Nga xhami i madh i kafenesë dukej Bulevardi “Dëshmorët e Kombit”. Ishte pasdite dhe Tirana kishte atë vapën e gushtit që e bën asfaltin të të duket sikur po mbushet me flluska të një lënde që zien. Asfalti dukej sikur po mendonte seriozisht të shkrihej e të largohej edhe ai nga Shqipëria. Njerëzit ecnin ngadalë, të lodhur nga vapa. Më tej dëgjoheshin herë pas here thirrjet e protestës që prej muajsh mblidhej në qendër dhe marshonte drejt Kryeministrisë.
Në tavolinën pranë xhamit rrinin katër të rinj. Që prej dy orësh po diskutonin pse Shqipëria nuk ndryshonte dhe, pas shumë argumentesh, kishin gjetur fajtorin: pensionistët. Ishte një zbulim i rëndësishëm dhe i njëzëshëm. Të katërt ishin të bindur se pensionistët ishin fajtorë për gjendjen e sotme të Shqipërisë sepse, sipas tyre, ishin ata që e mbanin Ramën në pushtet.
Të katërt po diskutonin me zjarr dhe ndonjëherë edhe me terma filozofikë dhe politikë të përzier në dialekte ku shpesh dëgjohej fjala “plako” dhe “plaku”. Njëri thoshte që plaku i tij i kishte mërzitur jetën duke i thënë që duhet të futej në punë, tjetra ia kthente se kishte gjetur belanë me plakën që i mbante djalin e vogël; i treti tha se plaku i tij nuk ia prish kurrë dhe se ishte ai që i kishte gjetur një punë, se kishte miq gjithandej. I katërti tha se priste që plaku i tij të merrte pronat që i kishte lënë plaku i vet.
Njëri prej të katërve kishte vite që nuk votonte. Të dielën e zgjedhjeve zakonisht gjente diçka më të rëndësishme për të bërë. Tjetri punonte në administratë, ku kishte hyrë pasi babai kishte telefonuar një mik që kishte telefonuar një drejtor. Ai ishte kundërshtar i vendosur i patronazhizmit, përveç atij rasti të vetëm kur patronazhi i kishte gjetur punë atij.
Vajza e grupit po fliste për pavarësinë e brezit të ri. Pasi i kishte dhënë fund bashkëjetesës, që kishte si rezultat edhe lindjen e një djali, jetonte me prindërit, të cilët ishin ata që po ia mbanin, por që po i hanin shpirtin që ta merrte jetën seriozisht dhe të mos rrinte gjithë ditën kafeneve. I katërti kishte shtatë vjet që përgatitej të largohej nga Shqipëria dhe, po t’i jepej edhe pak kohë, kishte ndër mend të fillonte të mendonte seriozisht se ku do të shkonte. Në Gjermani bënte ftohtë; në Angli binte shi; Amerika ishte larg.
Të katërt ishin dakord se pensionistët ishin përgjegjës për gjendjen e Shqipërisë, korrupsionin, largimin e njerëzve, krimin dhe mungesën e shpresës për të ardhmen. Ata e mbanin Edi Ramën në pushtet. Nuk ishte e drejtë, mendonin, që një njeri gjashtëdhjetë e pesë vjeç e lart të vendoste për të ardhmen e një tridhjetëvjeçari.
Jashtë kaloi protesta.
Në rreshtat e saj kishte edhe burra e gra të moshuara. Ecnin më ngadalë se të tjerët. Njëri mbante dorën mbi bastun, një grua kishte kapelën të ulur mbi sy dhe mbante në dorë një tabelë ku shkruhej “Edi Rama ka maru” dhe një tjetër ndaloi pak në hije për të marrë frymë, pastaj vazhdoi më tej.
Katër të rinjtë i panë sikur po shikonin ndonjë film në televizor dhe jo një ngjarje që po ndodhte përpara syve të tyre. Ata po merreshin me pensionistët në përgjithësi.
- Shiko, shiko atë plakën që mezi po mban atë tabelën “Edi Rama ka maru”. Po ti ke mbaruar vetë, moj e shkretë, - tha vajza dhe të tjerët qeshën me të madhe.
- Pale, - tha tjetri, - ky plaku që ka varur këtë tabelën në qafë. Po ik, more, në shtëpi se do mbarosh në bulevard.
Qeshën përsëri.
- Ore, ky popull nuk bëhet, - tha ai që punonte në administratë. - E kupton se nga 2 milionë që jemi, 700 mijë janë pensionistë? Nuk bëhet, or jo. Këta e pengojnë zhvillimin!
Në sytë e tyre pensionistët ishin një masë e madhe njerëzish që një ditë kishin mbushur gjashtëdhjetë e pesë vjeç dhe që prej asaj dite nuk kishin bërë gjë tjetër veçse kishin votuar keq.
- Më hëngri shpirtin plaku, - tha i pari, - më thotë se këtë shtëpi e ka ngritur me duart e veta, tullë pas tulle.
- Të dëgjosh plakun tim, - tha i dyti, - nuk durohet kur flet se ka punuar në fabrika, ara, shkolla, miniera, spitale e zyra. Thotë që bënte turnin e tretë dhe në mëngjes çonte fëmijët në shkollë.
Filluan të flisnin të katërt pa radhë dhe duke qeshur se si këta pensionistët e sotëm “kishin mbajtur radhë për qumësht, pastaj radhë në ambasada, pastaj radhë në banka. Kishin parë kursimet t’u zhdukeshin, shtetin t’u rrëzohej, fëmijët t’u iknin jashtë dhe pensionin t’u zvogëlohej. Dhe, çuditërisht, vazhdonin të kishin edhe një zakon tjetër të keq. Ndihmonin fëmijët. Pastaj ndihmonin nipërit. Ndonjëri kishte rritur një djalë deri njëzet e pesë vjeç, pastaj kishte filluar të rriste nipin deri në tridhjetë e pesë.”
Madje nuk mungonin në asnjë votim.
- Plaku im, - tha ai që punonte në administratë, - shan nga mëngjesi në darkë Edi Ramën dhe pastaj shkon dhe e voton prapë atë. Më thotë se votonte kundër bindjes së vet, sepse nipi kishte hyrë në bashki me mik, mbesa në ministri me deputet, djali në ndërmarrje me kryetarin e partisë. Plaku e dinte shumë mirë se çfarë ishte patronazhi. Po çfarë t’i bënte se ia kishte zënë këmbët nipi që nuk dinte të bënte ndonjë punë tjetër.
Dhe gjyshërit kanë një dobësi të çuditshme për nipërit e paaftë.
Nipi, pasi siguronte vendin e punës me njohjet e gjyshit, shkonte drejt e në kafene, porosiste një makiato dhe niste analizën politike me zemërim revolucionar: pensionistët, shpjegonte ai, ishin baza sociale e sistemit, pengesa kryesore e ndryshimit dhe fajtorët që vendi nuk ecte përpara. Gjyshin, natyrisht, nuk e fuste në këtë kategori. Ai ishte pensionist i veçantë, një lloj përjashtimi historik, sidomos kur kishte ndonjë mik me peshë.
Tjetri tha se plaku i tij kishte votuar gjithë jetën PD-në, ndërsa ai vetë nuk ishte aq budalla sa ta shkonte kohën kot dhe të votonte. Vajza tha se mamaja votonte për Arlind Qorrin, ndërsa babai për Pandeli Majkon.
- Skandaloze, - tha. - Atë ditë duhet ta mbaj vetë djalin, se ata do shkojnë të votojnë. Skandaloze!
Jashtë, turma vazhdoi drejt Kryeministrisë.
Brenda, revolucioni teorik kishte hyrë në fazën vendimtare. U fol për ndryshimin e elitave, për rrëzimin e sistemit, për një Shqipëri të re dhe për nevojën që brezi i vjetër të largohej më në fund nga vendimmarrja.
Pastaj erdhi kamarieri. Në dorë mbante faturën.
Katër filxhanët që për dy orë kishin prodhuar një Shqipëri të re kushtonin pak më shumë nga sa kishte parashikuar revolucioni.
Ra heshtja.
Njëri kishte vetëm kartë, por kamarieri tha se nuk punonte terminali. Tjetri tha se priste që të merrte pronat e gjyshit. Vajza ishte e sigurt se kishte paguar herën e fundit. Nëpunësi i administratës kishte harruar portofolin.
Për herë të parë atë pasdite vendi kishte një problem për të cilin nuk e kishin fajin pensionistët.
Njëri prej tyre mori telefonin.
- Ku je?- pyeti.
Dëgjoi pak.
- Mirë. Kur të mbarosh, kalo këtej nga kafja se kam mbetur pa lekë.
Pastaj vazhduan bisedën.
Pas njëzet minutash dera e kafenesë u hap.
Hyri një burrë rreth të shtatëdhjetë e pesë vjeç, i djersitur, me këmishën ngjitur pas shpinës. Në njërën dorë mbante një qese të vogël farmacie. Në tjetrën kishte një pankartë të palosur.
Nga cepi i kartonit lexohej ende: “Mjaft! Dorëheqje!”
Ishte gjyshi. Sapo ishte kthyer nga protesta. Nipi i bëri me dorë.
Plaku iu afrua, nxori portofolin, mori faturën nga tavolina dhe pagoi katër kafetë.
Pastaj i dha nipit edhe dy mijë lekë.
- Mbaji, -i tha. - Sot mora pensionin. Se mos të duhen për sonte.
Mori përsëri qesen e ilaçeve dhe pankartën dhe doli. Katër të rinjtë e ndoqën për pak me sy.
Pastaj njëri prej tyre u mbështet në karrige dhe tha se, pa ndryshuar mentaliteti i pensionistëve, ky vend nuk kishte të ardhme.









Komente
Komento