TIRANE - Bashkia e Tiranës ka nisur promovimin e trashëgimisë kulturore të Tiranës. Bëhet fjalë për një turne që ka nisur me nxënës dhe studentë, të cilët janë njohur me disa nga monumentet historike e kulturore, duke filluar nga Kulla e Sahatit, për të vijuar në kompleksin e Toptanëve, Urën e Tabakëve, Mozaikun e Tiranës etj. Nxënësit dhe studentët janë shoqëruar edhe nga Nënkryetarja e Bashkisë së Tiranës, znj. Jorida Tabaku.

“Për ne ka shumë rëndësi të kuptojmë, se monumentet kulturore dhe trashëgimia kulturore e qytetit, nuk është vetëm këtu në qendër por ka shumë monumente të trashëgimisë kulturore, të cilët bashkarisht me Ministrinë e Kulturës po i identifikojmë, po përgatisim një bazë të dhënash për të gjithë këto monumente dhe do të përpiqemi maksimalisht që një ndër projektet kryesore të Bashkisë, të jetë mirëmbajtja, gjallërimi i këtyre monumenteve, në mënyrë që të organizohen sa më shumë ture si ky i sotmi”, theksoi n/kryetarja e Bashkisë.

Znj. Tabaku i dha jetë edhe projektit të ri të Bashkisë, të titulluar “Monumentet flasin”, duke mundësuar që trashëgimia kulturore e qytetit të Tiranës, të vizitohet nga të gjithë turistët dhe kushdo që të vijë në Tiranë, të ketë informacion të bollshëm, të detajuar, për të gjithë këto monumente kulture.

(im/shqiptarja.com)