Tirana dhe Besiktas luajnë nesër në 20:00 për ndeshjen e kthimit në turin e II të Conference League. Miqtë nga Turqia fituan ndeshjen e parë 3-1 dhe janë me një këmbë në fazën tjetër, teksa kanë zhvilluar stërvitjen gjenerale në "Air Albania".
Në prag të ndeshjes për mediet foli edhe trajneri i Besiktas, Senol Gunes. Turku vlerësoi punën e Orges Shehit me ekipin e Tiranës, teksa tha se ekipi i tij është në një tjetër nivel. Kritika pati trajneri për gjendjen e fushës në kryeqytet.
"Ndjehem mirë që jam në Tiranë, e vlerësoj edhe skuadrën e Tiranës. Kushtet janë të mira, kundërshtari ka lojtarë të mirë dhe të vendosin në vështirësi. Kemi pritshmëritë tona, kemi eksperiencën tonë në ndeshjet europiane. Shpresoj që pavarësisht avantazhit, ndeshja të shkojë në avantazhin tonë. Duke e parë nga ndeshja e parë, Tirana luan në grup, lojtarët rreshtohen mirë, ne kemi ardhur për rezultat dhe për kualifikim", tha trajneri.
Gunes komplimentoi punën e Shehit, teksa tha se njohin Abazajn dhe Selmanin që kanë luajtur në Turqi më herët.
"Njohim Abazajn dhe Selmanin se kanë luajtur në Turqi, ata luajnë në grup. Duhet t’i bëjmë që të luajnë lojën tonë, stadiumi është i mirë, por bari është problem dhe mund të ndikojë për ndeshjen e nesërme. Trajneri Shehi ka bërë një punë të mirë, duke analizuar edhe sezonin e kaluar. Kanë luajtur mirë në kampionat dhe Europë, është një skuadër kompetitive, por jo si Besiktasi", tha Gunes.
Trajneri më pas vlerësoi edhe shqiptarët, por ndeshja do shkojë në favor të ekipit të tij.
"Rezultati do të shkojë në favorin tonë. E njoh futbollin shqiptar, Cikalleshi është nga ata që spikati në Turqi. Presidenti i Bursasspor është shqiptar, me shqiptarët duket sikur nuk jemi të huaj. Kam vlerësim maksimal, ashtu si kam edhe për Tiranën. Shpresoj që tifozët të kënaqen”, u shpreh Gunes.