Partizani - Tirana, kjo është sfida që merr jetë nesër në orën 19:00 në "Air Albania". Derbi i kryeqytetit është dueli më i rëndësishëm në vend dhe dy skuadrat kërkojnë të bëjnë mirë.
Bardheblutë kanë pesë ndeshje pa fitore, kjo në harkun e një viti e gjysmë dhe kërkojnë suksesin. Para medieve, trajneri i Tiranës ka treguar dëmtimet dhe ka shtuar se kërkojnë maksimumin. Julian Ahmataj nuk ka dyshime për motivimin e lojtarëve për këtë duel.
"Është ndoshta java më e thjeshtë për stafet dhe drejtuesit, sepse motivimi shtohet çdo ditë te lojtarët. Të gjithë duan ta luajnë, të gjithë duan të japin maksimumin dhe kjo nuk të jep shumë angazhime në aspektin e karikimit, ose aspekte të tjera që janë detyra të stafit.
Mendojmë që gjithmonë dhimbjet dhe problemet janë prezentë te lojtarët, por shpresojmë që të jenë gati nesër. Abazaj mendoj se do jetë gati nesër për derbi. Najdovski ka marrë një dëmtim në ndeshjen me Erzenin. Ka dalë në minutën e 70’ dhe mendoj se e ka akoma atë dëmtimin. Mendoj se do mungojë prej 7-8 ditësh", tha trajneri.
Problemet te Tirana duket se janë edhe për Patrick, me sulmuesin që duket se do jetë në fushë.
"Patrick përsëri nuk është në 100% e tij, sepse trajtimi i tij është një specifikë që ndoshta mund të na rëndojë në fundin e kampionatit. Dhe kjo është ajo dilema për ta ruajtur Patrick dhe për ta forcuar aq sa duhet", vijoi Ahmataj.
Trajneri tha se çdo staf i Superligës ka njohuri për këdo ekip tjetër, duke e lidhur me faktin që te Partizani trajner është Orges Shehi, ish-i i bardhebluve deri pak muaj më parë.
"Në futbollin e sotëm nuk ka më enigma, siç e njeh trajneri i Partizanit Tiranën nga brenda. Të gjithë trajnerët njohin të gjitha skuadrat e Superiores dhe ndoshta të gjithë lojtarët e Superiores, sepse sot ka programe që të zbërthejnë çdo detaj për secilin klub dhe secilin lojtar", tha Ahmataj.
Pas javës së 23-të, Partizani me 37 pikë mban vendin e dytë, teksa Tirana me 34 pikë vendin e katërt. Egnatia kryeson Superligën me 48 pikë.