Familjarë dhe fqinjë të së resë dëshmojnë në intervista ekskluzive për Tv A1 Report tmerrin që vazja kishte përjetuar prej 4 vitesh, nga persekutori i saj, Fiqiri Muça, i cili ishte dhe vëllai i burrit të motrës së Nazimes. Deri sa kishte arritur të merrte dhe vendimin e fundit: Ta vrasë vetë me kallashnikov.
E reja prej kohësh jetonte tek shtëpia e gjyshërve, në Krrabë, ku kishte shkuar për t'i shpëtuar persekutorit, Fiqiri Muça. Por nuk ishte e thënë.
Ai vazhdonte ta kërcënonte në telefon, t'i thoshte se do ta zhdukte. Tre muaj më parë e kishte rrëmbyer, mbajtur lidhur në një pyll për 11 ditë dhe më pas e kishte liruar, pasi policia ishte vënë në ndjekje. E kishte kërcënuar me jetën e saj dhe të familjes nëse në polici nuk do të deklaronte se kishte vajtur vetë me dëshirë. Së fundmi i kishte shkatërruar dhe fejesën me një djalë nga Vaqarri i cili jetonte në Itali.
RREFIMI I NUSES SE XHAXHAIT: U DETYRUA TA VRISTE
Nusja e xhaxhait të vajzës Selvia Visha tregon se që në moshën 14 vjeçe, Muça e ka shfrytëzuar për marrëdhënie seksuale. E kërcënonte se do ta vriste nëse do të tregonte në familjen e tij. Ajo nga frika e tij dhe e familjes nuk ka treguar.
“Ai e ka përdorur në marrëdhënie seksuale, e kërcënonte të mos tregojë se do ta vrasë. Para 3 muajsh e rrëmbeu e lidhi në pyll. E mbajti 11 ditë, dhe më pas e dorëzoi pasi policia iu vu në ndjekje. E ndau dhe nga i fejuari. ” - tregon nusja e xhaxhait të 18 vjeçares, Safete Visha për gazetaren e Tv A1 Report, Drilona Nokshiqi
(Nusja e xhaxhait Safete Visha flet per A1 Report)
“U detyrua. Nuk kishte ç’të bënte. Nuk e dëshironte lidhjen.”- vazhdon rrëfimin nusja e xhaxhait ndërsa kujton copëza të bisedës me të renë e cila ishte detyruar të largohej nga banesa e saj në Burrel dhe të strehohej tek banesa e gjyshërve të saj. Ajo i kishte thënë “ Por s’më la rahat do ta vras, po s’më ngacmoi s’do ti bëj gjë.” “Nuk kishte rrugëzgjidhje tjetër”- vazhdon më tej rrëfimin familjarja.
“Ajo u detyrua. I kishte thënë se ka për të marrë. Denonco ku të duash, unë kam për të të marrë dhe kam për të të zhdukur që familja jote të mos të të gjejë më. Kishte një njeri të vetin në polici. Ka paguar një shumë lekësh të mëdha policisë së Burrelit. I kishte parë vetë vajza, dhe më pas është liruar”- shton Safete Visha.
KOMSHIA: I PRISHI DHE FEJESEN
Hanke Bajrami , komshi me banesën e gjyshërve të vajzës, tregon se 18 vjeçarja ishte e qetë, vajzë e mirë. Kishte ardhur tek gjyshërit sepse nuk jetonte dot e qetë tek shtëpia e saj . “Por edhe këtu ku erdhi, se la të qetë."- tregon gruaja e moshuar. Pas historisë së rrëmbimit, gjyshërit e fejuan me një djalë nga Vaqarri që jetonte në Itali. Kur e mësoi ai e merrte në telefon djalin dhe e kërcënonte se do ta vriste dhe se vazja ishte e tija.
(Ne foto Hanke Bajrami, komshi me banesen ku ndodhi vrasja, rrefen per A1 Report)
“Ai këtu ka ardhur rreth 4- 5 herë, natën. E kërcënonte në telefon. I treguan se vajzën e kishin martuar. Atë natë erdhi këtu dhe ka shtirë dy herë me pistoletë. Ka nja 10 ditë ky muhabet. E ndau dhe nga i fejuari. E merrte djalin në telefon dhe i thoshte, se ajo është e imja, po e more ti unë do të të vras, dhe djali u tërhoq dhe u fejua me një vajzë tjetër. Kur ja, paska ardhur sërish mbrëmë”- rrëfen nëna me shami të bardhë në kokë.
E EMA TENTOI TE VRISTE VETEN
Historia, e denjë për subjektin e një filmi dramë njerëzore kishte nxitur të ëmën e 18 vjeçares të vetëhelmohej. Fiqiri Muça, i martuar me 6 fëmijë, ishte i vëllai i burrit me të cilin kishte lidhur jetën, vajza e saj e madhe, (motra e Nazimes). Vajza tjetër ishte rrëmbyer për 11 ditë. Më pas denoncimi në polici, deklarata se vajza kishte shkuar me dëshirë dhe më pas rrëfimi i së vërtetës, e kishin shokuar tejmase. Sipas familjarëve vajza ishte kërcënuar se do ta vriste nëse nuk do të dëshmonte në polici se kishte vajtur me dëshirë me 45 vjeçarin.
“E ëma nga sedri e turpi u helmua. Mezi e shpëtuan” kujton komshia. 18 vjeçarja është arrestuar menjëherë pas krimit dhe akuzohet për "vrasje"
VERSIONI I POLICISE
Version i policisë i dhënë sot në orë 10:00 nga drejtoria e policisë e Tiranës është krejt ndryshe nga ato çka tregojnë familjarët. Sipas policise mes 18 vjeçares dhe 45 vjeçarit ka pasur lidhje dhe më pas janë ndarë. Raportohet se mbrëmë mes çiftit fillimisht ka pasur konflikt, më pas Nazime Beqir Visha, ka qëlluar për vdekje ish bashkëjetuesin e saj, Fiqiri Muça banues në Shijak të Durrësit.
“Grupi hetimor, pas verifikimeve të kryera doli në konkluzionin se, autorja e dyshuar e këtij krimi është 18 vjecarja Nazime Visha e cila pas një konflikti të castit ka qëlluar me armë zjarri automatike 45 vjecarin Fiqiri Muça, i cili gjeti vdekjen e menjëhershme. “- informon policia nëpërmjet një deklarate për shtyp të publikuar rreth orës 10:00 të ditës së sotme. Ndaj saj, u mor masa e menjëhershme e arrestit në flagrancë për konsumim të veprës penale të Vrasjes, ndërkohë që materialet proceduriale, i kaluan për referim dhe ndjekje të mëtejshme Prokurorisë së Rrethit Gjyqësor Tirane.
Lajmi fillimisht u publikua ne oren 08: 27 dhe u përditësua në orën 10:27, dhe më pas ne 12: 57
(sg/shqiptarja.com)