Poshtë pallateve luksoze të kryeqytetit sheh të dalin gra me këmbë të shkurtëra e shtate të gjatë dhe burra, me koka të mëdha, barqe të fryra. Të moshuar me fytyrat e djegura nga jeta e vështirë në fshat e të moshuara të kërrusura nga punët e vështira të malit apo të fushave, të veshura firmato. Tirana zemërgjerë ka strehuar në pallatet më të bukura, në lagjet më ekskluzive të saj familjet e të korruptuarve të 27 viteve demokraci: nëpunës të shtetit më të varfër në Europë, prokurorë, gjykatës, drejtorë drejtorish, doganash, tatimesh, ministrish, kanë nxjerrë paratë nga thasët e zinj të stivuar nëpër shtëpitë e tyre e kanë blerë pasuri imobiliare luksi. Disa janë ish funksionarë, e të tjerë funksionarë aktualë.

Në një nga pishinat e një hoteli ekskluziv në kryeqytet motra e një zyrtari të lartë, që vjen nga provinca e thellë e Shqipërisë na lë pa fjalë: Në Instagram bën foto magjike, Gineth Paltrou apo Xhenifer Aniston pëprara saj duken vajza të zakonshme lagjeje, ndërsa motra e politikanit provincial një divë. Në Instagram ama. Në realitet, edhe ajo, nuk i shpëton formulës së çuditëshme që prek njerëz të provincës sonë: këmbë të shkurtëra, shtat i gjatë e pamje që në realitet është 100 përqind e kundërta e asaj që vajza ofron në rrjete sociale.

Tirana është zemërgjerë me zengjinët e rinj. Nga vilat e pallatet luksoze të lagjeve më ekskluzive të saj zbresin familjarë trafikantësh rrejtesh kokaine, heroine. Kudo në botë, nga Italia, në Kolumbi, trafikantët e familjarët e tyre jetojnë të ngujuar nëpër periferitë e periferive.Të ndjekur e të përndjekur nga njerëzit e shtetit, ata të ndershmit që e kanë kuptuar dhe luftojnë që fëmijët e gjithë shoqërisë të mos ëndërrojnë të bëhen të korruptuar e trafikantë për të përfituar sa më lehtë pasurinë e të njollosen tërë jetën.

Tirana është zemërgjerë, i ka dhuruar vendet më të mira të saj njerëzve të tillë, që nuk e duan atë, nuk e respektojnë, që hedhin plehrat nga dritaret e pallateve luksoze ashtu siç bënin me pemët e lumenjtë në vendet më të bukura, por të largëta të Shqipërisë.

Tirana është zemërgjerë dhe urojmë që nga kjo zemërgjerësi ajo të mos humbasë fisnikërinë që njerëzit e korruptuar, trafikantët e të tjerë të dyshimtë individë, nuk e respektojnë për të tillë.