksional, qeveri, institucione që marrin vendime dhe një shtet që nuk mbetet i bllokuar nga llogaritë e partive. Nuk ka mënyrë më të mirë për të respektuar njerëzit që luftuan për krijimin e shtetit sesa ta bësh atë shtet të funksionojë.
Nëse një ditë Hashim Thaçi vendos të rikthehet edhe në politikën aktive, kjo do të jetë një çështje tjetër. Ai do të hyjë në garë si çdo politikan tjetër dhe qytetarët do të vendosin nëse duan t’i japin përsëri një rol politik. Nuk ka vend të rezervuar dhe nuk duhet të ketë.
Por kjo nuk ka asnjë lidhje me vendin e tij në historinë e Kosovës. Ai vend është përcaktuar shumë më herët, në luftë, në Rambuje, në procesin e shtetformimit dhe në shpalljen e pavarësisë.
Prandaj Hashim Thaçi nuk ka nevojë të kthehet si Odiseu. Nuk ka nevojë të gjejë mëtonjës të fronit dhe as të rimarrë një mbretëri që nuk ka ekzistuar kurrë. Kur të kthehet, do të kthehet në republikën për krijimin e së cilës sakrifikoi gjithë jetën e tij.








Komente
Komento