Zemërimi i tifozëve të klubit anglez Manchester United është kthyer në ironi dhe tallje.

Klubi më i famshëm anglez, i cili vitin e kaluar fitoi kampionatin, tashmë rrezikon as të mos futet në Europa League dhe bordi drejtues vendosi të pushojë nga puna trajnerin David Moyes.

Por meqë vendi i trajnerit është i lirë, dhjetëra tifozë të klubit vendosën të dërgojnë CV e tyre për të aplikuar për vendin e lirë, duke cituar arritjet e tyre në lojën Football Manager, si provë të aftësive të tyre.

Disa prej tyre shtojnë se nuk mund të bëjnë një punë më të keqe se Moyes edhe sikur të donin.

Vetë loja është një simulim i rolit të trajnerit, ku lojtari mund të zgjedhë cilindo klub në botë dhe të menaxhojë skuadrën, të blejë lojtarë dhe të fitojë sa më shumë tituj. 

Megjithatë për momentin trajneri i klubit do të jetë Ryan Giggs i cili do të ketë rolin e lojtarit trajner.

Ai do të drejtojë ekipin deri në fund të sezonit, deri sa bordi të vendosë emrin e trajnerit të ri.
Manchester united

Redaksia Online
(f.i/Shqiptarja.com)