TIRANE - Shqipëria vazhdon të bëjë hapa prapa sa i takon nivelit të perceptimit të korrupsionit. Në indeksin e Perceptimit të Korrupsionit publikuar sot nga Organizata Transparency International Shqipëria renditet e 113-ta, duke pësuar një rënie të ndjeshme prej 18 vendesh në krahasim me 2011, kur renditej e 95-ta. Ndërkohë që në 2010 renditej e 87-ta.

Këtë vit Shqipëria renditet në një grup me Etiopinë, Guatemalën dhe Nigerinë. Sa i takon shteteve të Ballkanit, vendi ynë paraqet indeksin më të lartë të korrupsionit, duke u renditur pas Maqedonisë, Malit të Zi, Kosovë, Serbisë.

Sipas indeksit në krye të listës me 176 vende është Zelanda e Re e pas saj Danimarka dhe Finlanda, shtete në të cilat korrupsionit perceptohet të mos ekzistojë. Ata vlerësohen me 90 pikë. Në fund të listës ndodhet Afganistani, Koreja e Jugut dhe Somalia, me 8 pikë

SHQIPERIA NE ZONEN E KUQE
Në raport renditja bazohet tek perceptimi i publikut për korrupsionin në sektorin publik. Renditja e 176 shteteve bëhet në një shkallë nga 100-0 pikë. Kështu shtetet që kanë një vlerësim më afër 100 pikëve nënkupton se në këto vende nuk ekziston korrupsioni. Danimarka, Finlanda dhe Zelanda e Re kryesojnë listën dhe janë të vlerësuara me 90 pikë . Ndërkohë që shtetet që janë vlerësuar më afër 0 pikëve kanë një nivel korrupsioni shumë të lartë. Afganistani, Korea dhe Somalia janë vlerësuar me 8 pikë. Po kështu në hartë vendet që janë më pak të korruptuara janë me ngjyrë të verdhë e cila në varësi të perceptimit të korrupsionit, kjo ngjyrë vjen e bëhet e verdhë e zënë, portokalli e lehtë, portokalli e ndezur deri në të kuqe, dhe të kuqe të ndezur, ku shënohen vendet me korrupsionin më të lartë. Shqipëria në hartë është e ngjyrosur me të kuqe.

SHQIPËRIA E FUNDIT NË RAJON

Në raport Shqipëria renditet e fundit në rajon. Asnjë nga vendet e tjera të rajonit nuk ka pësuar një rënie të tillë prej 18 vendesh. Para Shqipërisë këtë vit është renditur edhe Kosova, e cila vitin e ardhshëm feston 5 vjet shtet. Në këtë raport Kosova renditet e 105 me një vlerësim prej 34 pikësh ndërkohë që në 2011 renditej e 112-ta, dhe Shqipëria e 95-ta. Me një vlerësim më të dobët sivjet përballet edhe Mali i Zi, duke rënë nga vendi i 66-të, ku ka qenë vitin e kaluar, në vendin e 75-të. Ndërkaq përmirësime kanë shënuar edhe Kroacia, nga pozita numër 66 në pozitën numër 62, Bosnja nga 91 në 72 dhe Serbia nga 86 në 80. Maqedonia ka mbetur në vendin e njëjtë, numër 69, ashtu si edhe vitin e kaluar.

RENDITJA NE BALLKAN
Kroacia 62
Maqedonia 69
Bosnja 72
Serbia 80
Mali i Zi 66
Shqipëria 113

TIA: PANDESHKUESHMERIA ULI NDJESHEM BESUESHMERINE

“Pandëshkueshmëria ka ulur ndjeshëm besueshmërinë”. Ky është një ndër shkaqet pse Shqipëria këtë vit ka zbritur 18 vende më poshtë, bën të ditur Transparency International Albania e cila sot paradite bëri publike para gazetarëve të dhënat e raportit. Transparency International Albania duke bërë apel institucioneve të marrin masa për të luftuar korrupsionin shton se reformimi i administratës publike është i domosdoshëm. Gjithashtu “Duhet vullnet i qartë i klasës politike për zbatimin e standardeve të kërkuara dhe proceset integruese”.

TI: QEVERITE DUHET TE LUFTOJNE KORRUPSIONIN
Dy të tretat e 176 vendeve kanë më pak se 50 pikë, në tabelën prej 0 deri në 100, çfarë tregon se institucionet publike duhet të jenë më transparente dhe zyrtarët më përgjegjës.
 “Qeveritë duhet të kenë prioritet mbi prioritetet luftën kundër korrupsionit. Duke parë indeksin është e dukshme se korrupsioni është një kërcënim i madh me të cilën përballet njerëzimi. Korrupsioni shkatërron jetë, komunitet dhe minon vendet dhe institucionet, gjeneron zemërim të lartë popullor dhe kërcënon zemërimin popullor që kërcënon të destabilizojë më tej shoqëritë dhe përkeqësojnë konflikte të dhunshme. Pas një viti, ne prisnim që shumë qeveri të ndërmerrnin një qëndrim më të ashpër ndaj korrupsionit. Indeksi i perceptimit demonstron se ka shumë shoqëri dhe qeveri që duhet t'i japin një prioritet edhe më të madh kësaj çështjeje. "- shkruhet në në faqen zyrtare të Transparency International ku publikohet dhe raporti. http://www.transparency.org/cpi2012/results.

“Qeveritë duhet të integrojnë veprime anti-korrupsion në të gjitha vendimmarrjet publike. Përparësitë përfshijnë rregulla më të mira në financat politike dhe më shumë transparencë në shpenzimet publike”, ka thënë kryetarja e organizatës Transparency International, Huguette Labelle.