Aktivisti i Partisë Demokratike, Ndrec Pjetri është shprehur se kryedemokrati Sali Berisha dhe kupola drejtuese e PD-së po bëjnë propagandë duke thënë se kryeministrin Edi Rama do e heqin ndërkombëtarët si Maduron në Venezuelë.
Komentet Pjetri i bëri në takimin e thirrur nga ish-deputeti Ervin Salianji në Lezhë, ku theksoi se PD sot ka qindra probleme të brendshme dhe nuk është gati për të ardhur në pushtet.
Ai shtoi se sot në PD nuk shkel asnjë ambasador i huaj, duke rrëzuar kështu pretendimet se SHBA dhe ndërkombëtarët do të heqin nga pushteti Ramën.
Sipas Pjetrit, premtimet se Ramën do e rrëzojnë nga pushteti SHBA-të janë gënjeshtra për të mbajtur peng demokratët në situatën e rëndë në të cilën ndodhet kjo forcë politike.
“Ne ngremë zërin sesi t’i zgjidhim problemet tona të brendshme, por jo zëri që nuk dëgjohet, por këta zgjedhin edhe të shpifin. Problemet në PD janë të shumta, por unë do prek pikat kryesore. Ka filluar një propagandë sikur Ramën do e heqin ndërkombëtarët, do e marrin si Maduron e tjera me radhë, por e vërteta është kjo, që katër vite në PD nuk shkel asnjë ambasador. Si do kemi mbështetje ndërkombëtare. Ky është një mashtrim i pastër për t’i mbajtur peng demokratët në këtë situatë që kemi ngelur”, tha mes të tjerash Pjetri.
Lajmi kryesor:
Salianji mbush sallën në Lezhë dhe i çon mesazh Berishës: Harroje se krijoj parti tjetër, PD është shtëpia ime dhe do e bëj fituese












