/ATSH-ANSA/ - Të paktën nëntë ministra të qeverisë i kërkojnë kryeministrit David Cameron fillimin e fushatës në favor të daljes së Britanisë së Madhe nga Bashkimi Evropian, në rast se bisedimet për rimarrjen e kompetencave nga Brukseli nuk përfundojnë pozitivisht, njofton gazeta londineze "Times".

Sipas saj, tensioni brenda konservatorëve britanikë është në rritje e sipër përsa i takon çështjes në fjalë si edhe çështjes së afrimit të zgjedhjeve parlamentare.
"Mes konservatorëve ka një pakënaqësi të madhe edhe për kohën e zgjedhur nga Cameroni, i cili ka premtuar një referendum në vitin 2017 për të qëndruar ose jo në Bashkimin Evropian", thotë një nga ministrat për gazetën, i cili kërkon të mos identifikohet.

Sipas ministrave të tjerë, ky plan mund ta fusë partinë në një debat të lodhshëm dhe stresues, çka mund të sjellë edhe përçarjen e partisë.
Deri tani, Cameron nuk ka sqaruar deri tani se çfarë do të bëjë në rast të dështimit të bisedimeve me Brukselin.

Në një intervistë me BBC-në, ish-presidenti i Komisionit Evropian, Jose Manuel Barroso ka deklaruar se Cameron ka dobësuar ndikimin britanik në Bashkimin Evropian dhe ka përdorur një retorikë agresive ndaj Brukselit