Tirana është përzgjedhur një nga pesë qytetet kandidate për t’u zgjedhur si Kryeqyteti Evropian për të rinjtë 2022 (EYC 2022). Nga dhjetëra qytete të Europës që aplikuan, mes pesë qyteteve finaliste është renditur edhe Tirana, krahas Kazanit (Rusi), Poznań (Poloni), Varaždin (Kroaci) dhe Baia Mare (Rumani).
Qytetet finaliste për EYC 2022 u përzgjodhën nga një panel i pavarur si Parlamenti Evropian, Komiteti i Rajoneve, Kongresi i Autoriteteve Lokale dhe Rajonale të Këshillit të Evropës, Komiteti Ekonomik dhe Social Evropian, Këshilli i Bashkive dhe Rajoneve Evropiane, Këshilli Këshillimor i Rinisë i Këshillit të Evropës, Zyra e OSBE-së për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut, Schëarzkopf Foundation Young Europe, Iniciativa e Shoqërisë së Hapur për Europën, IDEA Ndërkombëtare, EurActiv, Lëvizja Evropiane Ndërkombëtare, Eurodesk dhe Forumi Evropian i Rinisë.
Bashkia e Tiranës ka ndërmarrë një sërë nismash në organizimin dhe mbështetjen e aktiviteteve rinore si: Tirana Art Fest, Java Evropiane, Ditët e hapura të edukimit të BE, Ditët Rinore të Start Up-eve, Ditët e Rrjetëzimit të të Rinjve dhe Bizneseve etj. Programet e vullnetarëve dhe praktikantëve kanë qenë praktika konstante, ku Bashkia e Tiranës ka përkrahur angazhimin e të rinjve për vullnetarizmin dhe kulturën e punës. Vëmendja ndaj politikave rinore ka qenë një mangësi e vazhdueshme e qeverive shqiptare, por vetëm në vitet e fundit, pasi u bë zyrtarisht një vend kandidat për pranimin në BE, agjenda e të rinjve është bërë një prioritet shumë më i madh në nivel qendror dhe lokal.
Në vitin 2014 kryebashkiaku i tanishëm i qytetit, Erion Veliaj, (në atë kohë ministër i Mirëqenies Sociale dhe Rinisë) krijoi 'Shërbimin Kombëtar të Rinisë', i cili mbështet përfshirjen e të rinjve në të gjitha fushat e shoqërisë dhe veprimtarinë publike. Këshilli Bashkiak së bashku me Rrjetin e Zërin të Rinisë së Tiranës (i përbërë nga 33 organizata rinore) nënshkroi aktin e themelimit të Bordit Këshillimor të Rinisë në Këshillin Bashkiak, i cili përfaqëson interesat e të rinjve në politikëbërje dhe mblidhet çdo herë që programet dhe projektet e të rinjve duhet të diskutohen. Për t’i dhënë më shumë vëmendje axhendës së të rinjve, një departament i tërë iu dedikua ekskluzivisht rinisë, ndërsa më parë ajo menaxhohej si një sektor nën departamentin e Kulturës, Rinisë dhe Sporteve.