Tim Walz pranon të jetë zëvendëspresident nëse Harris fiton zgjedhjet në SHBA

Tim Walz pranon të jetë zëvendëspresident nëse Harris fiton zgjedhjet në SHBA

Tim Walz

Guvernatori i Minesotës, Tim Walz, ka pranuar nominimin e partisë së tij për të kandiduar për nënpresident të Shteteve të Bashkuara. Gjatë fjalimit në Kuvendin Kombëtar të demokratëve ai falënderoi të pranishmit për sjelljen “e gëzimit” në zgjedhjet që janë transformuar nga hyrja në garë e nënpresidentes amerikane, Kamala Harris.

“Jemi të gjithë këtu sonte për një arsye të bukur dhe të thjeshtë: E duam këtë vend”, tha Walz para mijëra delegatëve që mbanin në duar pankarta ku shkruhej “Trajneri Walz”.

Shumë amerikanë nuk kishin dëgjuar kurrë për Walzin para se Harris ta zgjidhte për kandidat për nënpresident dhe ky fjalim ishte mundësi që ta prezantonte veten. Ai foli për përvojën e tij si trajner futbolli, për shërbimin në Gardën Kombëtare dhe për problemet e familjes së tij me fertilitetin – të gjitha këto pjesë të biografisë së tij që republikanët kanë vënë në pikëpyetje që kur Harris e zgjodhi atë.

Ekipi i fushatës së Harrisit tha se Walz kishte punuar në fjalimin e tij për disa ditë dhe ai për herë të parë përdori teleprompterin, duke bërë prova në mënyrë që të ishte i përgatitur. Ai u tha të pranishmëve se “nuk kam mbajtur shumë fjalime si kjo, por më kanë këshilluar shumë”.

“Disa njerëz nuk e kuptojnë se çfarë duhet të bësh për të qenë fqinj i mirë”, tha Walz.

“Për shembull, Donald Trump dhe JD Vance”.

Trump, kandidati republikan për president, kritikoi Kuvendin e demokratëve duke e quajtur “qesharak” dhe theksoi se ai është shpesh është temë e fjalimeve. Ai po ashtu foli për ish-presidentin Barack Obama, i cili gjatë fjalimit në Kuvend të martën ishte mjaft kritik, duke thënë se Obama ishte “i ndyrë”.

Ndërkaq, gjatë fjalimit Walz foli për fëmijërinë e tij në Nebraska dhe për karrierën e tij si mësues dhe trajner futbolli në Minesota. “Faleminderit që keni sjellë gëzim në këtë luftë”, i tha ai turmës.

Por, ai po ashtu kritikoi kandidatin republikan për nënpresident, JD Vance, dhe kritikoi disa politika të republikanëve.

“Përderisa shtetet tjera po ndalonin librat në shkolla, ne po çrrënjosnim urinë nga shkollat tona”, tha ai.

Walz është kritikuar se ka ekzagjeruar karrierën e tij. Gruaja e tij gjatë kësaj jave e sqaroi se ajo nuk i ishte nënshkruar fertilizimit sipas metodës in vitro, siç kishte pretenduar Walz disa herë. Por, ajo tha se i ishte nënshkruar trajtimeve të tjera të fertilitetit. Republikanët po ashtu kanë kritikuar për deklaratat e bëra nga Walz më 2018, i cili kishte thënë se kishte mbajtur armë në luftë. Edhe pse ai ka shërbyer në Gardën Kombëtare për 24 vjet, ai asnjëherë nuk ishte dislokuar në një zonë lufte.

Walz ka përfshirë sfidat e familjes së tij me ferilitet në narrativin e tij, si një mënyrë për t’u afruar me votuesit që janë të shqetësuar me heqjen e të drejtave riprodhuese në SHBA. Por, Gwen Walz në një deklaratë të lëshuar të martën tregoi për përvojën e saj dhe tha se i është nënshtruar një trajtimi tjetër e jo in vitro.

“Nëse nuk keni përjetuar asnjëherë jofertilitetin, ju siguroj se e njoh dikë që e ka përjetuar”, tha Tim Walz të mërkurën.

Të mërkurën, në Kuvendin e demokratëve kishte edhe persona me të cilët Trump ishte ballafaquar gjatë karrierës së tij: Bill Clinton, presidenti i 42-të i SHBA-së dhe Oprah Winfrey, një prezantuese ikonike.

Gjatë adresimeve, të dizajnuar për të kritikuar Trumpin, Clinton dhe Winfrey e paraqitën ish-presidentin si një njeri vetjak, ndërkaq Harrisin si një person të përqendruar më shumë në nevojat e përditshme të amerikanëve sesa në nevojat e saj.

“Sipas meje kemi një zgjedhje të qartë. Kamala Harris për njerëzit. Personi tjetër që ka dëshmuar është vetëm për vete, ‘unë, unë dhe unë’”, tha Clinton, i cili mbajti një fjalim në Kuvendin Kombëtar Demokratik pothuajse 10 minuta më të gjatë se fjalimi i Walzit, që ishte njeriu kryesor i natës.

Winfrey ndërkaq ofroi mbështetje për Harrisin. “Mirësjellja dhe respekti janë opsion në këto zgjedhje”, duke ftuar amerikanët që të zgjedhin Harrisin dhe Walzin në zgjedhjet presidenciale të nëntorit.REL

Xh.K/SI.E./Shqiptarja.com
Komento

KUJDES! Nuk do të publikohen komente që përmbajnë fjalë të pista, ofendime personale apo etiketime mbi baza fetare, krahinore, seksuale apo që shpërndajnë urrejtje. Në rast shkelje të rëndë të etikës, moderatorët e portalit mund të vendosin të bllokojnë autorin e komentit, të cilit do t'i ndalohet nga ai moment të komentojë te Shqiptarja.com

  • Sondazhi i ditës:
    21 Dhjetor, 15:03

    Si e vlerësoni mbylljen e TikTok në Shqipëri për një vit?



×

Lajmi i fundit

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste!  Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty

Fest 63/ Zgjidhen 15 këngët finaliste! Parashqevi Simaku përshëndet nga SHBA festivalin e konkurentët: Do të doja të isha aty