‘T’i shtrydhën trutë putanat’, Kujtimet e panjohura të Lasgush Poradecit për Enver Hoxhën: Kur erdhi nga Parisi, kolegët e tallnin ‘Tutkun’

‘T’i shtrydhën trutë putanat’, Kujtimet e panjohura të Lasgush Poradecit për Enver Hoxhën: Kur erdhi nga Parisi, kolegët e tallnin ‘Tutkun’

Enver Hoxha dhe Lasgush Poradeci

A është takuar poeti Lasgush Poradeci, me Enver Hoxhën? Sa të vërtetë ka në kujtimet që gruaja e diktatorit, Nexhmije Hoxha, propagandoi pas vdekjes së tij, mbi marrëdhëniet e dhembshurisë e dashurisë të Enverit, për shkrimtarë e artistë. Ismail Kadare, në një intervistë disa vite më parë, shprehej: “Dikush si Lasgush Poradeci, do të dridhej në varr, po të lexonte, se ç’shkruhet për të.

Poeti më i madh i gjallë i krejt epokës, jetoi 40 vjet si i vdekur, kaq shumë ishte i mënjanuar, i ndaluar, i shtypur me këmbë. Kurse zonja Hoxha, përpiqet të na mbushë mendjen, se sa shumë e donte Enveri e, sa shpesh interesohej për të”!

Në librin me kujtime; “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”, botim i vitit 2000, bashkëkohësi dhe miku i poetit, Tomi Mato, bëhet dëshmitar i mos takimit mes Lasgushit dhe Enverit, në vitin 1983. Në këtë rrëfim, jepet dhe varianti sipas poetit, i takimeve të hershme, kur Enver Hoxha, nuk ishte bërë ende diktator dhe kur në Liceun e Tiranës, e kishte dalluar mes të rinjve, për kompleksin e tij të inferioritetit.

BALLË PËR BALLË

Një ditë e gëzueshme vere në Volorekë (Drilon). Banorët dhe familjet e tyre, drekojnë nën hijen e pemëve. Mes tyre Lasgushi me të bijën, hequr pak mënjanë. Me vete një shishe vere, holluar me ujë burimi. Nuk e dinte kush, se nga çasti në çast, aty do t’ia behte Udhëheqësi me të shoqen, nga pas eskorta. Ishte vera e vitit 1983. Kjo ditë i kujtohet mirë Tomi Matos, dhe e rrëfen në librin “Të vërteta e të pathëna për Lasgushin”.

Ndërsa turma zuri të këndojë “Enver Hoxha e mprehu shpatën”! dhe të bërtasë “Parti-Enver, jemi gati kurdoherë”. Njerëzit dyndeshin, kush e kush t’i shtrëngonte atë dorë, ndërsa truprojat shtynin, t’i hapnin udhë “kalorësit”.

Të dy me bastun në dorë, të vjetër boll. Me të dëgjuar lajmin dhe brohoritë e turmës, Lasgushi u veçua nga turma, por nuk është larguar. Nuk është menduar gjatë, të rrijë apo të ikë, pasi askujt nuk kishte për t’i hedhur fije dyshimi, kishte apo nuk kishte dëshirë ai, të takonte Enverin. Në euforinë e turmës ndokush, mund të mendonte se ky reagim ishte normal, për natyrën e tij flagrante, të ftohtë e kapriçoze. Por askush, as kishte parë, as kishte dëgjuar.

Vera e vitit 1983, ishte i vetmi shans publik, ku ata të dy janë ndodhur spontanisht, në të njëjtin vend, njëri mes turmës, tjetri jashtë saj. Poeti i ka hedhur sytë dhe e ka lënë në hall të vet, megjithëse vështirë ta dallojë, në atë dalldi. “Enveri dhe Lasgushi, pushuan për 20 vjet bashkë në Pogradec dhe një kafe, nuk e pinë bashkë”, shkruan Tomi Mato, në rrëfimin e tij, “A është takuar Lasgushi me diktatorin”.

Pikërisht pas kësaj dite, ai e kishte pyetur poetin, nëse ishin takuar ndonjëherë pas çlirimit. Në vend të komenteve, Lasgush Poradeci i kishte rrëfyer, fabulën e thjeshtë të njohjes me këtë “qerrata”, 43 vjet më parë, në Liceun e Tiranës.

Viti 1937, NJË AUTOGRAF ENVERIT

“U njohëm në gjimnazin e Tiranës, në vitin 1937. Unë isha 12 vjet më i madh, isha më i shkolluari, kurse Verua, erdhi nga Parisi, ashtu “tabula rasa”. Kolegët e tallnin: “Tutkun”, i thoshin. “Të kanë vajtur këmbët, e jo koka në Paris. T’i shtrydhën trutë putanat…”! Mua më vinte keq. E shoqëroja, më kupton, më vinte keq, ndaj e shoqëroja, se të tjerët i ishin larguar. Një ditë, se ku i kishte gjetur dy librat e mi; “Vallja e yjeve” dhe “Ylli i zemrës”.

Më tha disa vjersha përmendësh prej tyre dhe m’u lut, t’i shkruaja diçka me dorën time në libër dhe ai ta kishte si kujtim, nga njeriu që iu gjind, kur të tjerët iu larguan. Ia shkrojta. Ai më përqafoi dhe më ftoi për darkë në shtëpi. Tri herë më ftoi, por nuk i vajta”!

Ky ishte rrëfimi që Lasgushi, i kishte bërë autorit Tomi Mato, më 1983 dhe dy vjet më pas, Enver Hoxha vdes. Por është bashkëshortja, (Nexhmija), besnike pas vdekjes, ajo që rishikon e kujdeset për kultin e të shoqit, aty ku vetëm nëpërmjet hipnozës ai mund të rrezikohej seriozisht. Dhe ishin mendjet intelektuale, ato që ishin kërcënuar e kishin pasur presionin më të lartë prej tij, ato nga çasti në çast, mund të shpërthenin.

Kur Pallati i Kulturës së Pogradecit, do të merrte emrin “Lasgush Poradeci”, pas vdekjes më 1987, në muzeun e qytetit, vjen një letër nga Nexhmije Hoxha, me titull: “Nga kujtimet e shokut Enver, për Lasgush Poradecin”.

Aty shkruhej: “U interesova për Lasgushin, pranë shokëve të Partisë dhe më thanë se është mirë me shëndet…! E kam njohur para lufte, kur isha profesor në gjimnazin e Tiranës…! Ai ishte i dëshpëruar nga regjimi i Zogut, prandaj preferonte të jetonte i vetmuar. Dikur dilte dhe bashkohej me ne”!

Por për habinë e atyre që e njihnin situatën, letra mbante datën 28 gusht 1981 dhe po bëhej e njohur, kur njeri kishte vdekur vërtet, ndërsa vepra e poetit, bashkë me të dhe ai vet, sapo kishte nisur të jetonte.

TAKIME TË NDALUARA

Lasgush Poradeci, ishte njohës i mirë i gjuhës gjermane, përveç faktit që kishte përkthyer prej saj vepra, nga Gëte, Shiler, Hajne. Si e kurdisur deri në këtë pike, censura ndaj tij, edhe takimet me artistë gjermanë që vizitonin Pogradecin, i ishin ndaluar në momentin e fundit. Në rrëfimin e Tomi Matos; “Përse nuk e takoi Peter Oberi, Lasgush Poradecin”?, një mik i poetit në vitet e studimit në Gracë, Austri, thuhet se; si nuk “munden” të takohen.

Lasgushi kishte këmbëngulur dhe e kishte pritur mikun në “kullën” e tij. Por Sekretari i Parë dhe Kryetari i Komitetit Ekzekutiv të rrethit, kishin nxjerrë arsye shëndetësore të Lasgushit, që si kokrra e mollës priste mikun e tij, nga çasti në çast.

Peter Ober “u bind se Lasgushi nuk mund të priste, por as nuk bën dot vizita”, ndërsa me keqardhje kishte thënë: “I uroj shëndet mikut tim të zemrës. Jemi pleq. Desha ta takoj e të bashkëpunoja me të, pasi kam respekt për penën e tij. Është i madh. Keq më vjen që nuk u takuam në këtë botë. Mbase do ta takoj në botën tjetër”!

Në vitin 1978, në Pogradec kishte ardhur një trupë artistësh gjermanë. Gjatë shfaqjes së tyre, u kishte bërë përshtypje në radhë të parë, plaku me kone të bardhë, që thërriste “Bravo, bravo”! Nga kurioziteti, kishin mësuar se ai ishte poeti më i madh, i gjallë shqiptar. Të nesërmen kur kishin rënë dakord të piqeshin të dyja palët, takimi i tyre ishte anulluar.

Nga dufi Lasgushi ishte shprehur: “Këta qeveritarët më shikojnë si budalla, si armik dhe jo si një poradecar akademik. Çudi! Pse e kanë krijuar këtë opinion?! Më hipën nga njëherë që të vete në zyrë dhe t’u lëshohem ashtu vençe. Po unë s’e turpëroj, por e nderoj Poradecin”!

LIDHJA SHKRIMTARËVE NDËRRON MENDJE, NË 80 VJETOR!

Ishte stina që e gjente në shtëpinë e Tiranës. Atë ditë mbushte 80 vjeç. Miq shkrimtarë, e kishin vizituar gjatë gjithë ditës, ndërsa të nesërmen, do të zhvillohej ceremonia në Lidhjen e Shkrimtarëve dhe Artistëve. Ajo ditë, përshkruhet nga Tomi Mato, i pranishëm me një grup pogradecarësh, në shtëpinë e poetit.

“Troket dera. Nafija e hapi dhe hyn Luigj Mazi (administrator i Lidhjes). Pasi u përshëndet me Lasgushin dhe me ne, ai filloi të flasë me një ndrojtje dhe trishtim, që nuk të sillte optimizëm: ‘Më ka dërguar Lidhja, t’ju njoftoj zoti Llazar, se nesër për arsye sekrete, anullohet ceremonia e festimit të 80-vjetorit të datëlindjes suaj! Kaq tha dhe iku”!

Por Lasgushi, që nuk e ndërronte me asgjë këtë moment miqsh, që e kishte pagëzuar “Barku i Shën Mërisë”, as me festën e Lidhjes, kishte bërë “Gëzuar”, me raki e këngë.

Kur poeti mbylli sytë, më 13 nëntor 1987 dhe trupi i tij kishte udhëtuar nga Tirana në Pogradec, “nga lart”, ishte dhënë urdhër, se nuk duhej të kishte ceremoni “të tepërta” nga pogradecarët, nga ata që Lasgushi i kishte quajtur në gëzim e sipër “Barku i Shën Mërisë”. Të gjitha adetet, ishin bërë në Tiranë./Memorie.al

Xh.K/Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

Komente

  • Besa: 03/10/2024 22:20

    Vetëm turkun nuk ka qenë Enveri! Si tutkun dhe i recitoka 2-3 vjersha të poeti?!!

    Përgjigju
  • Sondazhi i ditës:
    25 Nëntor, 08:30

    Takimet jashtë, mendoni se diaspora do marrë pjesë masivisht në votime?



×

Lajmi i fundit

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?

Cilat janë pengesat për arritjen e armëpushimit mes Izraelit dhe Hezbollahut?