TIRANE- Një ish-oficer ushtrie është vetëvarur në kodrat e liqenit artificial në Tiranë. Viktima është 65 vjeçari Halim Vata i cili është gjendur mesditen e djeshme i varur në një pemë. Nga burime pranë policisë mësohet se Vata ishte larguar nga banesa tre ditë më parë, ku dhe kishte lënë një letër për familjarët ku tregonte se do të vetëvritej, për shkak se nuk mund ta shtynte dot jetesën në këtë gjëndje. Pavarëisht këtij fakti, policia e Tiranës është duke e hetuar ngjarjen për një vrasje të mundshme për shkak se dhe mekanizmi si kishte ndodhur ngjarja linte për të dyshuar. Familjarët e viktimës, pretendojnë se 65 vjeçari nuk vuante nga asnjë sëmundje mendore dhe se skishte arsye për tu vetëvrarë. Ka qënë pikërisht gjetja e letrës, ajo që ka alarmuar familjarët dhe policinë, duke kryer kontrolle në disa zona të Tiranës, por pa mundur ta gjejnë 65-vjeçarin. Dje paradite, ai është gjetur te Kodrat e Liqenit nga dy vajza, që kanë njoftuar policinë. Në vendin e ngjarjes kanë shkuar menjëherë shërbimet e Komisariatit nr. 1, që e kanë gjetur 65-vjeçarin të varur me një tel, të cilin e kishte lidhur në pemë. Menjëherë janë thirrur ekspertët, të cilët kanë bërë këqyrjen e vendit të ngjarjes, ndërkohë që gjatë këqyrjes së kufomës, është vënë re një shenjë pas koke, që mund të jetë edhe goditje nga mjete të forta. Por kjo, për grupin hetimor nuk është provë e mjaftueshme për të vërtetuar shkakun e vdekjes, kështu që do të mblidhet komisioni, me qëllim për të dhënë konkluzionet nëse kemi të bëjmë me vrasje apo vetëvrasje.
(sg/eq/shqiptarja.com)