Në blloqet e banimit në kryeqytet nuk do të jepen më leje zhvillimi aktivitetesh që gjenerojnë zhurmë, përfshirë edhe lavazhet, apo serviset e makinave, të cilat do të zhvendosen, si në çdo qytet perëndimor, larg zonave të banuara. Bashkia e Tiranës do të jetë bashkia e parë që do të disiplinojë dhënien e lejeve të tipit C për subjekte të tilla, por gjithashtu do të menaxhojë edhe zhurmat e trafikut dhe do krijojë një hartë të zonave të gjelbra akustike.

Diana Mile, drejtoreshë e Mjedisit në Bashkinë e Tiranës e ftuar në emisionin ‘Studio Live’ në Report Tv tha se ndotja më e madhe akustike në kryeqytet shkaktohet nga trafiku i makinave si dhe kantieret e ndërtimit pranë zonave të banuara. Duke folur për planin e veprimit të bashkisë në kryeqytet, për ndotjen akustike, Mile tha se kanë përfunduar dëgjesat publike, dhe pas miratimit në Këshillin bashkiak për të bashkërenduar veprimet.

‘Ne tani kemi përfunduar dëgjesat publike, kemi një draft, do fillojë me miratimin nga Këshillin bashkiak për të bashkërenduar veprimet. Për të krijuar një metode sesi do të ulim zhurmat. Kjo do të shoqërohet edhe një sensibilizim të shoqërisë dhe bizneseve. Pjesa e banorëve e komunitetit e ka mirëpritur. Ato duhet të jenë të informuar. Ka një mbingarkesë, vendin e parë e zë zhurma nga trafiku. Trafiku është mbi 60-70% ai që shkakton ndotjen akustike në kryeqytet. Janë kantierët e ndërtimit, janë bizneset, të cilat krijojnë zhurmë, furra buke, lavazhe, mobileri. Kthehen në një burim zhurme të vazhdueshme pasi nuk respektojnë oraret ose vendndodhja e tyre është e gabuar. Bashkia do të jetë rregullator i orarit se kur do të punojnë dhe vendndodhjes. Gjëja më e mirë që do të bëjmë do të jetë zonifikimi. Do të ketë penalitete për qytetarët që shkaktojnë ndotje akustike.’- tha Mile.

Nga tjetër, psikologia Aljona Jonuzi, u shpreh se kjo është një nismë shumë e mirë, pasi ndotja akustike ndikon shumë keq tek qytetarët.

‘Është një nismë shumë e mirë, ishte koha e duhur për të ndodhur, besoj se Tirana vuante prej vitesh me këtë problematike. Janë shumë faktorë që ndikojnë dhe qytetarët ndihen keq, ankohen. Në momentin që përballemi më zhurma të ndryshme na nxjerr nga kjo pjesa e relaksit në shtëpinë tonë. Ndonjëherë shtëpia bëhet edhe ferr nga këto zhurma orar pa orar. ‘- tha Jonuzi.

Objekt i këtij plani të veprimit janë: aktivitetet e shërbimit social dhe kulturor, si: klube nate, bare, restorante, disko; sektori i transportit rrugor, ajror, ujor dhe hekurudhor; si dhe aktivitetet ekonomike që përdorin pajisje dhe makineri që gjenerojnë zhurma, si sharra, elektromotorë, gjeneratorë, çekiçë pneumatikë, etj.