Në një peizazh të heshtur që mbart plagët e së shkuarës, muzika dhe poezia sollën emocione të forta, duke i dhënë zë historive të atyre që u privuan nga liria dhe jeta.

Tingujt e Kujtesës” organizohet çdo vit nga fondacioni “Kujto” me qëllimin që brezat e rinj të njohin të vërtetat e komunizmit, përmes dokumentarëve, artit dhe kulturës.

“Pak metra përtej e kemi një vend të shenjtë për të gjithë ne që e kemi këtë kauzë por edhe më tej, një vend ku mendohet se janë të zhdukurit në diktaturë, pra të vrarë, eshtrat e të cilëve ende nuk janë gjetur. E kemi zgjedhur këtë vend pranë zallit të Kirit për t’i kujtuar ata drejtpërdrejt, afër shpirtrave të tyre dhe kurrkush më bukur sesa artistët e Shkodrës, nuk kishin për ta sjellë kujtesën për ta”, tha Luljeta Progni.

Pjesë e koncertit ishin sopranoja Klodiana Brahimi dhe bas-baritoni Armando Likaj, të cilët përcollën përmes muzikës mesazhe dhimbjeje, kujtese dhe shprese.

“Nga tematika e veçantë dhe nga ajo çfarë u mblodh nga frymëzimi i atyre që na kanë lënë pasuri kaq të bukur, të mrekullueshme, jo vetëm të muzikës në art, kanë lënë një pjesë të jetës së tyre, një pjesë që kalon përtej emocioneve të momenteve që mund të bëjmë muzikë”, tha Likaj.

“Tingujt e Kujtesës” riktheu edhe një herë vëmendjen tek një nga vendet më të dhimbshme të historisë sonë për të mos lejuar që kujtesa të shuhet.

Në vitin 1946, regjimi komunist pushkatoi në Shkodër klerikët dhe intelektualët e organizatës "Bashkimi Shqiptar", trupat e të cilëve u lanë në vendin e ekzekutimit si një formë terrori. Mes tyre, At Giovanni Fausti, At Danjel Dajani, At Gjon Shllaku. Pikërisht ky vendi njihet si Ishulli i të Pushkatuarve dhe ndodhet buzë lumit Kir, pranë Varrezave të Rrmajit në Shkodër.