Kryeministri Edi Rama tha se është hera e parë që yjet e Shqipërisë janë në një linjë me atë të BE, ndërsa shtoi se duhet ta shfrytëzojnë këtë moment historik. Në takimin inaugurues të Komitetit të Përbashkët Konsultativ me Komitetin Ekonomik dhe Social të BE, kreu i qeverisë tha se vendi ynë ka mundësinë që brenda këtij viti të hapë të gjitha grupkapitujt për negociatat.
“Është hera e parë që yjet tona janë në një linjë me yjet e BE-së edhe për të ardhmen dhe perspektivës, por edhe për të tashmen. BE ka qenë i kujdesshëm të thotë se vendi ynë është në Evropë, që horizonti është vendi ku do të bashkohemi, por s’e kemi ndjerë kurrë gatishmërinë për ta bërë këtë realitet tani. Kjo lidhet jo vetëm me punën tonë të mirë, por edhe situatën e përgjithshem brenda kontinentit tonë dhe përtej tij. Por ajo që përpiqem të them çdo ditë bashkëpunëtorëve të mi dhe njerëzve, është që dera është hapur. Duhet të përfitojmë nga ky shans dhe të bëjmë maksimumin për të qenë brenda kur kjo derë të mbyllet sërish. Se kështjella hap dyert dhe më pas i mbyll dhe ka nga ata që kanë qenë më të shpejtë, kanë hyrë dhe e kanë gjetur brenda veten kur dera është mbyllur.", tha Rama.
Një koment bëri edhe për spektikët që besojnë se retorika për integrimin është iluzion dhe propagandë. Rama tha se vendi ynë ka bërë shumë përparësi në negociata ndërsa kujtoi vendet e rajonit si Mali i Zi dhe Serbia, që kanë ngecur në këtë proces prej vitesh.
"Ka shumë njerëz që përpiqen të thonë se nuk do të ndodhë, por ajo që përpiqemi t’ju themi është që të bëjmë më të mirën për t’i vënë të gjitha energjitë në këtë drejtim. Thonë është iluzion e propagandë, kur s’ka ndodhur në 12 vjet, pse duhet të ndodhë në 4 vite, por këta njerëz nuk janë të informuar se Mali i Zi ka çelur negociatat që në 2012, Serbia në 2024, RMV kishte një emër tjetër kur u bë vend kandidat dhe sot ne e gjejmë veten tonë në pararojë pasi çelëm negociatat vitin e kaluar dhe këtë vit, kemi shans të mirë të hapim grupkapitujt.”, u shpreh Rama.
Lajmi kryesor:
Rama: BE vullnet për të na marrë brenda ‘kështjellës’, të hapim gjithë grupkapitujt brenda vitit! Ropke: Shqipëria, performancën më të mirë në negociata

