TIRANE- Një 50 vjeçar i dha fund jetës duke u vetëvrarë, pasi OSHEE i kishte ndërprerë energjinë elektrike. Ngjarja ka ndodhur në Sauk, në rrugën “Shefqet Nroqi” në Tiranë. Sipas policisë, viktima është Hari Doda i cili vrau veten me armë zjarri tip automatik në banesën e tij.

Njoftimi në polici është bërë nga bashkëshortja e viktimës, e cila ka deklaruar se ndërprerja e energjisë elektrike u është bërë për shkak të borxheve që kishin ndaj OSHEE-së. Gruaja është shprehur se burri i saj kishte disa kohë që vuante nga depresioni. Më tej ajo ka thënë se para disa ditësh punonjësit e OSHEE-së u kishin ndërprerë dritat dhe gjendja e burrit të saj ishte rënduar së tepërmi, pasi nuk kishin mundësi se me çfarë t’i paguanin.

Ngjarja
Pasditen e djeshme, rreth orës 17:00, 50 vjeçari Hari Doda i ka dha fund jetës duke qëlluar veten me armë zjarri. Vetëvrasjen Doda e bëri në banesën e tij, ku shkak i saj ka qenë borxhi që kjo familje ka pasur ndaj OSHEE-së. Viktima ka qenë në banesë së bashku me gruan, ndërsa kjo e fundit për një moment kishte dalë në oborr. Ka qenë bashkëshortja e viktimës e cila ka lajmëruar më pas policinë duke dhënë edhe arsyen e vetëvrasjes së burrit të saj.

Dëshmia e gruas
E marrë në pyetje nga grupi hetimor, gruaja është shprehur se burri i saj i dha fund jetës pasi kishin borxhe ndaj OSHEE-së. Sipas gruas, punjonësit e kësaj kompanie i kishin ndërprerë energjinë para pak ditësh duke i lënë ata në errësirë. “Ai i dha fund jetës për shkak të borxhit që ne kishin për dritat, pasi nuk kishim mundësi se me çfarë t’i paguanim”.

Më tej, ajo është shprehur se kanë qenë në presion të vazhdueshëm nga punonjësit e OSHEE-së të cilët iu kërkonin shlyerjen me çdo kusht të debisë që familja Doda kishte. “Burri kishte kohë që ishte i pa punë, sepse vuante edhe nga depresioni. Ne nuk kemi asnjë të ardhur përveç pensionit të vjehrrës, por edhe ato para që ajo merr nuk na dalin për të mbuluar shpenzimet tona”, ka thënë gruaja.

Fqinjët
Të mbërritur në vendin e ngjarjes, policia ka marrë në pyetje edhe disa prej familjeve pranë banesës së viktimës të cilët janë shprehur se situata në të cilën ndodhej kryefamiljari ishte e bërë e padurueshme edhe dy fëmiljët e çiftit Doda e jo vetëm për viktimën. Ata shprehen gjithashtu se punonjësit e OSHEE-së shkonin pothuajse çdo ditë në banesën e kësaj familjeje duke u kërkuar atyre që të shlyenin borxhin që kishin ndaj kompanisë OSHEE.

Gruaja
“Ai i dha fund jetës për shkak të borxhit që ne kishin për dritat, pasi nuk kishim mundësi se me çfarë t’i paguanim. Gjendja e rënduar bëri që ai t’i jepte fund jetës së tij”


Shkrimi u botua në Shqiptarja.com (print) në 10 Shtator 2015

Redaksia Online
(d.a/shqiptarja.com)