Tipare dhe përftesa në prozën
e shkrimtarit Ridvan Dibra

Tipare dhe përftesa në prozën<br />e shkrimtarit Ridvan Dibra
Ridvan Dibra e filloi krijimtarinë letrare me poezi, më pas lëvroi zhanrin e parabolës dhe gjininë e tregimit, iu kthye poemës, vazhdoi përsëri me tregimin dhe esenë, i kthehet herë pas here gjinisë dramaturgjike, dhe me një seri botimesh radhazi bën konsolidimin e tij në gjininë e romanit. Interesat e tij letrare të shfaqura deri më tani, na krijojnë bindjen se kemi të bëjmë me një krijues poliedrik. Lënda letrare e ofruar, nuk ka asgjë të përbashkët me konceptet, tematikat, trajtesat, strukturat kompozicionale të letërsisë së realizmit socialist. Kështu që hyn në letërsinë shqipe me një fizionomi të veçantë. Pak i studiuar nga kritika letrare. Më shumë i analizuar dhe i vlerësuar nga studiuesit kosovarë, si nga: Agim Vinca e Ag Apolloni, si dhe nga kritiku i mirënjohur Aliu Aliu. Nga studiuesit shqiptarë nuk kemi ndonjë vështrim për krijimtarinë e tij. Tregues që flet se studimet tona dhe kritika letrare ende nuk janë në gjendje të ndjekin procesin krijues e letrar.

Gjatë analizave të krijimtarisë së tij, Ridvani është quajtur “postmodernist”, “kafkian” dhe “eksperimentalist i madh..”. Duke respektuar terminologjinë përkatëse dhe vlerësuese, unë do të thosha, se Ridvani mbetet një stilist i mirë i tekstit që shkruan, formulim, të cilën e bazoj në lëndën artistike që ofron vetë, shkrimtari. Hapësirat tematikore që trajton përfshijnë jo vetëm një segment të jetës, por mbarë spektrin social. Socialiteti i shkrimtarit në vëzhgimin e qenies dhe të botës përreth tij, përmes të veçantës dhe universales, lëviz në dukuri dhe fenomene të tilla, si: lodhja, vetmia, zhgënjimi, miqësia dhe armiqësia, etj. Kjo është dhe arsyeja, që duke kuptuar tipologjinë e këtij shkrimtari, studiuesi Ag Apolloni thotë: “… detyra e shkrimtarit nuk është të tregojë ngjarje të mëdha, por të voglat t’i bëjë interesante.”

(Ky gjykim është për romanin “Në kërkim të fëmijës së humbur”). E, duke u marrë me paragrafin e fundit që thotë: ”… detyra e shkrimtarit nuk është të tregojë ngjarje të mëdha, por të voglat t’i bëjë interesante”, m’u kujtua një histori e shkrimtarit Xhon Bonvill, me të cilën më njohu libri “Antenat e Epokës sime” të Anteos Hrisostomidhis. Kjo histori i shkon për shtat procesit krijues të Ridvanit si rrëfimtar. Dhe shkrimtari Xhon Bonvill thotë: “Çdo të thotë të sajosh një rrëfim? Të shkruash një histori të thjeshtë, me njerëz të zakonshëm, por ta shkruash me të tillë gjallëri, me kaq intensitet dhe përqendrim, saqë  lexuesi ta ndiejë, ta përvetësojë.” (E fjalët kyçe të këtij paragrafi i gjejmë në veprat e Ridvanit, si: “Eklipsi i shpirtit”, në serialin për Gjergj Elez Alinë, “Stina e ujkut”, “Kurthet e dritës”, “Të lirë e të burgosur”, etj.)

E, shkrimtari Xhon Bonvill vazhdon: “Çdo formë arti ushqehet nga jeta. Eci në rrugë dhe shoh një gur. E vrojtoj dhe e përshkruaj kaq intensivisht, saqë guri, një çast reagon. Jam, thotë, një gur i thjeshtë, nuk e kisha pandehur ndonjëherë se do të më kushtonte kush vëmendje. Dhe zë të turpërohet, të skuqet, të vezullojë. … Këtë bën artisti me botën. E merr gjënë e zakonshme dhe, megjithëse nuk e shndërron në gjë të jashtëzakonshme, dëshmon qartë se sa i pazakonshëm është secili objekt në atë rëndomtësinë e tij.” (dhe këtë dukuri marrëdhëniesh a proces krijues të vetë shkrimtarit, e gjejmë në vepra të tjera të Ridvanit, si: “Letër nga provinca”, “Dekalogu i turpit”, “Franc Kafka i shkruan të birit”, “Kanuni i Lekës së vogël”, “Unë, Franc Kafka dhe Karta e Bolonjës”, etj.)

            Një dukuri tjetër e krijimtarisë, që shfaqet dukshëm, është dhe filozofia e shkrimtarit. E kudopranishme. (Me fjalën filozofi, përcjell fjalën vizion. Këtu e kam fjalën.) Dhe vizioni i tij shfaqet në jetesën dhe mbijetesën e njeriut, sulmet dhe kundërsulmet brenda botës së tij, pozita e tij, perspektiva e ekzistenca e tij, raporti i vesit me virtytin, etj., etj. Të gjitha i kërkon artistikisht, i zhvillon artistikisht, dhe për të arritur në një finale: për të paraqitur esencën e njeriut.

            Dua të ndalem edhe në raportet e shkrimtarit me fjalën, me frazën, me gjuhën si narrator. Ridvani, në tekstet e tij përmban formulime të tillë leksikore, të cilat na shpërfaqin gjendjet e personazheve, emocionalitet e tyre, kontrastet, që janë të pranishme, si në rrëfim e si në thurjen e strukturës kompozicionale. I kushton jashtëzakonisht vëmendje fjalës shqipe dhe ngjyresës së saj. E mirëmendon. Eshtë një gjuhë sintetike, e pasur dhe mjeshtërore. Me modalitete ligjërimore. Ajo rrezaton përmes një spektri ngjyral. Dua të them që Ridvani është një stilist i shquar, nuk e gjejmë si shpesh në letërsinë shqipe. Një natyrë të tillë stilistike, por me profile të veçanta krijuesi, kam gjetur te Mitrush Kuteli e Anton Pashku, dhe deri diku te Ismail Kadareja. Ridvani ruan emblemën e tij.

            Duke marrë shkas nga librat: “Në kërkim të fëmijës së humbur”, Franc Kafka i shkruan letër të birit”, Kanuni i Lekës së vogël”,etj., ata në flasin për tipologjinë e një shkrimtari me plot kënde vështrimi e trajtimi nga ana e kritikës letrare, e cila duhet të paraqesë vëmendje ndaj Ridvanit. Me ndikime nga arti kafkian në fillimet letrare të Dibrës, largimi i tij (mvetësia, si profil i përcaktuar dhe i dallueshëm) në veprat e botuara në vitet e mëvonëshme, mbase dukuria më e rëndësishme e tij janë: marrëdhënia me kujtesën. E vërejmë te vetë krijuesi, te personazhi, te fenomeni që trajton, te mesazhi që përcjell, te rrëfimi, shpesh në vetën e parë, që, siç duket e ka më për zemër autori.
          

 Shkrimi u publikua sot (22.12.2013) në suplementin Rilindasi të gazetës Shqiptarja.com (print)

Redaksia Online
(d.d/shqiptarja.com
)

  • Sondazhi i ditës:

    Kabineti i ri qeveritar, jeni dakord me ndryshimet e bëra nga Rama?



×

Lajmi i fundit

Vepronin si grup i strukturuar kriminal/ SPAK çon për gjykim 4 personat që trafikonin emigrantë nga vendet e treta

Vepronin si grup i strukturuar kriminal/ SPAK çon për gjykim 4 personat që trafikonin emigrantë nga vendet e treta