Situata e Milot Rashicës te Besiktas është përkeqësuar ditët e fundit. Klubi turk njoftoi futbollistin se nuk është më planet e tij dhe se duhet të largohet për të gjetur një skuadër të re. Kjo situatë ka irrituar edhe ish-futbollistin e kombëtares shqiptare Altin Lala, i cili njëkohësisht është edhe agjenti i futbollistit.
Lala thotë se mënyra si veproi Besiktas lë shumë për të dëshiruar, pasi njoftimi për të gjetur një klub të ri erdhi në ditët e fundit të merkatos kur është e vështirë për të manovruar.
“Janë super amatorë, pasi vijnë tre ditë para se mbyllet afati kalimtar dhe na thonë të gjejmë ekip. Ka pasur kohë të mjaftueshme për të na informuar dhe për të shikuar ekipe tjera. Zgjidhja e kontratës mund të bëhej shumë lehtë. Kanë bërë zgjidhje të kontratave me disa lojtarë. Kanë paguar 50 % të pagës në letër, te Miloti as 10-15% i thonë të paguajnë.
Nëse dëshiron të heqësh lojtarin, nuk mundesh, prandaj nënshkruhen kontratat katër apo tre vjet. Është një sjellje skandaloze dhe mundohen nëpër mediat që i kanë të nxjerrin keq Milotin. Të gjithëve ua kanë paguar në gusht pagat, kurse Milotit ende nuk ia kanë paguar. Janë gjëra, me një fjalë pazar turqish.
Në Evropë është mbyllur, kanë mbetur edhe disa shtete. Miloti ka pasur nga Turqia, një ose dy oferta, por jo interesante. Mund të ndodh diçka ose të qëndrojmë. Në Arabi ka kohë, por edhe atje vendet janë të limituara. Të shohim me shpresë të ndodhi diçka”, u shpreh Lala për “Kohën”.
Milot Rashica u transferua në Turqi në verën e vitit 2023, ndërsa për disa sezone ka qenë pikë referimi për skuadrën. 30-vjeçari Rashica aktualisht ka oferta vetëm nga Turqia, pasi merkato evropiane është mbyllur të hënën. Mundësitë për të lëvizur janë shumë të paktë.









Komente
Komento