TIRANE - Një 22-vjeçar ka humbur jetën, ndërsa shoku i tij është plagosur gjatë një aksidenti të ndodhur orët e para të mëngjesit në rrugën e “Barrikadave” në kryeqytet.

Shtetasi Edison Allushi 22 vjeç ka gjetur vdekjen e menjëhershme dhe shoku i tij Bilbil Aga është plagosur gjatë përplasjes së motorçikletës me makinën tip Benz.

Sipas policisë së Tiranës shkak për aksidentin ka qenë shpejtësia e madhe me të cilën udhëtonte motorçikleta dhe makina, mosrespektimi i sinjalistikës rrugore, por edhe mungesa e kokoreve për dy të rinjtë që ishin me motorçikletë.

Grupi hetimor i ngritur për ngjarjen dhe policia e kryeqytetit informojnë se përplasja ka qenë shumë e fortë, ndërsa Aga ndodhet i shtruar në Spitalin Ushtarak jashtë rrezikut për jetën dhe po trajtohet nga një staf mjekësh.

Pas ekspertimit të vendngjarjes policia ka shoqëruar drejtuesin e mjetit, i cili është përfshirë në aksident dhe sëbashku me dëshminë e të plagosurit Aga, pritet të bëj dhe dokumentimin ligjor të aksidentit i cili i mori jetën 22-vjeçarit Allushi.

Redaksia online
(eç/shqiptarja.com)