Quhem Nesti Angoni dhe kam një zanat që shumë njerëz nuk e kuptojnë. Mendojnë se numërimi është punë e lehtë. Nuk është. Të numërosh është përgjegjësi. Një numër i vogël mund të prishë humorin e një ministri. Një numër i madh mund t'ia zbukurojë gjithë javën.

Karrierën e nisa me rrjetet sociale. Çdo mëngjes hapja kompjuterin dhe filloja kontrollin. Sa pëlqime kishte marrë ministri i Turizmit? Sa herë ishte shpërndarë postimi i Ministrisë së Infrastrukturës? Kush nga kryetarët e bashkive kishte bërë "share" menjëherë dhe kush ishte treguar i plogësht?

Mos qeshni. Këto janë gjëra serioze. Në kohët moderne nuk maten më kilometrat e asfaltit. Matet me sa "like" merr një postim.

Kam parë ministra që kontrollonin telefonin çdo pesë minuta. Kam parë kryetarë bashkish që fshinin postimin dhe e hidhnin përsëri, vetëm se fotografia nuk kishte marrë pëlqimet që prisnin. Disa prej tyre më buzëqeshnin sapo më shihnin. Disa të tjerë ndryshonin trotuar. Kishte edhe nga ata që më përshëndesnin dy herë në ditë, nga frika se mos shkruaja ndonjë letër për ta. E shihja frikën në sytë e tyre.

Nuk kam bërë kurrë raporte me emër. Nuk ishte nevoja. Në administratë një thashethem i besueshëm udhëton më shpejt se një shkresë me vulë. Mjaftonte të përhapej fjala se Nesti Angoni nuk ishte i kënaqur me performancën tënde në rrjetet sociale dhe të nesërmen fillonin postimet çdo orë.

Pastaj erdhi koha e turizmit.

Atë ditë e ndjeva se më në fund do të bëja një punë të dobishme për vendin. Shqipëria po mbushej me të huaj. Vinin nga gjithë Europa. Fotografonin malet, detin, qytetet e vjetra, hanin byrek, pinin raki, ankoheshin për rrugët dhe largoheshin të lumtur. Dikush duhej t'i numëronte.

Këtë detyrë e mora me pasion.

Kam ecur më shumë se çdo guidë turistike. Kam pirë kafe në çdo aeroport, port e shëtitore. Kam mësuar të dalloj suedezin nga holandezi vetëm nga mënyra si ecën me sandale. Kam zhvilluar një sy që nuk gabon. Mjafton të shoh një burrë me çorape të bardha deri te gjuri në mes të korrikut dhe e kuptoj menjëherë se është turist.

Më pëlqente sidomos mbrëmja. Ulesha në një kafene buzë detit, por nuk shijoja perëndimin si gjithë të tjerët. Unë shijoja numrat. Sa shihja katër turistë të ulur në një tavolinë, përnjëherësh i shumëzoja me tre. Çdo tavolinë me të huaj më dukej si një fitore personale. Në fund të ditës kthehesha në shtëpi me bindjen se edhe unë kisha dhënë një kontribut modest në zhvillimin e vendit.

Nuk e mohoj. Kur dëgjoja në televizor se kishte ardhur turisti i dhjetëmiliontë, ndihesha krenar. Edhe unë kisha një pjesë të vogël në atë sukses.

Pastaj nisën protestat.

Që atë ditë fillova të mos fle rehat.

Problemi nuk ishte protesta. Problemi ishin llogaritë.

Për turistët kisha një rregull të thjeshtë: një bëheshin tre. Mjaftonte ta shihja një herë në aeroport, një herë në plazh dhe një herë në një restorant, dhe ndihesha se i kisha bërë një shërbim statistikës kombëtare. Turizmi duhej të rritej dhe unë e ndihmoja të rritej.

Për protestuesit rregulli ishte po aq i thjeshtë, vetëm se në drejtim të kundërt: tre bëheshin një. Sa më e madhe turma, aq më shumë punë kërkonte. Duhej gjetur këndi i duhur, fotografia e duhur dhe, mbi të gjitha, përpjesëtimi i duhur.

Derisa erdhën kosovarët.

Aty më iku qetësia.

Si turistë ishin bekim. Sa më shumë kosovarë të hynin në Shqipëri, aq më mirë për statistikat. Në raportet e mia ishin turistë model. Patriotë. Vizitorë besnikë. Njerëz që zgjidhnin Shqipërinë për pushime. Çdo makinë me targa të Kosovës më dukej si një fitore personale.

Por mbrëmja më prishte gjithë llogaritë.

Shumë prej tyre, pasi ktheheshin nga plazhi i Durrësit ose i Golemit, kalonin nga Tirana dhe bashkoheshin me protestën.

Dhe aty fillonte makthi im profesional.

Paradite i kisha regjistruar si turistë shembullorë që ndihmonin ekonominë shqiptare. Në mbrëmje i shihja në rrugë me pankarta dhe, sapo hapja rrjetet sociale, zbuloja se nuk ishin më turistë. Brenda pak minutash shndërroheshin në "falanga të Albin Kurtit", "destabilizues", "të financuar nga Irani" ose çfarëdo etikete që ishte në modë atë javë.

Nuk arrija t'i ndiqja.

I njëjti njeri, me të njëjtat sandale, të njëjtën kapele dhe të njëjtën fytyrë, paradite ishte një hero i sezonit turistik. Në darkë ishte rrezik për rendin publik.

Asnjeri nuk e di se sa e vështirë është kjo punë. Është sakrificë. Të shumëzosh një njeri paradite dhe ta pjesëtosh po atë njeri në darkë kërkon nerva të forta. Ka net që nuk më zë gjumi. Rri me kalkulator në dorë dhe pyes veten nëse ai kosovari që e bëra gjashtë turistë në drekë duhet të mbetet një e treta e protestuesit në darkë. Por nuk ankohem. E bëj për vendin. Secili e ka një kryq për të mbajtur.

Vetëm një merak kam: a do t'ia çojë njeri në vesh Bajramit se çfarë po heq unë për këtë Shqipëri? Nuk kërkoj shumë. Një dekoratë të vogël e kam fituar me djersën e ballit. Nëse ka medalje për trimëri në numërim, mendoj se më takon mua. Vetëm kaq dua.