Tiranë- Policia e Tiranës ka vijuar me goditjen e basteve sportive.

Njoftimi i policisë:

Si rezultat i monitorimit të përditshëm të territorit përreth institucioneve arsimore, në zbatim të planit të posaçëm të masave, të prezantuar me rastin e fillimit të vitit të ri shkollor, me objektiv madhor garantimin e sigurisë së nxënësve, shërbimet e DVP Tiranë finalizuan operacionin e koduar “ËEB page”.

Si rezultat i kontrolleve të ushtruara, u evidentua se në 2 lokale në afërsi të shkollave, organizoheshin dhe viheshin ilegalisht baste sportive, nëpërmjet celularëve.

Për këto raste u arrestuan në flagrancë shtetasit D. Gj., 24 vjeç, dhe K. Ç., 48 vjeç, si dhe nisi procedimi penal për shtetasin I. M., 54 vjeç, dhe një 17-vjeçar.

Në njërin prej lokaleve, i administruar nga shtetasi K. Ç., 48 vjeç, u kap në flagrancë duke vënë baste sportive shtetasi D. Gj., 24 vjeç, ndërsa në të njëjtin lokal ndodhej edhe shtetasi I. M., 54 vjeç, i përfshirë në këtë veprimtari.

Ndërsa në lokalin tjetër, u konstatua një 17-vjeçar, i punësuar në këtë subjekt, i cili kryente veprimtarinë e vënies së basteve sportive.

Në cilësinë e provës materiale u sekuestruan 5 celularë, me faqe aktive për vënien e basteve sportive.

Angazhimi për zbatimin e planit të posaçëm të masave për sigurinë e nxënësve vijon intensivisht.

Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.

Lajm në përditësim…

-------------------------------

Sqarim: Çdo person prezumohet i pafajshëm deri sa nuk vërtetohet fajësia e tij me vendim gjyqësor të formës së prerë